Aksidentet/Eksperti: Policia nuk u bën analizat e gjakut shoferëve, fajin jo sinjalistika

0 317

Viti nisi me një bilanc tragjik sa i takon aksidenteve, ku janë shënuar 4 viktima në 8 ngjarje rrugore. Shkak është bërë shkelja e rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve kryesisht tejkalimi i shpejtësisë dhe parakalimet e gabuara. Eksperti rrugor Gëzim Hoxha tha për ”Euronews Albania”, se ka një sërë problemesh, por sipas tij një defekt serioz i policë së shtetit është që nuk u bën analizat e gjakut personave të përfshirë në aksident, duke u mjaftuar vetëm me sistemin drager për të parë nivelin e alkoolit të konsumuar prej tyre.

“Kjo situatë kërkon kujdes të gjithanshëm, nuk mjaftohet vetëm me përgjegjësinë personale të një individi. Shtimi i numrit të efektivëve në rrugë s’ka ndonjë lloj roli, sepse policia jonë nuk është kaq shumë sa të vendosë një polic për çdo drejtues mjeti, por janë të gjithë mekanizmat që duhet të funksionojnë, që nga kontrolli teknik i mjekeve e deri tek gjendja e drejtuesit te mjetit”, tha Hoxha.

I pyetur lidhur me faktin nëse sinjalistika rrugore mund të jetë një nga arsyet e aksidenteve të rritje, eksperti rrugor tha se fajin nuk e ka sinjalistika, që në rastin e vendit tonë sipas tij është e pranueshme, teksa shtoi se mungojnë studime se cili është shkaku determinat i aksidenteve, që nga gjendja e drejtuesit të mjetit e deri tek gjendja teknik e mjetit. Ai ngriti shqetësimin se policia rrugore nuk është duke bërë detyrën siç duhet në rastin e dokumentimit të këtyre aksidenteve, duke mos e hetuar siç duhet gjendjen e drejtuesit të mjetit që e ka shkaktuar aksidentin.

”Nuk na e ka fajin sinjalistika, policia të mos u fusë tubin shoferëve, por t’u bëjë analiza gjaku. Rrugët tona përgjithësisht janë me standarde të pranueshme, në asnjë vend të botës, përjashto Belgjikë ku mbreti i Belgjikës i ka bërë me shpenzimet e tij autostradat të ndriçuara, vende e tjera nuk kanë autostrada të ndriçuara, pasi vetë automjeti ka sistem ndriçimi. Nuk na shkaktojnë aksident makinat që udhëtojnë në mal apo fshat, por në autostradë që është me standarde dhe sinjalistikë të pranueshme. Sigurisht ka vende ku sinjalistika mungon ose ne vetë i prishim. Ne na mungojnë studime se cili është shkaku determinat i aksidenteve, që nga gjendja e drejtuesit të mjetit e deri tek gjendja teknike e mjetit. Policia duhet t’i vendosë jo tubin atyre që shkaktojnë aksidente por t’i çojë në spital dhe t’u bëjë analizën e gjakut këtyre drejtuesve të mjeteve. Ky është një korrupsion shumë i madh se polici kur nuk e bën këtë, loz me qytetarin, sepse kur qytetari është shkak i aksidentit i bie të paguajë dëmin ekonomik, s’e paguan më kompania e sigurimit, por qytetari. Duhet bërë një studim lidhur me këtë, por policia i mbyll të dy veshët kur flitet për këtë problem”, tha eksperti rrugor.

Leave A Reply

Your email address will not be published.