692 qytetarë kapen pa maska dhe 27 të tjerë që lëviznin pas orës 22:00

0 267

Çdo ditë e më shumë, aksionet e Policisë së Shtetit ndaj qytetarëve që nuk respektojnë masat anti-covid, janë të shtuara dhe gjobat janë të shumta. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve, kanë ndëshkuar me masë administrative, 692 qytetarë dhe 9 administratorë lokalesh, pasi nuk i respektuan këto masa. Nga ana tjetër, mësohet se janë vendosur masa administrative edhe për 27 qytetarë dhe 2 subjekte që nuk zbatuan masat kufizuese pas orës 22:00.

”Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 692 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse. Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 9 lokale, në ambientet e të cilëve kishte muzikë pas orës 20:00 dhe nuk respektoheshin protokollet e sigurisë. Secili prej administratorëve të këtyre lokaleve është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë. Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 8 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë”,-thuhet në njftimin e Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin. Në këtë kuadër i bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që të zbatojnë masat anticovid dhe të mos dalin nga banesat e tyre pas orës 22:00 deri në orën 06:00.

Leave A Reply

Your email address will not be published.