Alibeaj në sfidën e numrave, a i mbledh dot 20 firma brenda PD-së për presidentin e ri

0 30

Pasi arriti një marrëveshje me Taulant Ballën, që në dy raundet e ardhshme kandidatët për presdident do të propozohen nga opozita, Enkelejd Alibeaj është sot në provën e legjitimitetit të tij, si i vetëshpallur kryetar i komanduar i PD-së, në një kohë që fati i kësaj të fundit zvarritet gjykatave.

Alibeajt i duhen firmat e 20 deputetëve për të dorëzuar zyrtarisht kandidatin për president në zyrat e Kuvendit, të cilat sot mbetet t’i provojë nëse i ka, në një kohë kur Komisioni i Rithemelimit, e ka bërë të qartë se procesi i zgjedhjes së presidentin në optikën e tyre është një farsë.

Përmes një mesazhi, Alibeaj ftoi dje të gjithë deputetët në një mbledhje të grupit parlamentar që do të mbahet në mesditë në selinë blu, ku dhe do të diskutohen emrat e mundshëm që do të propozohen për president nga radhët e opozitës.

Përveç 15 deputetëve që janë zyrtarisht pjesë e Komisionit të Rithemelimit në PD, shumë ligjvënës të tjerë kanë preferuar që të qendrojnë në mes në debatin brenda partisë, duke mos qenë pjesë e grupimeve.

Këtu mund të përmendim Ervin Salianjin, Grida Dumën, Tomorr Alizotin apo Helidon Bushatin, të cilët edhe sot do të tregojnë qëndrimin e tyre, nëse duan apo jo që PD të bëhet pjesë e procesit për zgjedhjen e presidentit.

Përfaqësues të tjerë të opozitës, si Fatmir Mediu apo Agron Duka, hodhën dje një hap edhe më përpara se Alibeaj, duke dhënë një emër konkret që sipas tyre do të ishte e udhës të ishte në krye të shtetit, atë të Dashamir Shehit.

Po mazhoranca ka vënë kusht që kandidati të mos jetë pjesë e politikës aktive. Opozita ka kohë deri të dielën pasdite për të dhënë kandidatët për president, të cilët do të kalojnë në votim gjatë raundit të dytë, që do të mbahet të hënën.

Leave A Reply

Your email address will not be published.