ANALIZA/ 45 ndeshje në 202 ditë, bojkoti rrezikon futbollin në Shqipëri

0 334

Kampionati në Shqipëri është në rrezik të madh për të dështuar këtë sezon. Zgjatja e bojkotit me dy muaj, ka vendosur në dyshim të madh përfundimin e këtij sezoni në elitën e futbollit shqiptarë, edhe pse Liga e Futbollit beson se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Presidenti i Ligës Profesioniste, Edvin Libohova theksoi se për zgjidhjen e ngërçit që zgjat prej 2 muajsh i është dhënë kohë qeverisë deri ditën e enjte për një përgjigje lidhur me 4 kërkesat dhe plotësimin e tyre, ndërsa ditën e premte do të ketë një tjetër mbledhje të Ligës për marrjen e një vendimi përfundimtar.

“Ne do të presim deri ditën e enjte nëse do të kemi një përgjigje nga qeveria. Më pas do mblidhemi për të vendosur për bojkotin. Po i lëmë një afat tjetër, për të pasur një përgjigje dhe më pas do mblidhemi për të marrë vendimin përfundimtar. Nuk e dimë pse ende nuk ka ardhur një përgjigje përfundimtar. Nuk ka një ngërç. Nëse nuk vjen deri ditën e enjte, do mblidhte Liga ditën e premte dhe më pas do vendosim. Nuk kemi detaje se çfarë diskutoi Duka me Ramën, takimi ishte pozitiv, por nuk kemi detaje”, deklaroi Libohova.

Por a rrezikohet seriozisht ky sezon në Kategorinë Superiore?

Për t’ju përgjigjur më saktë kësaj pyetje kemi marrë në konsideratë fundin e sezoneve të kampionateve në Europë, që daton në fund të muaji maj për shkak të Europianit që do të luhet këtë verë. Seria A, për shembull do të mbyllet më 23 maj.

Në mënyrë hipotetike hamendësojmë që kampionati në vendin tonë të mbyllet një javë më pas. Në dispozicion mbeten vetëm 29 fundjava deri në fund, duke marrë në konsideratë edhe faktin që do të ketë dy pauza nga Kombëtaret më 14 nëntor dhe 28 mars. Nëse gjithçka do të shkojë në rrugën e duhur dhe futbolli do të nisë që këtë fundjavë, i bie që skuadrat shqiptare të luajnë çdo katër ditë, pa pasur asnjë javë pushim, madje as për Vitin e Ri.

Sezonin e kaluar, Tirana që i shkoi deri në fund edhe Kupë së Shqipërisë luajti në total 45 ndeshje. Në 202 ditë që janë në dispozicion për ekipet shqiptare, do të jetë një sforcim i jashtëzakonshëm për futbollistët që duhet të luajnë çdo 96 orë. Edhe pse kërkesat e Ligës Profesioniste që mbron të drejtat e klubeve tona, në dukje janë të drejta, futbolli në vendin tonë merr një goditje të rëndë. Në analizë morëm parasysh faktin ku çdo gjë shkon “vaj”, pasi në rast të një tjetër “lockdwn” për shkak të pandemisë së Covid-19, atëherë duhet të fillohet që të mendohet për një tjetër rrugë për të shpëtuar futbollin tonë.

Vetëm një ndryshim i strukturës së kampionatit, reduktimi i fazave mund të ishte zgjidhja e vetme. Futbollistët kanë mbetur peng, pasi prej disa javësh janë të detyruar që të luajnë miqësore, ndërkohë që problemet me pagat vijojnë të jenë të shumta. Të premten pritet të mësohet më shumë për vijimin e futbollit në vendin tonë, që këtë herë rrezikon një kolaps të madh. Një gjë e tillë do të sillte edhe përjashtimin nga kompeticionet europiane, që do të ishte goditja e fundit nga burimi i vetëm i të ardhurave për ekipet e mëdha.

/Koha Jonë-Rozalb Lika/

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.