A do të ketë pushtim të Ukrainës?

0 159

Nga Ilir Kalemaj

Konflikti Rusi-Ukrainë i ka rrënjët qysh në fundvitin 2004 kur Ukraina asokohe u përfshi nga një valë protestash masive që u quajtën “Revolucioni Portokalli” kundër presidentit pro-rus të sapozgjedhur më anë të manipulimit të votave Januković, dhe që hapën siparin e revolucioneve me “ngjyrë” në ish-republikat sovjetike, çka ishte një nga ankthet e Kremlinit. Kjo u parapri në fakt nga revolucioni “rozë” në Gjeorgji të Saakshvillit në 2003shin, për të vijuar më pas me revolucionin “tulipan” në Kirgiztan në Azinë Qëndrore, apo ai i “kadifenjtë” në Armeni në 2018. Në të gjitha këto raste, përfshirë së fundmi në Kazakistan, Rusia ka ndërhyrë në mënyrë të drejtëpërdrejtë, e ftuar nga autokratët në fuqi, ose si fuqi revizioniste për të kërcënuar regjimet e reja.

Kështu ndodhi me Gjeorgjinë, kur në 2008 Rusia pushtoi krahinat e Abhkazisë dhe Osetisë Jugore për të ndëshkuar Tbilisin dhe duke i lënë edhe sot e kësaj dite si konflikte të ngrira, kjo ka ndodhur më parë edhe me Transdnistrinë e cila është shkëputur de facto nga Armenia dhe ka krijuar një republikë që nuk e njej njeri me ndihmën e drejtëpërdrejtë të Moskës, apo së fundmi kur Rusia vendosi unilateralisht të pushtonte Krimenë dhe më pas të inkurajonte hapur separatistët e Donbasit dhe Luhanskit në Ukrainën Lindore. Apo mbështetja e qartë dhe e fuqishme politike dhe ushtarake për diktatorin Lukashenko të Bjellorusisë, shtet satelit ky i Rusisë në rajon.

Për të mbërritur te grumbullimi i rreth 130 mijë trupave në kufi me Ukrainën dhe kërcënuar hapur me pushtim nëse Ukraina nuk heq dorë unilateralisht nga dëshira për t’iu antarësuar një ditë NATOs apo kjo e fundit nuk e refuzon qartë dhe prerë aspiratën ukrainase për antarësim në të ardhmen. Është kjo e fundit, që njëfarësoj është vijë e kuqe për SHBA dhe aleatët e saj europianë. Në fakt, vetë Rusia, e cila toleroi më tepër nga halli se nga malli antarësimin e vendeve balltike në NATO në 2004, ndjehet e rrethuar nga prezenca e shteteve antare të NATOs duke filluar nga Norvegjia e vijuar me Lituaninë dhe Poloninë. Kërcënimi i Perëndimit është që shumë shpejt mund të ftojë të antarësohen edhe vende të tjera kufitare me Rusinë dhe që kanë ruajtur status neutraliteti deri tani, si Finlanda dhe Suedia.

Nga ana tjetër, mbështetja kineze ndaj aspiratave ruse për ekspansion sipas njërit interpretim apo thjesht frika e Rusisë që Ukraina është kalaja e fundit që mund dhe duhet të mbrohet dhe jo vetëm për çështje të sigurisë së jashtme por edhe sepse është elektoralisht e ndjeshme për zhvillimet e brendshme, është e limituar. Limitet e mbështetjes kineze janë të qarta për vëzhguesit, pavarësisht manovrave ushtarake të përbashkëta, të qënurit të dyja fuqi revizioniste që i kundërvihen hegjemonitetit amerikan apo universalitetit që Perëndimi predikon, apo faktit që Kina është e inkurajuar nga qasja ruse ndaj Ukrainës për të rritur agresionin ndaj Tajvanit. Këto limite janë në disa rrafshe.

Së pari, teknologjia kineze si mbështetëse e satelitëve rusë, bazës hapësinore të Rusisë etj., është jo-efektive dhe nuk mund të zëvendësojë kurrsesi mikroçipat që Rusia importon nga SHBA dhe vende partnere me të të cilat janë kritike për infrastrukturën ajrore dhe të mbrojtjes së Rusisë. Së dyti, Kina për momentin është kundër përshkallëzimit të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës për shkak të marrjes së vëmendjes ndaj lojërave olimpike që pritet të zhvillohen në Kinë në muajin mars. Së treti, qasjet unilateraliste të Rusisë, si shkëputja nga sistemi bankar SWIFT, nuk janë aspak tërheqëse për Kinën e cila është mjaft e ingranuar në financat globale dhe ka gjithashtu rezervën më të madhe të dollarit në botë. Së katërti, Kina është superfuqi ekonomike, një nga dy fuqitë më të mëdha botërore dhe me aspirata të qarta globale si projekti “Një Brez, Një Rrugë”. Ndërsa Rusia ka një ekonomi sa ajo e Italisë, rreth 1/10 e asaj kineze dhe po 1/10 e popullsisë së Kinës. Së fundmi, Kina dhe Rusia mund të jenë rivalë gjeo-strategjikë në të ardhmen e afërt për shkak të depupollimit të Siberisë dhe zhvendosjes aty të fermerëve kinezë, për shkak të luftës për influencë në Azinë Qëndrore, për shkak të luftës mbi tregjet etj.

Sanksionet tregtare dhe të zgjuara të SHBA-së dhe BE-së ndaj Rusisë, të cilat nuk do limitohen në goditjen e rrethit të ngushtë të oligrarkëve që mbështesin qëndrimin në pushtet të Putin, shpejt do shtrihen në kufizimin e eksporteve të teknologjisë dhe inovacionit, pa të cilat infrastruktura ushtarake e Rusisë mund të kolapsojë. Nga ana tjetër, është jashtëzakonisht e shtrenjtë për Rusinë të mbajë të pushtuar Ukrainën ndërkohë që ka qenë një barrë e jashtëzakonshme financiare vetëm Krimea. Së treti, izolimi i Rusisë nga sistemi financiar global, rritja e kufizimeve të tregtisë me jashtë me Perëndimin, do të çojë në mënyrë të paevitueshme në një krizë ekonomike të brendshme e cila seriozisht do të rrezikonte pushtetin e Putinit dhe rrethit të tij të bashkëpuntorëve. Së fundmi, bllokimi i Gazprom 2, projektit për dyfishimin e eksportit të gazit natyror Gjermanisë ku rusët kanë investuar plot 11 miliardë dollarë, i cili për momentin është “ngrirë” nga rregullatorët gjermanë, është një mjet presioni i fortë në duart e Perëndimit ndaj Rusisë.

Për momentin Rusia po luan përtej kapacitetit të saj, duke bllofuar më tepër sesa realisht duke rrezikuar Washingtonin apo Brukselin dhe vendosmëria e aleancës së NATOs për të qenë të unifikuar në qëndrimin e tyre politik të mbështetur nga aleanca më e madhe ushtarake sot në botë, është ajo që ka për të bërë diferencën. Situata është serioze, por aspak kërcënuese.

Leave A Reply

Your email address will not be published.