76-vjetori i Çlirimit të Tiranës, Balla: Shqiptarët gjithmonë kanë luftuar për liri, kurrë pushtues

0 310

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar me rastin e 76-vjetorit të Çlirimit të Tiranës. Përmes një postimi në rrjetin social facebook, Balla deklaron se në këto 28 vite nuk kanë munguar përpjekjet për të mohuar, errësuar apo relativizuar Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Historia mund të komentohet, por nuk mund të ndryshohet. Sipas Ballës, shqiptarët gjithmonë kanë luftuar për liri, kurrë nuk kanë qenë pushtues. Kjo vlen sot më shumë se kurrë edhe për Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Liria e Kosovës ka emrin e saj!

Postimi i plotë

Sot Tirana feston 76-vjetorin e Çlirimit! Sot edhe UÇK feston 26 vjetorin e krijimit të saj. Në këto 28 vite nuk kanë munguar përpjekjet për të mohuar, errësuar apo relativizuar Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Historia mund të komentohet, por nuk mund të ndryshohet. Faktet mund të interpretohen, por përmbajtja e tyre është shkruar me gjakun dhe sakrificat e luftëtarëve dhe dëshmorëve të lirisë.

Prandaj, kalemxhinj dhe të ashtuquajtur historianë modernë, mos e përdhosni historinë dhe mos i rivrisni të rënët! Shqiptarët gjithmonë kanë luftuar për liri, kurrë nuk kanë qenë pushtues. Kjo vlen sot më shumë se kurrë edhe për Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Liria e Kosovës ka emrin e saj!

Lufta Nacionalçlirimtare shqiptare nuk ishte një konflikt idesh, por një betejë ushtrish të pabarabarta; nuk ishte një ndeshje e zakonshme, por një luftë e përgjakshme në malet, luginat, qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, ku partizanët luftuan, u plagosën, u ringritën, u vranë dhe mbetën të skalitur në historinë, këngët dhe kujtesën e të gjithë shqiptarëve.

Dhë nëse për këto të vërteta nuk ju bindim ne socialistët shqiptarë, që e kemi për nder të kemi mes nesh pasardhësit e partizanëve, çlirimtarëve dhe veteranëve të kësaj Lufte epike, bëni durim, lexoni e rilexoni çfarë thonë aleatët e mëdhenj të partizanëve shqiptarë. Lexoni çfarë ka shkruar që në vitin 1943 Uiston Çërçill, Kryeministri i Britanisë se Madhe ne Luftën e Dyte Botërore dhe një antikomunist i denjë e i respektuar dhe jo qesharak si antikomunistët e sotëm shqiptarë:

“Partizanët shqiptarë po luftojnë në malet e tyre për pavarësinë e vendit të vet. Oficerët britanikë te ndërlidhjes janë pranë këtyre partizaneve dhe i kane çmuar lart cilësitë e tyre luftarake ne zhvillimin e ardhshëm në teatrin e luftës për Mesdheun”. Ndërsa një vit më vonë, kur në malet e Ballkanit po frynte era e çlirimit dhe e lirisë, Çërçill, do të shkruante: “Në malet e thepisura të Jugosllavisë, Shqipërisë dhe Greqisë rezistenca e fuqishme kundër Gjermanisë ka mbërritur në kulmin e ashpërsisë”.

Rroftë Lufta Nacionalçlirimtare!

Leave A Reply

Your email address will not be published.