Ambasadorja Kim takon Ramën pak ditë para vizitës së tij në SHBA

0 249

Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, është takuar sot me kryeministrin Edi Rama, pak ditë përpara vizitës së këtij të fundit në Uashington.

Ambasada Amerikane në një njoftim, thotë se ambasadorja Kim ka përshëndetur në këtë takim “mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën përballë Rusisë”.

Mes të tjerash, Kim ka theksuar se lufta kundër korrupsionit është prioritet kryesor për Shtetet e Bashkuara.

“Ambasadorja Kim u takua sot me kryeministrin Rama përpara vizitës së tij në Uashington DC. Ajo përshëndeti mbështetjen e fortë dhe parimore të Shqipërisë për Ukrainën përballë agresionit rus, qoftë si aleate e NATO-s ashtu edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku SHBA-të janë krenare që do të punojnë me Shqipërinë si ‘bashkë-penëmbajtëse’ për Këshillin në çështjet e Ukrainës. Ambasadorja Kim nënvizoi se lufta kundër korrupsionit është prioritet kryesor për Shtetet e Bashkuara, duke vërejtur se barra e përgjegjësisë është natyrshëm më e madhe mbi ata që qeverisin. Ata biseduan gjithashtu mbi rëndësinë e forcimit të institucioneve demokratike, përparimin historik në forcimin e marrëdhënies sonë në mbrojtje, dhe hapat e mëtejshëm për të rritur tregtinë dhe investimet midis SHBA-së dhe Shqipërisë.”- thuhet në njoftimin e ambasadës.

Kujtojmë që kryeministri Rama do të udhëtojë drejt SHBA-ve më 15 shkurt.

Leave A Reply

Your email address will not be published.