Aeroporti i Vlorës sjell dëme katastrofike për ekosistemin, shpendët do largohen

0 43

Ndërtimi i aeroportit të Vlorës, u pa si risi në vend, por ka rënë ndesh me 37 organizata në mbrojtje të mjedisit. Kjo për arsyen se zona ku do të ndërtohet aeroporti, në Nartë konsiderohet zonë e mbrojtur.

Duke folur në një lidhje Skype për emisionin “Zona Zero” në Top News, ekspertët mjedisorë Aleksandër Trajçe dhe Rodjon Gjoka, thanë se ndërtimi i aeroportit do të ketë pasoja katastrofike për ekosistemin.

“Laguna e Nartës ka rëndësi të jashtëzakonshme për sa i përket shpendëve, që çlodhen aty gjatë migrimit të tyre. Është zonë e rëndësishme globale për shpendin, nuk është e rëndësishme vetëm për Shqipërinë, por në nivel global.

Se aty nuk janë vetëm shpendë të Shqipërisë, janë shpendë që vijnë deri nga Siberia e largët. Një ndalesë e tyre për çlodhje është Narta, janë autostrada ndalimi e pushimi. Imagjino të ndërtosh një infrastrukturë të tillë me lëvizje prej 30-40 avionësh të ditë, që ndërpret këtë migrim të shpendëve. Kemi pelikanët, flamingot e famshëm, vetë Kryeministri ynë krenohet me këtë pasuri në këtë zonë. Imagjinoni tani këta shpendë që përballen me avionët, kush është rezultati? Ndërpritet një rrugë për shpendët që e kanë përdorur për miliona vjet. Po ndërtojmë ndoshta në zonën më të gabuar. Ata vijnë me argumentin e vetëm se aty ka pasur një pistë fluturimi stërvitore. Nuk krahasohet me atë çfarë planifikojnë dhe dëmin që do sjellin në këtë zonë,” tha Trajçe.

I pyetur nga gazetari Thimi Samarxhiu nëse ka pikë kthese edhe pse punimet kanë nisur, Rodjon Gjoka tha se “komuniteti vendimmarrës t’i vërë gishtin kokës para se të humbim habitate me rëndësi të madhe”.

“Shqetësimi nuk është vetëm aeroporti, por edhe infrastruktura pritëse që do të shoqërojë aeroportin në atë zonë. Organizatat janë kundër ndërtimit të aeroportit në këtë zonë të mbrojtur. Ne i japim zë ekosistemit të kafshëve që nuk kanë zë. Banorët e Nartës janë pro se thonë që do zhvillohet zona. Shpresoj që komuniteti vendimmarrës t’i vërë gishtin kokës para se të humbim habitate me rëndësi të madhe. Nuk do t’i ripërtërojmë kurrë këto dëme,” tha Gjoka.

Leave A Reply

Your email address will not be published.