A janë sanksionet amerikane ndaj Rusisë efikase apo demagogji?

0 240

Presidenti amerikan Joe Biden goditi Rusinë të enjten me disa nga sanksionet më të gjera dhe më të ashpra financiare, disa orë pasi Rusia sulmoi Ukrainën.

Sanksionet dhe ndëshkimet e deritanishme amerikane duket se nuk e përfshijnë presidentin Vladimir Putinin. Presidenti Biden gjithashtu nuk ka vendosur deri tani disa nga sanksionet e tjera më të ashpra, si për shembull përjashtimin e Rusisë nga sistemi ndërkombëtar SWIFT, që mundëson transferimin e fondeve ndërmjet bankave në mbarë globin. Zoti Biden përmendi si arsye shqetësimet e aleatëve evropianë.

Por masat që Shtetet e Bashkuara ndërmorën të enjten janë gjithsesi të fuqishme. Ato synojnë të paralizojnë sistemin financiar të Rusisë, elitat e saj dhe çdo shpresë që mund të ketë Rusia për rritje ekonomike.

Më poshtë një vështrim i masave që Shtetet e Bashkuara shpallën për bankat dhe bizneset më të mëdha shtetërore të Rusisë, industrinë dhe ekonominë e saj dhe disa nga njerëzit e saj më të fuqishëm, si dhe masat që Uashingtoni nuk ka ndërmarrë.

SHBA NDALON QASJEN E BANKAVE RUSE TEK DOLLARI AMERIKAN

Sanksionet e së enjtes vënë në shënnjestër bankat e mëdha ruse që mbajnë afro 80% të të gjitha aktiveve bankare të vendit, tha Departamenti i Thesarit.

Kjo përfshin dy nga më të mëdhatë e Rusisë: bankat shtetërore SberBank dhe VTB. Së bashku ato kanë pothuajse 750 miliardë dollarë, më shumë se gjysma e shumës së përgjithshme në Rusi, thanë Shtetet e Bashkuara.

Sanksionet e së enjtes ndaj bankave reflektojnë fuqinë unike që kanë Shtetet e Bashkuara përmes dollarit, monedhës së preferuar në transaksionet e biznesit në mbarë botën.

Bankat e vëna në shënjestër zakonisht bëjnë dhjetëra miliarda dollarë biznes në dollarë çdo ditë. SHBA tani po i izolon ato nga sistemi financiar amerikan dhe nga dollari amerikan. Qëllimi është që të vështirësohen këmbimet më të zakonshme të biznesit si dhe tregtia ndërkombëtare për bankat dhe Rusinë.

Masat e tjera amerikane kanë në shënjestër bizneset kryesore shtetërore dhe private në Rusi, duke synuar ta bëjnë më të vështirë për ta që të mbledhin para për të investuar dhe për të vepruar.

Shtetet e Bashkuara vunë gjithashtu në shënjestër elitat ruse, duke sanksionuar bankierë dhe bashkëpunëtorë të tjerë të fuqishëm të presidentit Putin në qarqet më të larta financiare, politike dhe të sigurisë të Rusisë.

PRIVIMI I RUSISË NGA TEKNOLOGJIA E LARTË AMERIKANE

Kontrollet e eksportit të deklaruara nga administrata e zotit Biden përbëjnë një pjesë tjetër veçanërisht të fortë të mjeteve që kanë në dispozicion Shtetet e Bashkuara.

Zoti Biden tha se kufizimet e reja të eksportit të SHBA do ta privojnë Rusinë nga më shumë se gjysma e furnizimit të saj aktual me teknologji të lartë. Kjo është “një goditje” synimeve të Rusisë për të modernizuar ushtrinë e saj, industrinë e saj të hapësirës ajrore, programin e saj hapësinor, anijet dhe industri të tjera, deklaroi ai.

Me reduktimin e aftësisë së Rusisë për të konkurruar ekonomikisht, kufizimet e teknologjisë së lartë do të jenë një “goditje e madhe për ambiciet strategjike afatgjata,” tha zoti Biden.

Kontrollet amerikane ndaj eksporteve pritet të privojnë industritë ruse dhe ushtrinë nga teknologjia e lartë amerikane që ndihmojnë në funksionimin e avionëve luftarakë dhe atyre të, si edhe të telefonave inteligjentë dhe programet e tjera kompjuterike të funksionojë.

Reagimi amerikan mund ta radhisë Rusinë mes grupit të vendeve me kufizimet më të shumta përsa i takon kontrollit të eksporteve, përkrah Kubës, Iranit, Koresë së Veriut dhe Sirisë.

HAPAT QË SHBA NUK I KA NDËRMARRË ENDE

Presidenti Biden thotë se sanksionet kundër Rusisë për sulmin ndaj Ukrainës janë hartuar në mënyrë të tillë që të mos dëmtojnë paralizojnë tregjet globale të naftës dhe gazit natyror, në një kohë kur rezervat e naftës dhe çmimet e larta po e bëjnë të vështirë për qeveritë dhe konsumatorët në mbarë botën. Kjo përfshin administratën e zotit Biden, e cila është nën presion politik për shkak të rritjes së çmimeve të naftës dhe gazit dhe inflacionit në përgjithësi.

Rusia është një nga eksportuesit kryesorë të naftës dhe gazit në botë. Gjermania dhe aleatët e tjerë janë shumë të varur tek furnizimet e saj. Administrata e zotit Biden e vënë theksin tek hapat për të minimizuar ndikimin e sanksioneve tek këta aleatë.

Zori Biden përmendi gjithashtu shqetësimet evropiane si arsye për vendimin amerikan për të mos iu përgjigjur pozitivisht propozimeve për ta përjashtuar Rusinë nga sistemi financiar SWIFT, që mundëson transferimin e fondeve ndërmjet bankave në mbarë globin.

Udhëheqësit e Gjermanisë, me lidhjet e shumta të biznesit me Rusinë, kishin shprehur publikisht skepticizëm për përjashtimin e Rusisë nga SWIFT.

Zoti Biden u tha gazetarëve të enjten se sanksionet e tij bankare do të godasin Rusinë edhe më rëndë se sa përjashtimi nga SWIFT. Ndërsa Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen, e bëri të qartë se SHBA mund të imponojnë ndëshkime të mëtejshme.

Sanksionet e shpallura nga Shtetet e Bashkuara po ashtu nuk përfshijnë vetë presidentin Putin. Edhe sanksionet evropiane nuk përfshijnë presidentin rus.

Uashingtoni dhe zyrtarët evropianë nuk dhanë menjëherë sqarime për shmangien e sanksioneve ndaj zotit Putin. Në të kaluarën zoti Biden ka shprehur hezitim për sanksionimin e krerëve të shteteve. Edhe shqetësimi se vënia në shënjestër e zotit ë Putinit dhe familjes së tij përsa u përket sanksioneve, mund të eliminojë çdo shpresë për zgjidhje diplomatike, mund të ketë luajtur rol në këtë vendim.

Por kur u pyet nga gazetarët për të shpjeguar se pse nuk u morën masa kundër zotit Putin, zoti Biden refuzoi të përgjigjet.

Leave A Reply

Your email address will not be published.