A i frikësohet PS largimit të Ramës? Gjiknuri: Pse, që të bashkëvuajmë me kundërshtarin?!

0 50

Gjatë konferencës me gazetarët, sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri foli edhe për procesin e gjenerimit brenda partisë. Ai deklaroi se kryeministri Edi Rama nuk e ka mbaruar ciklin e tij pasi shqiptarët i kanë dhënë një mandat për të drejtuar vendin.

“Të gjithë strukturat poshtë janë njohur me aktet që do të miratojë nesër asambleja. Brenda qershorit synojmë të përfundojmë. Është një proces kompleks sepse bëhet fjalë për 61 bashki. Nuk është një proces i thjeshtë që mbaron brenda muajit. E lidha me të gjitha momentet e hapave që na çojnë te zgjedhjet vendore.

Partia Socialiste do ta bëjë vendin për një president më të mirë se modeli që kishim. Çdo lloj emri që do të dalë do të jetë një emër më i mirë se ata që kemi pasur herët e fundit. Forcave politike ndryshimi u vjen nga vota popullore. Rigjenerohen për të përmirësuar veten. Edi Rama nuk e ka mbaruar ciklin e tij. Jo se është dëshira e tij por sepse këtë mandat i kanë dhënë shqiptarët. Janë qytetarët shqiptarë ata që vendosin kush del në pension dhe kujt i ka ardhur koha të ikë nga drejtimi i një force politike. Pavarësisht se opozita e ka këtë dëshirë nuk do i plotësohet për një kohë të gjatë”, tha Gjiknuri.

Ai deklaroi se procesi i negociimit për emrin e kandidatit për president mund të shërbejë si një motiv për të bashkuar forcat e kundërta në PD që të dalin me një propozim të përbashkët. Ai u pyet nga gazetarët edhe për emrat që kanë vetëshpallur kandidaturën për president, si Eleni Kocaqi apo Sazan Guri.

“Procesi i negociimit ka një format zyrtar si zhvillohet. Nuk e pengon qoftë edhe grupimin që është në Kuvend të dialogojë me copëzat e PD. Le të shërbejë kjo si një pikë bashkimi mes tyre që përfaqësia zyrtare të dalë me një kandidat që përfaqëson edhe krahun që mendon se është përjashtuar. Jemi në një proces dialogu. Çdo emër është në diskutim. Mjafton të gjejmë një bosht të përbashkët. Nuk përjashtoj asnjë emër përfshirë edhe ata që vetëshpallen. Mjafton të kenë dakordësinë e të gjithë palëve”, u shpreh ai.

Duke folur për konfliktin brenda Partisë Demokratike dhe shkarkimin Enkelejd Alibeajt nga posti i kryetarit të grupit, Gjiknuri u shpreh se PS e njeh atë në atë post, për sa kohë procesi i shkarkimit nuk është certifikuar.

“Nëse kryetari i grupit shkarkohet, ka procedura si certifikohen këto, Për aq kohë sa Alibeaj përfaqëson opozitën shqiptare do të jetë në tavolinën e bisedimeve. Unë nuk di të jetë shkarkuar Alibeaj pasi ai përfaqëson opozitën shqiptare. Mund të jetë moment i mirë që të dyja palët të dialogojnë për emrin e kandidatit të presidentit. Unë nuk thashë Berisha. Nëse Alibeaj merr përsipër të bashkojë partinë e tij përmes emrit të presidentit kjo është një gjë që varet nga ata. Unë nuk thashë do ulemi me Berishën. Berisha për ne nuk ekziston si faktor politik. Nëse Alibeaj me të tjerë do të vijnë për të gjetur një kandidaturë që i bashkon ky është proces i tyre dhe unë i mirëpres. Të mblidhen dhe të diskutojnë”, u shpreh ai.

Ndërsa sa i takon vendimmarrjes për presidentin, Gjiknuri deklaroi se kjo i takon kryeministrit Edi Rama por theksoi se procesi i dialogut është i sinqertë.

“Këtu ka një proces. Edi Rama është vendimmarrësi kryesor dhe do ishte naive nga ana ime të thoja të kundërtën. Ne jemi aty për të dhënë këshilla dhe sugjerime. Por lidershipi këtë meritë ka që merr vendime duke dëgjuar shumë njerëz. Kur dialogon me opozitën do të dëgjosh edhe sugjerimet e tyre. Por në fund të fundit vendimmarrjet do i marrë vetë pasi të konsultohet me të tjerët”, tha ai.

Leave A Reply

Your email address will not be published.