A mundet artileria perëndimore ta ndalë përparimin rus në Donbas?

0 27

Në javët e fundit, forcat ruse ngadalë kanë zgjeruar kontrollin e territorit në Donbas, duke goditur forcat mbrojtëse ukrainase me artileri dhe duke i shndërruar fshatrat dhe qytetet në gërmadha.

Ngecjet e ushtrisë ukrainase në lindje janë në kontrast me rrjedhën e luftës në javët e para pasi Rusia nisi pushtimin më 24 shkurt. Në atë kohë, forcat e Kievit sulmuan vazhdimisht forcat ruse dhe i larguan nga kryeqyteti dhe qytetet e tjera kyçe, duke shkatërruar tanket ruse armë kundër mjeteve të blinduara.

Që atëherë, Rusia ka përqendruar forcat e saj në lindje në një luftë me artileri të shkallës së gjerë që ngjason me betejat e Luftës së Dytë Botërore. Ekspertët thanë se Moska shpreson të përfitojë nga avantazhi që ka sa i përket numrit më të madh të ushtarëve dhe armëve, diçka që është e dukshme, pasi forcat e Moskës i kanë bombarduar pa ndalur forcat ukrainase në Donbas në ditët e fundit.

Tani Perëndimi po ndërmerr hapa për të armatosur Ukrainën për një realitet të ri të luftës para se të jetë vonë. Më 1 qershor administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, njoftoi për pakon e re të ndihmës ushtarake në vlerë prej 700 milionë dollarësh që përfshin sisteme të fuqishme raketore me lëvizshmëri të lartë, apo HIMARS, që janë të afta për t’i shkatërruar forcat armike nga distanca të largëta.

Duke e krahasuar luftën me artileri në Donbas me dy boksierë brenda një ringu, një zyrtar i NATO-s, që foli në kushte anonimiteti, tha më 30 maj se rezultati do të varet nga “kush ka më shumë municione artilerie, kush ka më shumë raketa, kush ka më shumë njerëz që realisht mund t’i dërgojnë në beteja për të luftuar”.

Me Rusinë që është afër marrjes së plotë të Luhanskut, një prej dy provincave që e përbëjnë Donbasin, Perëndimi po shpreson të ndryshojë rrjedhën e luftimeve. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka vënë prioritet kryesor marrjen e Donbasit.

Sipas Shteteve të Bashkuara, Rusia aktualisht ka afër 110 grupe të batalioneve taktike (BTG) në Ukrainë. Çdo grup ka gjashtë deri në tetë pjesë të artilerisë sikurse obusë apo raketahedhës, tha për Radion Evropa e Lirë, Mark Cancian, një kolonel në pension i marinës amerikane, që aktualisht shërben si këshilltar në Qendrën për Strategji dhe Studime Ndërkombëtare në Uashington, që sipas këtij vlerësimi, i bie që në total afërisht shumica e 900 grupeve janë të përqendruara në Donbas.

Wesley Clark, që ka qenë komandant i NATO-s në Evropë në periudhën 1997-2000, paralajmëroi javën e kaluar se forcat ukrainase kanë mungesë të artilerisë për të luftuar në mënyrë efektive dhe se ndihma ushtarake perëndimore deri më tani ishte “e pamjaftueshme”për t’i dëbuar nga shteti forcat ruse.

“Ukraina duhet të përforcohet edhe më tej. Ka kapacitete luftuese dhe vendosmëri për t’i dëbuar rusët, por nuk ka mjete”, tha ai gjatë një interviste dhënë Radios Evropa e Lirë më 27 maj.

“Kjo është një luftë që mund të humbet”, shtoi ai.

Industria ushtarake e Ukrainës është gjymtuar pjesërisht nga sulmet me raketa, qëkur Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë, duke minuar aftësitë e saj mbrojtëse.

Dhe, ushtria ukrainase po ashtu ka mungesë të municionit për artilerinë e saj, që është e modelit sovjetik, përfshirë edhe obusët 152-milimetërsh, gjë që minon aftësinë e saj për të shkatërruar armët ruse.

Në aspektin global, furnizuesit më të mëdhenj të municioneve të tilla janë Rusia dhe Kina, tha Cancian.

“Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nëpër botë municion të standardit sovjetik në mënyrë që më pas t’ua japin ukrainasve. Dhe, dyshimi im është se nuk ka shumë vende që do të na shesin neve këto lloje municionesh”, tha ai.

