80 viktima në një javë nga Covid-19/Rama: Kujdes, pasi masat e forta kufizuese…

0 353

Covid-19 në javën që lamë pas, pësoi një rritje të frikshme në shifra. Për 7-të ditë janë shënuar mbi 7000 raste të reja me Covid-19 si dhe 80 viktima. Këtë të hënë kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në një konferencë të pazakontë online me gazetarët, tha se duhet që të gjithë të bëjmë kujdes që të mos rikthehemi tek masat e forta kufizuese.

”Jemi në një konferencë të pazakontë. Arsyeja lidhet me domosdoshmërinë për të përcjellë një mesazh të qartë tek të gjithë qytetarët e këtij vendi në kushtet kur po shohim një rritje të numrave të infektimeve, kur kemi sinjale të arsyeshme mbi hyrjen në Shqipëri të varianteve të reja të virusit Covid-19. Po rritet infektimi i moshave më të reja dhe po ulet edhe mesatarja e moshës së të shtruarve në spitale”,-tha Rama.

Nga ana tjetër, kreu i qeverisë kërkoi zbatimin e rregullave nga të gjithë, ndërsa theksoi se këto rregulla po shkelen edhe nga politikanët e PS-së, duke mbajtur takime. ”Nëse secili nuk bën tani detyrën, atëherë situata rrezikon seriozisht të përkeqësohet, numri rrezikon të rritet. Patjetër, edhe barra e ngarkesës mbi sistemin shëndetësor rrezikon të rëndohet, në kushtet kur në fakt është e shmangshme. Jemi të gjithë të qartë që masat propozohen nga komiteti teknik, por nga ana tjetër, ne që jemi këtu, kemi detyrimin të bëjmë më shumë se sa të tjerët, që zbatimi i masave të jetë sa më korrekt”.

Kryeministri Edi Rama drejtoi gishtin tek bizneset, ku i ”kërcënoi” me rritje të gjobave. Sipas Ramës do të ketë në ditët në vijim një rritje të gjobave për lokalet, restorantet, qendrat tregtare dhe bizneseve të ndryshme lidhur me masat anti-covid. Kryeministri nënvizoi se qeveria ka përgjegjësinë të koordinojë aktorët e tjerë, por edhe bizneset nuk duhet të neglizhojnë.

”Tregtarët kanë përgjegjësi të posaçme, pasi janë në mjediset e tyre ku dhe rreziku është më i maddh. Rreziku më i madh nuk është as në zyra, as në shtëpi dhe në asnjë vend tjetër, por aty tek tregjet. Që të mos kthehemi tek masat kufizuese, duhet që të mos kërkojnë të nxjerrin maksimumin duke vënë në rrezik shëndetin e njerëzve. Të gjitha strukturat kanë pasur angazhim maksimal. Nuk duam që inspektoriatet të hyjnë e të dalin në lokale, sepse sigurisht kjo nuk është më e mira për ecurinë e aktivitetit tregtar, dyqane, qendra tregtare, etj. Nëse nuk ka reagim të menjëhershëm, do të ndodhë kështu. Do të jetë policia që do ta imponojë me forcë zbatimin e masave. Edhe me të gjitha gjobat përkatëse, të cilat do t’i rrisim. Do rriten gjobat për restorantet, baret, lokalet, e qendrat tregtare”,-tha Rama.

Leave A Reply

Your email address will not be published.