Rëndohet bilanci i tragjedisë. 35 viktima e 657 të plagosur nga tërmeti (FOTO/VIDEO)

399

Tërmeti shkatërrues 6.4 ballë që goditi Shqipërinë mëngjesin e së martës ka lënë pas dhjetëra të vdekur dhe qindra të plagosur. Informacionet paraprake flasin për 35 të vdekur dhe 657 të plagosur. Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar zyrtarisht 30 viktima dhe ka publikuar emrat e tyre.

Ministria e Mbrojtjes njofton se emrat e 30 viktimave janë konfirmuar pasi autoritete, shtabet e emergjencave, mjekët ligjorë në vendngjarje dhe policia e shtetit kanë zbatuar procedurën. Ndërkohë mediat dhe gazetarët në terren raportojnë se numri i viktimave është 35, duke u bazuar në të dhënat paraprake që marrin nga terreni.

Viktimat janë në dy zonat më të dëmtuara, në Durrës dhe në Thumanë. Gjatë gjithë natës, ekipet e shpëtimit shqiptare, të ndihmuara nga ekipet nga Kosova, Greqia, Italia, Franca, Rumania, Mali i Zi, Maqedonia, Çekia dhe Serbia kanë vijuar operacionet e shpëtimit.

Qeveria ka shpallur sot ditë zie kombëtare. Tragjedia shqiptare ka anuluar festat kombëtare të 28 dhe 29 nëntorit. Ndërkohë mëngjesin e sotëm, kryeministri Edi Rama njoftoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në zonat e prekura nga tërmeti. Sipas IGJEUM, që nga dje e deri sot, ka pasur rreth 310 paslëkundje.

Zhvillimet minutë pas minute

FOTO GALERI/ Kërkimet për të shpëtuar jetë, një ditë pas tërmetit

ORA 16:58/ Nxirren nga rrënojat në Durrës nënë e bir

Thellohet bilanci i viktimave nga tërmeti. Ekipet e shpëtimit kanë nxjerr dy viktima pa shenja jete në pallatin e rrëzuar 6 katësh në Durrës, te Kryqi i Kuq. Viktimat janë Dolora Reçi dhe Klaus Reçi, nënë e bir.

ORA 18:00/Tërmetet në Durrës/ Mijëra banorë vërshojnë drejt Tiranës dhe rretheve të tjera

Teksa Durrësi është nën “sulmet” e vazhdueshme të tërmeteve që i kanë kaluar disa qindra në total, përfshirë edhe ata të vegjlit, durrsakët kanë zgjedhur të largohen nga banesat e tyre.

Çdo qytet larg Durrësit për ta bën punë, nuk ka rëndësi nëse është Tirana, Vlora, Elbasani apo Prishtina, mjafton që të kenë të afërm ku të kalojnë natën,

Vargu i makinave që po vjen nga Durrësi për në Tiranë, për të qëndruar apo thjesht për ta përdorur si tranzit kryeqytetin është jashtëzakonisht i madh duke sjellë edhe krijimin e trafikut në autostradë, por edhe në rrugët e dytësore.c

ORA 17: 50/ Ministria e Mbrojtjes publikon emrat e viktimave

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar emrat e 28 viktimave që kanë humbur jetën nga tërmeti. Ministrja Olta Xhaçka deklaroi se numri i konfirmuar i viktimave është 28, ndërkohë mediat raportojnë për 32.

