Akuza e Berishës: Rama në Prishtinë më 1 korrik si misionar i Beogradit!

0 354

Nga: Sali Berisha

Miq, mediat njoftojnë se Esad Toptani i ri, duke shfrytëzuar situatën pas aktakuzës së prokurorisë së Gjykatës Speciale të Hagës ndaj Presidentit të Kosovës dhe kryetarit të PDK, zotërinjve Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, do shkojë më datë 1 korrik në një vizitë blic në Prishtinë, për t’i ulur në një tryezë të përbashkët apo qoftë dhe për t’i takuar veçmas të gjithë liderët e Kosovës dhe për të paraqitur veten kështu para botës ashtu siç do dhe Beogradi, si patron apo “big brother” i tyre. Ky akt në vetvete është një sulm i ri në një ditë të vështirë ndaj Kosovës. Miq, Edi Rama shkon në Prishtinë si një provokator sepse vetë ai është sot pas Enver Hoxhës sinonimi më i shëmtuar i përçarjes kombëtare.

Për kujtesë:

1-Edi Rama në shtator të vitit 2013, ende pa marrë votëbesimin në parlament dhe pa bërë betimin si kryeministër, shkon fluturimthi në Prishtinë dhe në fjalën e tij përçarëse në parlamentin e Kosovës detyroi të braktisin sallën e tij deputetët e LDK, partisë politike që themeloi shtetin e Kosovës.

2-Edi Rama gjatë këtyre 7 viteve ka ofenduar dhe sharë me gjuhën e një halabaku ordiner pothuaj çdo udhëheqës politik të Kosovës për motivin e vetëm se ata nuk kanë pranuar të mbështesin shërbesat e tij ndaj Beogradit ose kanë reaguar ndaj deklaratave të tij kundër Kosovës dhe qëndrimeve të lidershipit të saj.

3-Ai është njeriu që për llogari të Beogradit ndezi në mënyrë të pabesueshme midis Tiranës dhe Prishtinës luftën e ftohtë për t’i dhënë mundësi padronit të tij që liderët dhe shqiptarët e Kosovës t’i paraqesë si “shqiptarci” të ligj, si njerëz që kanë zbritur nga mali dhe që janë “dru me pre” në kontrast me “albanci” të mirë të Tiranës, me të cilët “nema problema” dhe se me ta mirëkuptohemi mirë e bukur.

4-Edi Rama apo Zografi Bis është kryeministri i vetëm në botë që ka ngritur padi në gjykatë kundër kryeministrit të një vendi tjetër siç ka bërë ai kundër ish-kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj.

5-Edi Rama alias Esad Toptani i Ri është njeriu që promovoi së bashku me Miladinin shqipfoles dhe Baton Stanishiqin, madje duke e paraqitur edhe si të tyre, projektin e Vuçiçit për Serbinë e Madhe me “shkëmbim territoresh”, vetëkuptohet sipas rregullit të ujkut dhe qingjit.

6-Edi Rama pas dështimit të turpshëm historik në Samitin e Berlinit të projektit të Serbisë së Madhe “me shkëmbim territoresh”, de fakto ndarje të Kosovës, me urdhër të padronit të tij do firmoste projektin e ri të Serbisë së Madhe, traktatin famëzi të Novi Sadit me 720 nene, me të cilin Aleksandër Vuçiç fshinte nga harta republikën e Kosovës dhe perfshinte Shqipërinë si një republikë të re të Mini apo Jugosllavisë së re.

7-Ai edhe para firmosjes së traktatit famëzi të Novisadit është njeriu që fliste për autostradën Nish-Durrës sikur Prishtina nuk ekziston si epiqendra e këtij aksi që tejshkon Kosovën nga kufiri me Shqipërinë në kufirin me Serbinë.

Këtë “harresë” të qëllimshme e bënte sepse ia kërkonte padroni i tij Vuçiç për të cilin Prishtina nuk ekzistonte si kryeqytet i një vendi të pavarur.

8-Pas firmosjes se traktatit antikombëtar të Novisadit, Zografi bis së bashku me padronin e tij pozoi dhe vendosi në FB e tij, por edhe në tekste shkollore për promovim hartën e Mini Jugosllavisë de fakto Serbisë së Madhe, në të cilën Kosova nuk ekzistonte si shtet i pavarur.

9-Për të shitur projektin e ri të Serbisë së Madhe, Vuçiç me Edi Ramën organizuan në Tiranë samitin antishqiptar të nismës së Mini Jugosllavisë, në të cilën shndërruan Tiranën në kryeqytetin e sulmeve më të egra kundër Prishtinës.

Tani që është diskretituar përfundimisht para botës, por ”shyqyr që ra ky mort e u pamë”, ai me vizitën e tij blic në Prishtinë përsëri në dëm absolut të Kosovës, kërkon të paraqitet si “big brother” për interesa të Vuçiç dhe për Perëndimin si njeriu që “lëviz telat në Prishtinë”. Në të dy rastet ai synon të dëmtojë rëndë Kosovën, përfaqësimin e saj ndërkombëtar si shtet i pavarur. Miq, meqë Edi Ramës këto kohët e fundit i kanë hyrë në shpirt fantazmat e tragjedive të Shekspirit, po i rikujtoj me këtë rast dy vargje të gjeniut të pavdekshëm që i përshtaten plotësisht vizitës së tij blic në Prishtinë “ti shpirt katran, shpirt i mekatës ç’tu desh që erdhe në mes të natës”. Dua t’i them me këtë presidentit të serbomadhisë, Aleksandër Vuçiç, se loja jote me argatë shqipfolës si Zografi Bis, Miladini shqipfolës dhe Baton Stanishiqi është lojë e rrezikshme, por kryekëput e dështuar. Sikundër dua t’i përsëris edhe njëherë Esad Toptanit të ri se për aktet e tradhtisë së lartë kombëtare, qëndrimet armiqësore ndaj Kosovës dhe kombit shqiptar, të pret fundi i tmerrshëm që historia u rezervon tradhtarëve të kombit.

Leave A Reply

Your email address will not be published.