Analizë/Po sikur të mos ketë post Covid-19?

0 31

Nga akademiku Artan Fuga

Nuk është fjala për të bërë frikë e shkaktuar ankth. Na mjaftojnë rrëfimet e atyre që kanë kaluar nga përvoja e kësaj sëmundjeje dhe më pas na rrëfejnë se çfarë kanë hequr. Njeriu kur e ndan ankthin e tij me të tjerët sikur lehtësohet, e pranon më lehtë fatin e vet. Nuk është as fjala për të bërë prognoza pa pikë baze, sikurse bëjnë disa “shkencëtarë” që na japin me siguri lloj-lloj parashikimesh për gjëra që nuk kanë si t’i dinë, por manipulojnë pa turp publikun.

Është fjala thjesht që lidershipit politik të vendit, shoqërisë civile, qendrave universitare dhe shkencore, biznesmenëve, pushteteve lokale, Bankës të Shtetit, bankave të tjera u duhet në mënyrë urgjente që ta mendojnë edhe këtë si mundësi. Nëse nuk e mendojnë, jazëk u qoftë, marrin në qafë veten e tyre, Shqipërinë, pale neve si qytetarë, sigurisht marrin në qafë fillimisht veten e tyre. Të mos e harrojnë këtë. Është fjala ndofta jo që epidemia të vazhdojë me dhjetëra vjet, por edhe sikur dy a tre vite të vazhdojë, ne na bën pluhur e hi ekonomikisht.

E mendoni këtë o vendimmarrës të çdo krahu politik qofshi dhe të çdo biznesi qofshi? Sepse edhe nëse për dy a tre vite nuk do të kemi veçse një kujtim të hidhur e shumë të rëndë të kësaj situate që kalojmë, kush na siguron që pas pesë vitesh kjo epidemi apo të tjera globale nuk do të na pllakosin? Kështu do të qëndrojmë ne duarlidhur? Do të ishte në mos një mendësi prej struci, por edhe do të rrezikonte vendin dhe kombin ky qëndrim pritës me “inshallah”. Ka ardhur koha të ndërtohet një strategji alternative, e cila kërkon të hiqet dorë nga të menduarit vetëm për një mandat politik dhe pas tij të bëhet kiameti!

+++

Është e qartë që ky model ekonomik që kemi nuk ka më potenciale zhvillimi as në kushte normale, jo më në kushtet e një pandemie globale si kjo e COVID-19, apo e një lloji tjetër. Te botimi im, qarkulluar në treg nga shtëpia botuese Papirus, “Origjinat e Pushtetit, Pronës, Pasurisë në Shqipërinë pastotalitare”, kam shprehur bindjen bazuar në fakte dhe konceptin tim për sa më sipër, nisur nga analiza prej tri dekadash se çfarë ka ndodhur në Shqipëri.

Por, kjo situatë e tanishme e ka bërë fare të qartë që ne nuk mund ta përballojmë krizën ekonomike duke u ndodhur në gjendjen absurde që shteti të mos ngrejë dot taksa, por, nga ana tjetër, të shpërndajë ndihma dhe subvencione a financime ndihmëse për të ashtuquajturat biznese që, në fakt, nuk krijojnë vlera të reja financiare dhe materiale. Një shtet i tillë shumë shpejt do të ndodhet përpara falimentimit, aq më shumë kur për qëllime, jo të dobisë publike, vazhdojnë financime publike sikur të mos kishte ndodhur asgjë për sektorë dytësorë, si në kohë vullkanesh në Romë, a hordhish hunësh te portat, ndërkohë që qyteti shuhej, aristokracia e patricëve festonte!!!

Ka ardhur koha të mendohet që modeli ynë ekonomik, në vend që të mbahet kështu, sikurse është, mbështetur në paterica, duhet rinovuar, modifikuar, ristrukturuar, sepse në gjendjen ku ndodhet aktualisht është i marrë fund. Duket se këtë e pengojnë hëpërhë interesat e bizneseve të mëdha monopoliste të tenderëve dhe të punëve publike që kanë influenca mbi vendimet e qeverisë dhe politikat ekonomike, por shumë shpejt edhe ata do ta kuptojnë se janë në të njëjtën barkë në oqeanin me tallaze me të tjerët. Po mbytemi të gjithë bashkë! Sado të duket paradoksale, bosi i madh oligarkik, pronari i vogël në bujqësi, shitësi pas banakut në lagje, deputeti i madh, nëpunësi i vogël, i papuni, megjithëse në pozita krejt të ndryshme nga njeri-tjetri, në fund të fundit ndodhen në një situatë të fatit të përbashkët.