“Gjithçka do të rindërtohet nga e para, por ka diçka që nuk mund ta kthejmë më mbrapsht. Askush nga ne nuk mundet. Janë 28 jetë të humbura, qe lene pas një boshllëk që askush nuk e mbush dot. E di që fjalët janë të tepërta e asgjë s’mund t’i ngushëllojë familjet e tyre për humbjen.Por në një shenjë respekti per jetët e humbura, dua të ndaj sot me të gjithë qytetarët emrat e të 28 fëmijëve, vajzave, djemve burrave e grave që nuk arritën ti mbijetonin kësaj tragjedie, për t’i kujtuar së bashku në këto orë dhimbjeje e ngushëllimi për të gjithë”,- tha Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka para se të lexonte emrat e viktimave.
Emrat e viktimave që kanë humbur jetën në Durrës:

1- Amelia Lala, 8 vjeç
2- Esiela Karanxha, 8 vjeç
3- Bajram Hajdarmataj, 54 vjeç
4- Sadik Qato, 85 vjeç
5- Isah Abazi, 29 vjeç
6- Flatar Zenelaj, 64 vjeç
7- Eviola Broshka, 28 vjeç
8- Kristi Reçi, 24 vjeç
9- Sehadete Lala, 79 vjeç
10- Djena Karanxha
11- Eduart Reçi
12- Shemsedin Abazi

Emrat e viktimave që kanë humbur jetën në Krujë:

1. Ariela Lala 4 vjeç
2. Bukurije Leka
3. Erisa Cara
4. Fatmira Cuka 44 vjeç
5. Selvie Lala 77 vjeç
6. Saimir Greku
7. Kristjan Preçi 26 vjeç
8. Sardi Cuka 18 vjeç
9. Hajrie Vata 65 vjeç
10. Klevis Çupi (Aliu) 34 vjeç
11. Drita Cakoni 58 Vjeç
12. Pëllumb Greku 57 Vjeç
13. Çelike Grupieku 57 Vjeç
14. Hajredin Çupi, 66 Vjeç
15. Kastriot Cakoni
Ndërsa në Lezhë:
Marjan Preçi 25 vjec – u dëmtua nga tërmeti dhe automjeti që po e dërgonte në spital ka dalë nga rruga. Për pasojë Marjan Preci ka humbur jetën.

Ora 15:52/Një tjetër lëkundje e fortë godet Shqipërinë, ndihet në disa qytete
Një tjetër lëkundje sizmike ka goditur sot Shqipërinë në orën 15:45. Lëkundja ka qenë e shkallës 5.3 rihter dhe është ndjerë në shumë qytete të vendin. Epiqendra e kësaj lëkundje ka qenë në detin Adriatik, me thellësi rreth 2 km.

ORA 13:55/ Burgu rrezikon t’u marrë jetën 150 personave

Rreth 150 të burgosur në burgun e ShënKollit në Lezhë do të transferohen nga godina e vuajtjes së dënimit për shkak të rrezikut që paraqet burgu.

Të burgosurit do të transferohen në burgun e Shkodrës pasi tërmeti 6.4 i shkallës Rihter dhe qindra paslëkundjet kanë bërë që godina të pësojë dëmtime që mund të rrezikojnë jetën e të burgosurve. Pak orë më parë një prej të burgosurve foli në Neës24 duke thënë se godina kishte pësuar goditje serioze dhe se kishte frikë për jetën. “Ka dëmtime brenda burgut. Ka pësuar çarje nga të gjitha anët. Jemi të pasigurt. Ka ardhur drejtori dje por asgjë nuk është bërë. Askush nuk na ka pyetur. Të na çojnë në burg tjetër”, ka deklaruar i dënuari.

ORA 13:50/ Lëkundje të tjera tërmeti

Rreth orës 13:50 janë regjistruar të tjera lëkundje tërmeti në vend. Faqja e monitorimit të tërmeteve ESMC raporton për dy lëkundje të njëpasnjëshme në zonën e afër Durrësit.

Lëkundje me një diferencë 10 minuta nga njëra tjetra kanë qenë 3.8 dhe 3.3 ballë. Epiqendra ka qenë në detin Adratik.

ORA 13:30/Presidenti i Sllovenisë i shpreh ngushëllimet kreut të shtetit

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor i telefonoi sot Presidentit të Republikës Ilir Meta për t’i shprehur ngushëllimet familjarëve të viktimave dhe gjithë popullit shqiptar për pasojat tragjike që shkaktoi tërmeti në Shqipëri.

