3 viktima dhe 79 raste të reja me Covid-19. Cami: Në spitale janë 115 pacientë

0 19

Pandemia e Covid-19, vijon të marrë jetë në Shqipëri. Gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar 3 viktima, me sëmundje bashkëshoqëruese, ndërsa janë konfirmuar 79 raste të reja. Në deklaratën e përditshme për shtyp, Mirela Cami nga Ministria e Shëndetësisë, bëri me dije se “Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet Covid, një 56-vjeçar dhe një 76-vjeçar nga Tirana me disa bashkëshoqëruese dhe një 90-vjeçar nga Elbasani.  Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve”.

Nga ana tjetër, ajo tha se kanë vijuar testimet për personat e dyshuar të prekur me Covid-19 dhe vazhdon puna intensive e epidemiologëve në terren për gjurmimin aktiv të rasteve. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju rikujton të përdorni maskën kudo në ambientet e mbyllura dhe në çdo ambient publik ku nuk mund të ruani distancën.

Në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 115 pacientë, 16 janë në terapi intensive, 5 prej të cilëve pacientë të intubuar. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 56 raste në Tiranë, nga 6 raste në Shkodër, Krujë, nga 3 raste Fier, Lushnje, nga 1 rast në Elbasan, Kavajë, Vlorë, Kamëz, Divjakë.

Lajmi i mirë është se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 69 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 2952, që nga fillimi i epidemisë. ”Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i rekomandon çdo qytetari të tregojë kujdes për respektimin e rregullave: Ruani distancën nga të tjerët të paktën 1.5 metër; Mbani maskë në ambiente të mbyllura dhe kudo ku nuk mund të ruani distancën. Ruani higjienën personale dhe kolektive. Nëse keni shenja të sëmundjes izolohuni dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid-19”.

Rastet aktive

Tiranë-1191
Durrës-256
Shkodër-209
Vlorë-94
Fier-83
Lezhë-82
Kukës-65
Korçë-60
Elbasan-47
Gjirokastër-29
Berat-27
Dibër-24

Leave A Reply

Your email address will not be published.