Ai që nuk e kupton këtë, do ta marrë vesh shumë shpejt, nëse situata vazhdon kështu si sot! Edhe një herë e theksoj që shumë modele ekonomike në sektorë të ndryshëm janë ose të destinuar të zhduken, sepse nuk kanë rendiment, ose sepse COVID-19 i ka goditur për vdekje, ose sepse ata prodhojnë bashkë me rritjen ekonomike dhe pasoja që janë krejt të padëshirueshme. Nuk ka kuptim më që të bëjmë si ai drejtuesi i një automobili të vjetër dhe të amortizuar që ndalet në buzë të rrugës dhe përpiqet ta rregullojë. E shtyn me krahë deri në një xhade në zbritje dhe vetura nis të ecë, ndërkohë që drejtuesi ka iluzionin se e ka riparuar atë. Pas rrëpirës vjen ngjitja përsëri dhe automobili ngec përsëri.

T’i marrim pak me radhë

-Sigurisht turizmi është një sektor i rëndësishëm i ekonomisë sonë. Pak a shumë ne u shesim turistëve të huaj diellin, detin dhe rërën, sepse turizmin e kemi të kufizuar në tre muaj të vitit, dhe e kemi të destinuar ose për bashkëpatriotët tanë në Ballkan, ose për një turist me pak mundësi fuqie blerëse të Evropës. Sado i rëndësishëm, ky sektor ka limitet e veta.

Kjo sepse territori ynë është relativisht i vogël, konkurrenca evropiane është shumë e madhe dhe, mbi të gjitha, turisti i sotëm kërkon edhe kushte të tjera veç atyre natyrore dhe, mbi të gjitha, dëshiron të ketë akses në të gjithë vendin, kurse ne nuk kemi çfarë t’u propozojmë shumë me këtë gjendje, sikurse i kemi muzetë, sitet arkeologjike, rrugët e qyteteve, traditën arkitekturore, rrjetin tregtar, sistemin shëndetësor etj. Në zonat turistike detare, pas tre muajve të turizmit, bie kolapsi tërësor dhe familjet që japin me qira hapësira banimi, të punësuarit etj., tregtarët, nuk bëjnë veçse tresin gjatë dimrit “dhjamin” e verës. Të ardhurat e tyre të tre muajve të verës, të larta, zbresin në minimume të mjera, kur pjesëtohen me 12 muajt e vitit. Zonat turistike te ne i ngjajnë ariut polar që dremit me muaj të tërë.

Po të shohësh mënyrat si matet rendimenti i industrisë turistike në ekonominë kombëtare, sheh se më shumë numërohen hyrjet e daljet e shtetasve të huaj, por askush nuk llogarit se sa është vlera monetare mesatare e çdo turisti. COVID-19 i dha për arsye që dihen një goditje të rëndë kësaj industrie. Po sikur kjo të përsëritet vitin tjetër? A nuk duhet të mos e urojmë, por jo vetëm? A nuk duhet të mendojmë për forma të tjera paketash turistike? Humbjet vetëm të këtij viti e kanë bërë popullsinë që ushqehet me turizmin të humbasë të paktën të ardhurat e pesë vjet fitimeve nga ky aktivitet.

-Le të marrin industrinë e ndërtimit. Në dekada të tjera ajo na e ka dhënë shembullin. Ndërtimet frenetike në disa zona urbane duket sikur shtojnë investimet, shtojnë vendet e punës, shtojnë rritjen ekonomike dhe bashkë me të rrisin edhe pjesën e sektorit të ndërtimit në produktin e përgjithshëm bruto të vendit. Mirëpo edhe këtu dardha e ka bishtin prapa! Kush do t’i blejë këto apartamente në kushtet kur shqiptari nuk ka as lekë dhe as euro në xhepa?

Ndërkaq kjo lloj industrie e ka të kufizuar zgjerimin në territor, sepse pas dhjetë vjetësh, pasi i ka zënë të gjitha hapësirat e ndërtueshme, i duhet të prishë çfarë ka ndërtuar, për të ndërtuar përsëri. Këtu tërmeti do t’i bënte punë, por me çfarë pasojash se!!! Ndërkaq kthimi i qendrave urbane vetëm në vende banimi, tërheqja prej tyre e popullsisë vendase nga anët e ndryshme të territorit dhe boshatisja e këtij të fundit, bën që në qytete të rritet shkalla e papunësisë dhe varfëria. Mbi të gjitha këto popullsi nuk prodhojnë më vlera të reja, por konsumojnë. Me çfarë ta blejnë atë që dëshirojnë të konsumojnë? Ndërtimet shumëkatëshe në zonat urbane janë katastrofa e ekonomisë shqiptare në terma afatgjatë, ndonëse kjo industri në terma afatshkurtër duket sikur sjell rezultate pozitive rritjeje.