Presidenti Pahor i shprehu Presidentit Meta solidaritetin me popullin shqiptar, si dhe gatishmërinë për të ofruar çdo ndihmë që do të kërkohet nga autoritetet shqiptare.

ORA 13:30/Policia e Shtetit: 2400 punonjës të angazhuar 

Policia e Shtetit njofton se ende vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit dhe më shumë se 2400 punonjës policie të angazhuar për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë të prekur nga tërmeti.

Njoftimi i policisë: Vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit. Mbi 2400 punonjës policie të angazhuar për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë të prekur nga tërmeti.

Forcat speciale Renea, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës, Fierit dhe Shkodrës, dhe Policia e DVP Durrës, prej afro 32 orësh vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, në Durrës dhe në Thumanë, Krujë. Operacionet e kërkim-shpëtimit, në bashkëpunim të ngushte më ekipet e forcave të ushtrisë, emergjencave civile dhe ekipeve të kërkim-shpëtimit të ardhura nga shumë vende të rajonit. Mëngjesin e sotëm e deri tani nga rrënojat në Thumanë janë nxjerrë 3 persona të pajetë dhe kërkimet vijojnë pa ndërprerë. #Solidaritetdhendihmëpërbanorëteprekurngatërmeti.

ORA 13:26/ 173 banesa të dëmtuara

Tërmeti i fuqishëm që goditi vendin më 26 nëntor ka shkaktuar dëme të shumta materiale kudo në Shqipëri. Në Laç shumë pallate rezultojnë të pabanueshme, ku disa banesave u është vendosur edhe shiriti i sigurisë. Në vend ndodhet ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili po inspekton banesat e dëmtuara dhe të pabanueshme. Në Kurbin janë 173 banesa të dëmtuara. ”Kemi kaluar natën në qiell të hapur. Shtëpinë e kam të pabanueshme”, shprehet një prej banorëve, duke kërkuar zgjidhje dhe jo thjesht çadra. ”Jemi në një situatë kritike, të ruajmë qetësinë. Kemi ofruar shërbime për qytetarët në çadrat e ngritura”, u shpreh nënprefekti i Kurbinit.

ORA 13:00/ Basha: Gjendja e jashtëzakonshme të mos mbetet në letër

Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, kreu i PD, Lulzim Basha thotë se duhet të fillojë zbatimi dhe jo të mbetet në letër. Nga Thumana, zona më e prekur nga tërmeti, Basha përmendi prioritetet, që sipas tij duhen marrë në këtë situatë emergjente. “Sot kjo gjendje është shpallur, më mirë vonë se hiç. Tani është momenti që gjendja e jashtëzakonshme mos mbetet në letër. Prioritetet janë të qarta:  Së pari, përfundimi i operacioneve të kërkimit dhe nxjerrjes së viktimave.

Së dyti, dhjetëra qindra familje që kanë mbetur pa strehë k anë nevojë për mbështetje reale, nuk mund të qëndrojnë gjatë në çadra. Duhet bërë vendosja e tyre në apartament dhe mbështetja e tyre me një afat minimal 6 mujor.

Së treti, ngritja me shpejtësi e një strukture të mirë pajisur, blerja e pajisjeve, trajnimi i tyre duhet të trajtohet si një emergjencë.

Së katërti, duhet të merren masa për evidentimin e të gjitha objekteve që janë në rrezik.

Së pesti, duhen masa të menjëhershme dhe energjike për të luftuar shokun, stresin dhe panikun. Kjo nuk bëhet me propagandë, por bëhet duke informuar në çfarë situate ndodhet Shqipëria. Cila janë masat që do marrë masa në raste tërmetesh”, u shpreh Lulzim Basha.

ORA 12:05/ Lëkundjet vijojnë sërish

Lëkundjet e tërmetit kanë vijuar edhe ditën e sotme. Sipas qendrës sizmiologjike europiane tërmeti lëkundjet kanë qenë 3.1 ballë, 31 kilometra larg Tiranës.

