Analizë nga Luan Rama: Vret Politika, jo Policia

0 361

Nga: Luana Rama, zv/kryetar i LSI-së dhe ish-ministër i Brendshëm

Që prej viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar e sidomos prej viteve 1996-1997, Policia e Shtetit nuk ka qenë ndonjëherë më e armiqësuar se sot në marrdhënien e vet me qytetarin. Profili i saj si organizatë e shërbimit qytetar të garantimit të rendit e sigurisë publike është rrëgjuar e gradualisht ka degraduar, duke u shfaqur në trajtën e disa njësive militare të dhunëshme e me performancë dukshëm armiqësore ndaj qytetarit. Të drejtuar prej militantësh që të vetmen “meritë” kanë lidhjen me partinë, ata yshten edhe duke u mikluar për karrierë prej modelit të shefit të tyre.

Të pakulturuar profesionalisht e psikologjikisht, ata kanë si të vetmen mënyrë të shfaqjes së tyre në publik agresivitetin, arrogancën, arbitraritetin dhe dhunën. Njësoj si Kryeministri që agresivitetin, arrogancën, arbitraritetin dhe dhunën i ka si të vetmet ngjyresa të artikulimit dhe shfaqjes së vet para qytetarëve, edhe atëherë kur detyra ia do të bëjë politikë e të shfaqë maturi dhe përgjegjshmëri.

Pavarësisht se këto njësi militare janë një pjesë e vogël e efektivit të Policisë së Shtetit, prej akteve të tyre të dhunëshme e kriminale, të inspiruara e frymëzuara prej rrekjes së pështirë të disa drejtuesve me synim që të fitojnë dashurinë e Kryeministrit, sot padrejtësisht është vënë nën akuzë Policia e Shtetit, ç’ka është në fakt dëmi më i madh që i ka shkaktuar asaj përdorimi e shpërdorimi politik.

Dhuna si qasje e veprimit policor, nuk ka lidhje me policinë si institucion dhe as me policimin në komunitet si dominancë apo si prioritet i shërbimit të saj.  Sepse dhuna është paligjshmëri. Dhe paligjshmëria çon në dhunë dhe në krim. Që në nenin 5 të ligjit “Për Policinë e Shtetit” sanksionohet se: “Parimet bazë, në bazë të të cilave udhëhiqet Policia e Shtetit në veprimtarinë e saj, janë:

a) ligjshmëria;
b) mosdiskriminimi;
c) respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut;
ç) proporcionaliteti;
d) pavarësia operacionale;
dh) paanshmëria politike;
e) integriteti, merita dhe profesionalizmi;
ë) transparenca;
f) ruajtja e informacionit të klasifikuar;
g) kontrolli dhe llogaridhënia.

Çdokush me sado pak mend në kokë, nëse e ballafaqon sjelljen e Policisë së Shtetit me keto parime bazë të punës së saj siç e përcakton ligji, do të gjejë dhe kuptojë se sa larg e në kundërshti janë veprimet që ajo kryen dhe mënyra e performimit në publik. Ligjshmëria që është a-ja e parimeve që duhet të udhëheqë Policinë e Shtetit, nuk ka asnjë lidhje me dhunën, sepse e drejta e forcës në zbatimin e ligjit nuk është e drejta e dhunës, siç në fakt perceptohet dhe artikulohet prej vetë Kryeministrit, ç’ka na jep mundësinë të kuptojmë më shumë se sa fjalën, subkoshiencën e tij të dominuar prej miksimit të dhunës me agresivitetin.

Pra, ndërsa ligjërisht dhuna dhe forca janë jo vetëm dy koncepte, por edhe dy institucione krejt të ndryshme, për Kryeministrin janë një dhe e vetmja mënyrë se si duhet të sillet policia përballë qytetarëve. Jo gjithmonë prej padijes, por më shumë prej servilizmit e deformimeve karakteriale, drejtues të Ministrisë së Brendëshme e më shumë drejtues të policisë, duke zgjedhur paligjshmërinë në vend të ligjshmërisë, kanë zgjedhur njëherësh dhunën në vend të forcës së ligjit, për tu sinkronizuar kësisoj me psikologjinë e Kryeministrit dhe me leksikun që ai përdor, si e vetmja rrugë për të fituar dashurinë e tij.

Rastet e shumta të vërejtura dhe të dokumentuara gjatë protestave të ditëve të fundit, ku individë pa identitet e shenja dalluese që janë punonjës të policisë rrëmbejnë forcërisht të rinj protestues, janë jo vetëm akte flagrante e tërësisht në kundërshtim me ligjin, por edhe dëshmi e përdorimit kriminal të këtyre segmenteve të Policisë së Shtetit, sipas modeleve më të shëmtuara të rregjimeve juntë si ato të Pinoçetit në Kili e të vendeve të tjera të Amerikës Latine gjatë shekullit të kaluar.

E meqë ngjashmëritë e sjelljes së disa segmenteve të policisë na çojnë në modelin e shëmtuar të shteteve juntë, nuk mund të mos kujtojmë edhe fundin e juntave kriminale, si mesazh për ata që frymëzojnë dhe mbrojnë akte të tilla kriminale ndaj qytetarëve në protestë e në të drejtën e tyre, dhe që me një perversitet që vetëm ata mund ta shfaqin, fshihen pas pemës së Vitit të Ri si përligjje e dhunës policore. Policia e Shtetit duhet të jetë organizatë qytetare dhe në shërbim të qytetarëve. Shmangia e saj prej misionit kushtetues dhe deformimi i përgjegjësive që ia jep ligji, është pasojë e përdorimit politik dhe vetëm për interesat politike të pushtetit.

Ndaj, nëse ministri në prologun e detyrës tha se pas fytyrës së çdo polici është fytyra ime dhe pas veprimit të çdo polici jam unë, afërmendsh që jo më në kuptimin metaforik, pas veprimit të policisë është politika dhe pas dhunës së saj është gjithashtu politika. Për rrjedhojë, nuk vret policia, por vret politika që e përdor policinë për interesat e pushtetit, i cili i gjendur në grahmat e fundit të vet, po na shpërfaq anën më të dhunëshme dhe kriminale. Siç bëjnë në fakt të gjitha juntat në epilogun e tyre.

Leave A Reply

Your email address will not be published.