Lëvizje provokuese?

Për javë të tëra, derisa ushtarët ngadalë janë zmbrapsur nga disa pozicione në Donbas, Ukraina u ka kërkuar shteteve Perëndimore për ndihmë më të madhe ushtarake, përfshirë obusë dhe raketahedhës me qëllim që të shkatërrojë artilerinë ruse.

Në një shkrim për The New York Times, presidenti amerikan, Joe Biden, shkroi se administrata e tij ishte pajtuar që t’u ofronte forcave ukrainase “më shumë sisteme të avancuara raketash dhe municione, që do t’u lejojnë atyre të kryejnë sulme më precize ndaj caqeve kyçe në fushëbetejën në Ukrainë”.

Megjithatë, ai shtoi se Shtetet e Bashkuara “nuk po e inkurajojnë apo nuk po i mundësojnë Ukrainës që të godasë përtej kufijve të saj”.

Shtetet e Bashkuara kanë hezituar që t’i japin Ukrainës artileri të tillë të rëndë pas shqetësimeve se kjo mund të provokojë Rusinë, thanë analistët.

Disa analistë thanë se debati i brendshëm në administratë për furnizimet me armë i ka humbur kohë të çmuar Ukrainës.

“Të gjitha vendimet tona kanë qenë të vonuara”, tha për Radion Evropa e Lirë, Ben Hodges, ish-komandanti i ushtrisë amerikane në Evropë.

“Administrata ka ekzagjeruar lidhur me shqetësimin se çfarëdo që ne mund të bëjmë mund të provokojë rusët. Ata nuk kanë nevojë për provokim. Ata sulmojnë pa provokim”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

“Ne humbëm javë kur [sistemet raketore] do të mund të dërgoheshin”, shtoi Hodges, i cili tani është analist për Qendrën për Analiza të Politikave Evropiane, me seli në SHBA.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një adresim drejtuar kombit më 30 maj tha se situata në Donbas ishte “jashtëzakonisht e vështirë” dhe shtoi se Rusia ka përqendruar “fuqinë maksimale luftarake” të saj në këtë rajon.

Më herët gjatë majit, ai tha se sulmet ruse po vrisnin nga 50 deri në 100 ushtarë ukrainas në ditë.

Bombardimet intensive kanë vënë nën presion të madh linjat e furnizimit të Ukrainës, duke e bërë të vështirë që armët perëndimore të arrijnë me shpejtësi tek ushtarët në vijat e frontit, thanë analistët.

Ndihma ushtarake perëndimore që është sjellë në Ukrainë nga Polonia përmes trenit, më pas është transportuar deri në vijat e frontit me kamionë. Rusia po kërkon që të ndërpresë linja të tilla transportuese për në Donbas.

Hodges tha se forcat ukrainase do të përballen me “disa javë mjaft të rënda” përpara se të nisin të ndiejnë “efektet pozitive” nga artileritë e SHBA-së dhe shteteve të tjera perëndimore.

Clark tha se sheh një dritare dymujore duke filluar nga korriku që forcat ukrainase t’i largojnë rusët nga Donbasi, nëse ata pranojnë artileri të mjaftueshme.

Deri atëherë, toka do të thahet, duke bërë që të jetë më e lehtë për të kryer sulme, ndërkaq Rusia do të duhet të mobilizojë më shumë forca, tha ai.

Menyja e armëve

SHBA-ja nisi të dërgojë artileri të rëndë në Ukrainë në muajin prill, përfshirë edhe obusët e fuqishëm M777, të cilët mund të godasin objektiva deri në 40 kilometra larg.

Më 26 maj, një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Mbrojtjes tha se në Ukrainë janë dërguar 85 obusë M777 si dhe 190,000 predha që përdoren në këto sisteme armësh.

Administrata Biden ka premtuar se do të dërgojë në total 108 obusë M777 dhe 209,000 predha edhe pse kjo sasi armësh mund të rritet teksa lufta vazhdon.

Obusët mund të hedhin predha me kalibra të ndryshëm, përfshirë edhe ato 155-milimetërshe, por edhe predha të komanduara. Sipas Cancian, këto lloje armësh mund “ta ndryshojnë ” luftën në Donbas, pasi iu mundësojnë ukrainasve potencial më të madh për të goditur dhe shkatërruar artilerinë ruse.

Është e paqartë se sa predha të komanduara për obusët M777 ka pranuar Ukraina.