VIDEO LIVE/ OPERACONET E SHPËTIMIT NË DITËN E DYTË

ORA 12:00/ Tërmeti dëmton 18 pallate në Kurbin

Si pasojë e tërmetit të djeshëm, në Kurbin janë dëmtuar 18 pallate, banorët e të cilëve janë evakuuar dhe po qëndrojnë në çadrat pranë shkollës së mesme. Shumë banesa në Njësitë Administrative Mamurras, Fushë-Kuqe dhe Milot kanë pësur plasaritje. Specialistët kanë konkluduar se banesat e dëmtuara janë të pabanueshme. Mësimi në shkolla është pezulluar dhe po bëhet verifikimi i gjendjes së shkollave nga grupet përkatëse të vlerësimit.

 ORA 11:50/ Gjirokastra nis grumbullimin e ndihmave për të paprekurit nga tërmeti

Qytetarët e Gjirokastrës kanë nisur mëngjesin e sotëm grumbullimin e ndihmave në Pallatin e Sportit për t’iu ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti në Durrës e Thumanë. Ndërkohë Këshilli Bashkiak Gjirokastër kalon një fond prej 5 milionë lekësh të vjetra nga fondi i emergjencës civile në ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti. Institucioni i Prefektit të qarkut Gjirokastër solidarizohet me familjet e prekura nga tërmeti duke iu bërë thirrje të gjithë bizneseve dhe qytetarëve të ofrojnë ndihmën e tyre monetare dhe materiale në numrat e llogarive bankare dhe qendrat e ngritura me këtë rast.

 ORA 11:48/Ambasada e Gjermanisë ul flamujt në gjysmështizë

Ambasada e Gjermanisë në Tiranë në shenjë solidariteti me qytetarët shqiptarë ka ulur flamujt në gjysmështizë. “Bashkohemi me zinë kombëtare për viktimat e tërmetit të djeshëm dhe u shprehim të gjithë të afërmve ngushëllimet tona”, shprehet Ambasada.

Qeveria e shpalli ditë zie kombëtare 27 nëntorin nisur nga tërmeti i fuqishëm që preku vendin tonë këtë të martë duke shënuar dhjetëra viktima.

 ORA 11:48/ Faqja e specializuar për tërmetet EMSC jep lajmin e mirë

Faqja e specializuar për tërmete All Quakes – EMSC, ka raportuar në kohë reale të gjithë tërmetet që kanë lëkundur Shqipërinë. Përmes dy postimeve të Twitter, EMSC ka shprehur solidaritet për shqiptarët që po kalojnë ditë të vështira, pas dëmeve që la tërmeti.

Gjithashtu ata kanë dhënë lajmin e mirë duke treguar tabelën se numri i tërmeteve po zvogëlohet. “Për miqtë tanë në Shqipëri që kaluan 2 netë shumë të vështira, këtu është evolucioni në kohë i sizmicitetit. Siç e keni vërejtur numri i lëkundjeve po zvogëlohet, që është ajo që vërehet përgjithësisht pas një tërmeti të fuqishëm”, thuhej në një nga postimet.

ORA 11:01/ Dhuro, sensibilizim për të prekurit nga tërmeti

Qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion një adresë online për këdo që dëshiron të kontribuojë për qytetarët e prekur nga tërmeti shkatërrues në Shqipëri. Lajmi është bërë i ditur nga Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e sotme të qeverisë që zhvilloi herët në mëngjes. Sipas Ramës, në platformën online E-Albania është krijuar një seksion i vetëm ku mund të kontribuohet në mënyra të ndryshme.

