36 autoambulanca të reja, Rama: Hedhim pas krahëve lemerinë e një çerekshekulli

0 314

”Me 36 autoambulancat e reja moderne, përmbyllet programi i transformimit të flotës sonë të Urgjencës Shëndetësore nga një inventar karakatinash me 4 rrota, në një fuqi të motorizuar e të pajisur me standardet më të mira europiane”. Kështu tha kryeministri Edi Rama, i cili bashkë me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe kreun e Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj, inspektuan flotën me 36 autoambulancat e reja dhe moderne të Urgjencës Shëndetësore.

Kryeministri tha se me këtë që kemi tani në raport me nevojën, mund të themi se tani jemi në plotësim të nevojës. ”U plotësua gjithë ajo lemeri dhe rrënimi i çerekshekulli është mbrapa krahëve tani me gjithë këtë reformë ristrukturim dhe dixhitalizim i të gjithë procesit. Tani mbetet vetëm të mbahet niveli dhe të vazhdohet me intensitet. Momenti kur të kalojë flama e Covid do të jetë më e stabilizuar situata dhe do të rritet akoma më shumë shpejtësia e shërbimit”, tha Rama.

Manastirliu theksoi se vetëm në këto dy vite janë 80 autoambulanca të reja. Autoambulancat do të shkojnë në çdo cep të Shqipërisë, do të shpërndahen në spitalet rajonale. ”Vite më parë qytetarët transferoheshin me makina personale. Nuk kishte një numër unik urgjence dhe nuk kishte autoambulanca asnjë gjë brenda, ishin bosh dhe luanin rolin e taksive. Tani janë jo vetëm të mirëpajisura, por edhe me ekipe të mirëtrajnuara. Këto 36 autoambulanca do t’i dedikohen menaxhimit të pandemisë dhe do të ofrojnë shërbim cilësor për pacientët dhe lehtësi për çfarëdolloj skenari që mund të paraqitet në raport me Covid-19”,-tha ajo.

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj tha se te këto autoambulanca janë 4400 litra oksigjen, ndërsa janë të pajisura me setin e trajtimit të pjesës kardiake, setin e traumës etj. Ai theksoi se shpejtësia e arritjes te pacienti nga urgjenca është në një mesatare prej rreth 13.5 minutash. ”Bëhet fjalë për urgjenca të arrestit kardiak, traumën, lindjet dhe është e njëjta me Europën dhe botën. Nuk ka asnjë ndryshim si kohë mbërritjeje tek pacienti”, tha ai.

Leave A Reply

Your email address will not be published.