Ambasada e SHBA-Ramës: Po e përsërisim, presim që të mbani fjalën

0 23

Ambasada e SHBA ka reaguar për votimin e njëanshëm të ndryshimeve kushtetuese nga qeveria “Rama”. Në deklaratën e Ambasadës theksohet se “ndërsa ky veprim ishte në kompetencën e Parlamentit, është për të ardhur keq që nuk u mor në të njëjtin frymë me të cilën u arrit marrëveshja e 5 qershorit”.

Në deklaratën e Ambasadës ka dhe një replikë të drejtpërdrejtë me kryeministrin Edi Rama, i cili sot sulmoi ambasadoren Yuri Kim për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë. Ambasada thekson edhe njëherë mesazhin që kishte shqetësuar Edi Ramën për qëndrimet e diplomatëve në Tiranë.

“Përsërisim, se ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre. Ashtu siç vepruan në arritjen e marrëveshjes së 5 qershorit, udhëheqësit shqiptarë duhet të tregojnë gatishmërinë dhe aftësinë e tyre për të negociuar marrëveshje që vënë në radhë të parë interesat më të mira të popullit shqiptar”,- thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA.

Deklarata e plotë e Ambasadës së SHBA:

“Më 23 korrik, Parlamenti miratoi legjislacionin për të kodifikuar marrëveshjen e 5 qershorit për reformën zgjedhore, e cila u arrit në një mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse përmes Këshillit Politik. Sot, Parlamenti miratoi ndryshime në Kushtetutë që do të mundësojnë masa shtesë për reformën zgjedhore. Ndërsa ky veprim ishte në kompetencën e Parlamentit, është për të ardhur keq që nuk u mor në të njëjtin frymë me të cilën u arrit marrëveshja e 5 qershorit. Ne i kujtojmë shumicës deklaratat e saj se, megjithë miratimin e sotëm në Parlament, ata synojnë të angazhohen me të gjithë partitë në Këshillin Politik, në mirëbesim dhe me qëllimin për të arritur në marrëveshje për zbatimin e legjislacionit mbi listat e hapura dhe koalicionet. Ne e kuptojmë zhgënjimin e Opozitës së Bashkuar, ndërsa mirëpresim vendosmërinë e tyre për të mbetur të angazhuar në institucione dhe procese demokratike, përfshirë Këshillin Politik, në mënyrë që të dëgjohen zërat e të gjithë shqiptarëve. Përsërisim, se ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre. Ashtu siç vepruan në arritjen e marrëveshjes së 5 qershorit, udhëheqësit shqiptarë duhet të tregojnë gatishmërinë dhe aftësinë e tyre për të negociuar marrëveshje që vënë në radhë të parë interesat më të mira të popullit shqiptar”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.