Kemi përgatitur një adresë të vetme në platformën E-Albania për të gjitha ndihmat dhe kontributet e cila mundëson inventar dhe transparencë të plotë. Ajo ka tre rubrika, njëra është rubrika e dhurimit online të çfarëdo shume që i lind në zemër secilit”, u shpreh Kryeministri Edi RamaPlatforma online e krijuar nga qeveria ku mund të kontribuoni për të prekurit nga tërmeti – Kliko KETU

ORA 11: 00/Grupi i specialistëve nga Izraeli zbarkon në Rinas

Një grup specialistësh shpëtimi nga Izraeli sapo ka mbërritur Aeroportin Nënë Tereza. Specialistët do ti vijnë në ndihmë ekipeve të ndihmës të ardhur gjatë ditës së djeshme.

Ekipe ndihme nga BE, Greqia, Turqia, Franca, Italia, Kroacia, Rumania, Zvicra, SHBA, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Serbia kanë mbërritur dhe janë në terren.

ORA 10: 58/ Dy pallate të tjera shpallen të pabanueshme në Durrës

Dy pallate të tjera janë shpallur të pabanueshme në bulevardin ”Dyrrah”, Durrës. Ndërkohë vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit për nxjerrjen e personave nga rrënojat, ku së paku dyshohet të gjenden 10 njerëz në Durrës dhe 6 në Thumanë.

ORA 10: 20/ Tetë persona tek Trauma në gjendje të rëndë

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se 8 persona në Spitalin e Traumës janë në gjëndje të rëndë, në terapi intensive dhe për 2 prej tyre po shikohet mundësia e trajtimit në një spital më të specializuar në Itali.  “8 janë në gjëndje të rëndë në terapi intensive. Po vlerësojmë mundësinë që së bashku me partnerët italianë të kenë trajtim më të specializuar në Itali. Është rasti i një djali i cili ka ardhur me traumë të kokës dhe gjymtyrëve, po vlerësohet për tu çuar jashtë dhe një vajzë e cila ka pasur 2 ndërhyrje kirurgjikale po vlerësohen parametrat”, informoi sot ministrja Manastirliu nga Spitali i Traumës, ku vizitoi te plagosurit nga tërmeti.

ORA 11: 30- Rruga e Kombit që nga dje është pa pagesë

Rruga e Kombit që nga dje është pa pagesë për gjithë mjetet dhe individët që janë solidarizuar në ndihmë të banorëve që janë prekur nga tërmeti në Shqipëri. “Albanian Highway Concession, kompania që menaxhon “Rrugën e Kombit”, që nga dita e djeshme ka vendosur të lejojë kalimin pa pagesë të të gjitha makinave; individëve shoqatave, institucioneve të Kosovës, të Shqipërisë etj. të cilët janë solidarizuar apo që kanë sjellë ndihma në mbështetje të familjeve të prekurve nga tërmeti”,- njofton kompania që menaxhon Rrugën e Kombit.
Të gjithë individët, shoqatatat dhe institucionet e angzhuara në ndihmë të të prekurve nga tërmeti, do të lejohen të kalojnë pa pagesë deri në përfundimin e situatës emergjente

Kryeministri Edi Rama shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalën e tij më një falendërim për partnerët ndërkombëtarë të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të ardhur në ndihmë të personave që janë prekur nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë.

Ai tha se sot qeveria do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, referuar përcaktimeve ligjore. Sipas Ramës, kjo gjendje do të kufizohet në dy rajonet e prekura nga tërmeti vdekjeprurës.

Referuar ditës së zisë, kryeministri tha se qeveria do të donte të shpallte më shumë sesa një ditë, por festat e nëntorit, axhendat dhe respekti për të rënët për atdheun nuk mund të sfumohen pavarësisht dëshirës së mirë pvr të respektuar viktimat e tërmetit.