Cancian tha se ushtarëve u duhen trajnime për të operuar dhe mirëmbajtur këta obusë, duke thënë se kjo mund të ngadalësojë dislokimin e shpejtë të këtyre armëve në vijat e frontit.

SHBA-ja ka trajnuar mbi 400 persona për të operuar obusët M777 dhe 50 të tjerë janë trajnuar se si t’i mirëmbajnë të njëjtit, tha një zyrtar amerikan. Për të operuar një obusë M77 kërkohen tetë ushtarë.

HIMARS, që janë miratuar për dërgim në Ukrainë, janë po aq shkatërrues.

Glen oward, ekspert ushtarak dhe president i Fondacionit Jamestown, tha se HIMARS-ët mund të “bëjnë shkrumb e hi” zonën ku forcat armike mblidhen për të kryer një sulm.

“Ata thjesht bombardojnë rëndë”, tha ai.

Sistemet HIMARS përbëhen nga gjashtë grupe raketahedhësish që lëshohen nga një kamion. Për dallim nga obusët që mund të qëllojnë pandërprerë, HIMARS i duhet afër 5 minuta për të kryer një sulm të ri.

Por, sipas Cancian, HIMARS dhe obusët “plotësojnë njëri-tjetrin”.

“Nëse dëshironi të shkatërroni një objektiv që gjendet larg, [HIMARS] janë të shkëlqyeshëm. Në anën tjetër, nëse dëshironi të qëlloni pandërprerë ndaj pozicionit të armikut ose tentoni të shkatërroni ata me shumë municion, obusët janë të mirë”, tha ai.

SHBA-ja ka autorizuar dërgimin e katër HIMARS së bashku me raketa që janë të afta të lumturojnë deri në 70 kilometra, tha Colin Kahl, nënsekretari i Mbrojtjes për Politika. SHBA-ja mund të dërgojë edhe HIMARS të tjerë në Ukrainë nëse është e nevojshme, por trupat fillimisht duhet të mësohen si t’i përdorin, një proces që mund të marrë tre javë, shtoi ai.

Kahl paralajmëroi se HIMARS nuk do ta fitojnë luftën, duke thënë se “asnjë sistem nuk do ta ndryshojë rrjedhën e luftës. Ky është një konflikt i rëndë”.

Sistemet HIMARS mund të lëshojnë raketa deri në 300 kilometra, por dërgesa e raketave me rreze të gjatë veprimi do të shkelte vendimin e Bidenit që të mos e inkurajojë Ukrainën që të kryejë sulme brenda Rusisë.

“Ekipi i Bidenit është i obsesionuar me këtë, pasi mund të nënkuptojë përshkallëzim”, tha Howrad, duke folur për mosdërgimin e sistemeve të raketave me rreze të gjatë veprimi. “Prandaj dërgesa [e obusëve M777] u dërgua ngadalë”.

Howrad sugjeroi se HIMARS, së bashku edhe me raketat e reja perëndimore kundër anijeve ka mundësi që të pengojnë Rusinë që të sulmojë anijet që eksportojnë drithëra nga portet ukrainase në Detin e Zi.

Rusia aktualisht po bllokon portet ukrainase, duke bërë që të rritet çmimi i drithërave dhe duke rritur shqetësimet për një uri globale.

Luftanijet dhe nëndetëset ruse po patrullojnë ujërat midis Krimesë dhe Ishullit të Gjarprit, që është një ishull i vogël vetëm 48 kilometra larg nga bregu i Ukrainës.

Danimarka së fundmi ka dërguar në Ukrainë sisteme kundër anijeve Harpoon, në mënyrë që të rritet fuqia e Ukrainës.

Ukraina në prill tha se fundosi luftanijen Moskva, që ishte pjesë e Flotës ruse në Detin e Zi.

Rusia, që më herët ka marrë kontrollin e Ishullit të Gjarprit, po përdor sistemet ajrore dhe raketore nga ky vend për të tentuar që ta mbajë kontrollin e këtij ishulli strategjik.

Përderisa raketat HIMARS të miratuara nga administrata Biden nuk mund të arrijnë artilerinë ruse në Krime, ato mund të arrijnë në Ishullin e Gjarprit.

Është e paqartë nëse Ukraina do të dislokojë sistemet HIMARS përgjatë bregdetit të Detit të Zi.

Burimi: REL

Leave A Reply

Your email address will not be published.