7 këshilla kryesore për prindërit e rinj

0 178

Lindja e një fëmije cilësohet si një nga emocionet më të bukura që mund të përjetohet në jetë, por jo gjithmonë ky fillim është i këndshëm duke marrë parasysh vendin ku jetojmë dhe dëshirën e madhe të çdo të njohuri të familjes të përfshihet në rritjen e fëmijës tënd (vetëm me fjalë sigurisht). Prindërimi, në përqindjen më të madhe të tij është “ndjekje instikti” pavarësisht se rol të rëndësishëm gjithashtu luajnë edhe trajnimet që mund të bëhen mbi këtë temë. Këshillat që mund të merrni nga familjarë të afërt janë një tjetër mundësi, por asnjëherë duke i lejuar që të ndikojnë keq psikologjikisht sepse çdo eksperiencë është shumë personale dhe ndryshe nga tjetra. Psikologët kanë dhënë disa këshilla të vlefshme për prindërit e rinj, sidomos për nënat që kanë tendencën të fokusohen më tepër seç duhet tek fëmija, duke harruar edhe veten.

– Kini besim në vetvete

Shpeshherë, kur vjen në jetë fëmija i parë, prindërit e rinj i kaplon një emocion i madh dhe shumica e këtyre ndjesive vjen në formë frike nëse janë të aftë ta rrisin atë fëmijë siç duhet, nëse po kujdesen mjaftueshëm për të që tani apo janë zhënjim total pa i nisur mirë jeta. Në fakt, këto lloj mendimesh janë deri diku normale pasi është një eksperiencë e re, e paprovuar më parë dhe sigurisht që nuk e kupton dot nëse po bën gjënë e duhur në çdo hap, por na lini t’ju themi që po ja dilni dhe do jeni shumë të suksesshëm, mjafton vetëm dashuri, përkëdhelje, ninulla, qumësht dhe shumë, shumë durim.

– Mos e kritikoni veten

Pikërisht për arsyet e përmendura më sipër, një nga gjërat më të mira që mund të bëni për fëmijën është të tregoni sa më tepër kujdes edhe për veten duke mos e kritikuar atë për çdo veprim si pasojë e mendimeve negative dhe vetëbesimit të ulët (partnerin gjithashtu).

– Flini sa më shumë të jetë e mundur

E dimë, e dimë çfarë menduat pasi lexuat këtë këshillë, por na besoni që është lehtësisht e zgjidhshme me përpjekje dhe mirëkuptim me partnerin, duke e bërë gjumin me turne.

 – Pranoni ndihmën nga të tjerët

Rrallëherë në histori, nëna dhe babai janë kujdesur të vetëm për fëmijën e tyre të sapoardhur në jetë, gjithmonë kanë patur mbështetje nga nënat e tyre, nga ndonjë hallë a teze ose motër më të madhe, kështu që mos kini turp të kërkoni ndihmë sa herë t’ju nevojitet (edhe sikur vetëm për të fjetur gjumë rehat).

– Jini fleksibël

Para se të bëheshit me fëmijë me shumë mundësi kishit menduar shumë gjëra dhe mënyrën si do silleshit dhe tanimë asgjë nuk ju bën kuptim sepse mesa duket fëmija juaj nuk ishte fiks ashtu siç ju e kishit menduar dhe kishit bërë “plane” për rritjen e tij (flasim për të porsalindurit deri në 1 vjeç). Një shprehje e viteve 1600 thotë “para se të bëhesha me fëmijë kisha 6 teori si t’i rrisja ata, tani që kam 6 fëmijë nuk kam asnjë teori”, kështu që mënyra më e mirë për të përballuar çdo situatë është vetëm duke qenë fleksibël, duke ndryshuar disa herë metodat derisa fëmija juaj ta pranojë dhe të ndihet rehat.

– Mos humbisni sensin e humorit

Një tjetër mënyrë perfekte për të larguar stresin dhe mendimet negative është të merrni çdo gjë me sportivitet, të qeshni sa më shumë të jetë e mundur.

– Kujdesuni per njëri-tjetrin (partnerin/ren) dhe veten gjithashtu

Arsyeja e fundit, por jo më pak e rëndësishmja është të kaloni mirë me partnerin/ren, të bëni sa më shumë shaka, të diskutoni me njëri-tjetrin për çdo ndjesi, të dilni shpesh here për të shijuar një moment sado të shkurtër. Në fund të fundit jeni ju të dy bashkë në këtë përvojë sfiduese, por edhe të veçantë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.