“Do shpallim gjendjen e jashtëzakonshme bazuar në Kushtetutë. Ashtu si Kushtetuta dhe legjislacioni shtjellojnë, duke nisur nga natyra dhe perimetri i situatës do të jetë gjendje e jashtëzakonshme për dy rajonet e prekura në mënyrë të drejtpërdrejtë, Tiranën dhe Durrësin. Por për atë që nuk e dinë, gjendja e jashtëzakonshme nuk është çështje thjesht financash, por e një sërë masave. E thash dje dhe e thotë dhe historia jonë. Pasi çështjen financiare se kemi lënë asgjë mangët. Nuk e di nëse janë të gatshëm ata që e predikonin gjendjen e jashtëzakonshme që tu nënshtrohen këtyre masave. Gjendja e jashtëzakonshme, për një periudhë 30 ditore, ka hapësirat dhe detyrimet për ata që duhet ta qeverisin atë. Mbase nuk do u vijë për shtat atyre që e kanë predikuar, pasi ka qenë një temë me të cilën mund të bënin politikë, pasi Shqipëria ishte në lot”, tha Rama.

Papa Francesku: Zoti bekoftë popull shqiptar që e dua kaq shumë

Papa Francesku është sensibilizuar me qytetarët e prekur nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë. Gjatë përshëndetjes nga sheshi Shën Pjetri në Vatikan, Papa ka shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave që humbën jetën nga tërmeti katastrofik. ”Dua të përshëndes dhe të shpreh afërsinë time me popullin e dashur shqiptar, i cili ka vuajtur shumë këto ditë. Shqipëria ka qenë vendi i parë në Evropë që kam dashur të vizitoj. Unë jam pranë të prekurve, lutem për viktimat, për të plagosurit dhe për familjet. Zoti e bekoftë këtë popull të cilin e dua shumë”, është shprehur Papa Francesku gjatë lutjes së mëngjesit.

ORA 10: 30- Manastirliu nga Spitali i Traumës: 8 persona në gjendje të rëndë

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në një deklaratë për mediat nga Spitali i Traumës dha detaje mbi personat që po trajtohen në spital. “Janë 8 persona në gjendje të rëndë që po trajtohen në terapi intensive. Po vlerësojmë edhe mundësinë që të marrin trajtim më të specializuar në Itali. Kemi dy raste për të cilat po presim vlerësimin dhe përgjigjen nga partnerët italianë”, deklaroi ministrja.

“Dua të garantoj që puna që është bërë nga mjekët në Tiranë dhe Durrës është një punë e jashtëzakonshme profesionale, por duam që të mos mungojë asgjë dhe nëse është e nevojshme, të sigurojmë trajtim edhe më të specializuar se në Shqipëri”, tha Manastirliu.

ORA 10:20- Thumanë, nxirret i pajetë çifti nën rrënojat e pallatit

Në Thumanë vazhdon puna e grupeve të shpëtim-kërkimit, ku dy persona të tjerë pa jetë janë nxjerrë nga gërmadhat e një prej pallateve të shembura.  Bëhet fjalë për çiftin e bashkëshortëve Greku. Operacioni kishte filluar që në orën 07.00, ndërkohë që me nxjerrjen e kufomave operacionet janë ndërprerë sepse nuk mendohet që në atë pallat të ketë ende persona. Më parë, në Thumanë ishin nxjerrë nga rrënojat dy persona të tjera pajetë, Keli Çupi, 32-vjeçar, dhe babai i tij, Hajredin Çupi, 67-vjeçar. Me zbulimet e fundit, bilanci i tërmetit të djeshëm përditësohet në 29 viktima.

ORA 01:00/Operacioni i shpëtimit të Klajdi Qatos nga grupet e emergjencave shqiptaro-greke

Një prej akteve me fund të lumtur të tragjedisë kombëtare të shkaktuar nga tërmeti i së martës ishte ajo e 25-vjeçarit, Klajdi Qato. I riu u shpëtua pas mesnate nga grupet e emergjencave civile shqiptare dhe ato greke. Ai u nxorr nga rrënojat e hotelit “Vila Palma” pas rreth 20 orësh përpjekje. Klajdi është në gjendje të mirë shëndetësore dhe jashtë rrezikut për jetën.

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.