A e shkaktoi pandeminë “sekretet” e Pekinit?

0 22

Donald Trump është kritikuar gjerësisht pasi i referohet pandemisë si “virusi kinez” por ndërsa Covid-19 bën xhiron e botës, “një fakt është i qartë”, shkruante Marion Smith në USA Today. “Partia Komuniste Kineze e shkaktoi këtë krizë”. Që nga momenti i shfaqjes së virusit, “Pekini ka vepruar në një mënyrë që e bëri përhapjen e pandemisë, të pashmangshme”. Mënyra e vetme për të ndaluar një përhapje të sëmundjes është shpërndarja e lajmeve rreth saj sa më shpejt, duke u dhënë personelit mjekësor informacionin që u nevojiten për ta trajtuar atë.

Në vend të kësaj, autoritetet komuniste sulmuan këdo që fliste për epideminë në Wuhan. Li Wenliang, një “mjek i guximshëm” që paralajmëroi në internet për rrezikun, u thirr nga policia dhe u detyrua të shkruante një “autokritikë”, para se të vdiste nga Covid-19. Lajmet u censuruan; përdoruesit e mediave sociale, heshtën.
“Pekini bëri gjithçka në fuqinë e tij për të parandaluar botën e jashtme të kuptonte se çfarë po ndodhte”. Rezultati ishte që vendet e tjera u zhvendosën në një sens të rremë të sigurisë: ata besonin se virusi ishte nën kontroll, dhe se ai nuk paraqiste ndonjë kërcënim për ta, ata kishin mjaft kohë për t’u përgatitur për të.

Sipas “The South China Morning Post”, rasti i parë i virusit është raportuar më 17 nëntor, shkruante The Guardian. Pas kësaj, rastet raportoheshin çdo ditë, megjithatë kinezët nuk e përmendën virusin për javë me radhë – ata e konfirmuan rastin e parë vetëm në 8 dhjetor. Edhe atëherë, Kina mohoi se kishte një transmetim nga njeriu tek njeriu: kjo nuk u pranua publikisht deri më 21 janar. Pasi shkaktoi fatkeqësinë, tani Pekini po kërkon falenderime sikur na shpëtoi nga pandemia, shkruante Niall Ferguson në “The Sunday Times”. Shumica e vendeve nuk e besojnë Pekinin, por veprimet dhe ndihmat që i nisi Italisë i bëri italianët të impresionohen pasi kanë qenë më pak të kënaqur nga përgjigja e aleatëve të tyre në BE, ndaj krizës së jashtëzakonshme me të cilën u përball Italia.

Fakti është se Pekini po shfrytëzon me sukses një “mungesë të jashtëzakonshme të udhëheqjes globale nga SHBA”, shkruante William Hague në “The Daily Telegraph”. “Presidenti Trump ka refuzuar madje edhe të inkurajojë shtetet e SHBA-së të veprojnë së bashku kundër Covid-19, e lëre më të orkestrojë ndonjë reagim ndërkombëtar”. Teksa vendet po kërkojnë për një teknologji të re që ti kundërvihen Covid-19 dhe për t’i rikthyer ekonomitë e tyre në punë, kush do të jetë i gatshëm ta sigurojë këtë sistem, programin dhe të dhënat për këtë? “Po, natyrisht, Kina”. Ne përballemi me një botë më të ndarë, më pak bashkëpunuese, me një Kinë më të fuqishme në të.

Janë dy të vërteta që duhet t’i njohim, tha Haga. Pekini nuk luan sipas rregullave. Donald Trump kishte të drejtë – kompanitë globale janë shumë të varura nga Kina. “Perëndimi kërkon siguri dhe udhëheqjen tonë teknologjike – dhe jo të jetë në varësi nga firma si Huawei”. E vërteta e dytë është se ne nuk mund ti zgjidhim problemet globale pa Kinën. Duke filluar që nga parandalimi i ndryshimit katastrofik të klimës në shmangien e një gare të rrezikshme të armëve, ne kemi nevojë për Kinën, dhe ajo na duhet. Kjo do të thotë t’i dalësh përballë dhe të mos e durosh totalitarizmin dhe në të njëjtën kohë të mbrosh dhe të krijosh një panoramë globale për të zgjidhur problemet globale. Trump e ka bërë njërën, por ne kemi nevojë për të dyja.

/Bota.al/

Leave A Reply

Your email address will not be published.