Alarmi i mjekëve, të infektuarit po thyejnë karantinën

0 76

Në një kohë që kurba e pandemisë së Covid-19 në vendin tonë vetëm rritet, personat e konfirmuar me virusin po shkelin karantinën duke rrezikuar përhapjen e infeksionit në popullatë. Alarmi vjen nga mjekët të cilët kanë konstatuar se të prekurit nga koronavirusi po lëvizin lirshëm në rrugë, në qendra tregtare madje shkojnë edhe në spital pa treguar se janë të infektuar.

“Në periudhën pas hapjes së masave shtrënguese po vihet re një fenomen i shëmtuar, që shumë persona që me plot gojë mund t’u themi të pandërgjegjshëm, dalin nga karantina, shkrihen mes turmës, dalin nëpër qendra tregtare, marrin pjesë në aktivitete të ndryshme. Këta janë faktor i madh risku. Më e keqja është se këta vijnë në spital pa treguar që janë persona të karantinuar. Pavarësisht se kemi marrë masat tona, shpeshherë vijnë dhe nga rrethet dhe nga rruga dhe simulojnë gjendje të ndërlikuara”, thotë Arjana Strakosha, nëndrejtoresha e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”.

Ajo thotë se të konfirmuarit me Covid-19 nuk duhet të dalin nga shtëpia për dy deri tri javë dhe vetëm pasi testi i tamponit të ketë dalë negativ. Vetëm në raste të veçanta nëse ka rëndim të gjendjes shëndetësore ai duhet të shkojë në spital, me maskë, doreza dhe të tregojë për infektimin nga virusi.

Edhe pse Policia e Shtetit po bashkëpunon me Ministrinë e Shëndetësisë për verifikimin e personave që janë në karantinë për shkak të infektimit, mjekja Strakosha thotë se kjo nuk mund të bëhet vetëm me polici. Sipas saj, qytetarët duhet të ndërgjegjësohen për të mos përhapur infeksionin. Ndërkohë, me ndryshimet e reja në ligjin për sëmundjet infektive, shkelja e karantinës nga personat e konfirmuar apo që u është njoftuar izolimi, dënohet me 2 deri 3 vite burg.

Leave A Reply

Your email address will not be published.