-Bashkë me varfërimin e zonave urbane që duket sikur betonohen dhe ngrihen në lartësi, por, në fakt, gërryhen nga ana sociale dhe ekonomike, futet në krizë edhe tregtia e banakëve të pafundëm nëpër lagje e, madje, tregtia profesioniste e qendrave të mëdha tregtare. Kuptohet që dyqanet e vogla nëpër lagje sa më shumë shtohen, duket se zgjidhin zënien me punë të qytetarëve, rrisin numrin e bizneseve në shifrat e INSTAT-it. Por, në fakt, nuk bëjnë gjë tjetër veçse shtojnë rrënimin ekonomik.

Sa më shumë shtohen, aq më shumë ndajnë mes tyre klientelën e lagjeve, që edhe kështu është shumë e varfër dhe nuk konsumon veçse produkte që plotësojnë vetëm minimalisht disa kërkesa bazë për mbijetesë. Ndërkaq, bosi i qendrave të mëdha tregtare duket sikur lumturohet nga dendësimi demografik i disa qyteteve. Nuk ka më konkurrencën e prodhuesve të vegjël që i ka halë në sy. Mirëpo edhe ai e pëson, sepse klientela e tij nuk është më popullsia e gjerë e qytetit, por një segment i vogël pasanikësh që një zot e di ku i gjejnë paratë. Bashkë me këto bie në kolaps edhe industria e krijimit. Shteti nuk ka më buxhete për të zhvilluar kulturën dhe artin. Shtresa e artistëve dhe shkrimtarëve bie në gjendje depresioni, ndërsa studentët që diplomohen e kanë gjithnjë e më të vështirë t’i përdorin diplomat e tyre. Institucionet universitare publike harxhojnë buxhete që nuk sjellin rendiment, sepse papunësia intelektuale mbetet shumë e lartë në një ekonomi që nuk ka zhvillim, kurse investimet private në arsim janë përpara risqeve të jashtëzakonshme.

Në këto kushte si i bëhet që media të financohet nga reklama, kur reklama nuk e nxit konsumatorin të blejë? Reklamuesit tërhiqen dhe cilësia e mediave televizive bie, meqë nuk ka para. E vetmja mundësi është të shtrijë dorën nga shteti dhe politika për privilegje tenderësh, po këta i kërkojnë si kundërpeshë të bëjë propagandë politike në vend që të japë informacion për qytetarin. Audiencat e braktisin median dhe shkojnë në botën e një thashethemnaje të pafund të rrjeteve sociale. Fasoneria, goma e shpëtimit në dekada e ekonomisë, edhe ajo e ka treguar se nuk na nxjerr dot nga bataku. E para, sepse punëtorët paguhen shumë pak, me rrogat e turpit, sepse, përndryshe, pronarët nuk kanë pse e zhvillojnë atë sektor në Shqipëri, në vend që të shkojnë në Bangladesh. Por, kostoja e jetës është e ndryshme në Shqipëri dhe në Afganistan. E dyta, sepse ato prodhime në një pjesë të tyre nuk kanë cilësinë e duhur të çajnë tregjet, pra tregu për to mbetet i kufizuar.

+++

-E gjitha kjo bën që të shtohen valët e emigracionit. Por, e gjitha kjo është shoqëruar me uljen e remitancave të emigrantëve. Shqiptari që emigron nuk është më ai i pari që ende e kishte mendësinë klanike dhe fisnore, duke sjellë para në vendlindje të ndihmonte babën, nënën, vëllain, hallën etj. Ikën dhe nuk kthen kokën pas, sepse ka hallet e veta në vendin pritës, vështirësi që shkaktohen se atje është gjysmilegal.

Ndërkaq emigrantët e ikur më parë janë bërë me fëmijë dhe nuk kanë më aq para të lira për t’i sjellë badihava në vendlindje. Kjo shton nxitjen e grupeve të gjera për të zhvilluar trafikun e parasë, të produkteve narkotike, të mbjelljes të kanabisit, sepse sektori informal i ekonomisë sjell para të madhe. Por, me çfarë çmimi!!! Korrupsioni priret të bëhet galopant, trishtimi social të rritet dhe dinamikat sociale të mehiten. Paraja e lirë, e krijuar nga trafiqet, e shkatërron tërësisht investitorin e ndershëm, i cili ndeshet në konkurrencë të pandershme me trafikantin, bosin e drogës e të gjithë klanin e tyre.

+++

Nuk arnohet ky model ekonomik! Ta heqin shpresën ata që e kanë. Arnimi i tij do t’i ngjante një xhakete të grisur që për ta riparuar do të duhej të paguante për copat e arnave dhe për rrobaqepësin shuma më të mëdha sa do të kushtonte një xhaketë e re. Modeli ynë ekonomik, sikurse kam argumentuar te libri “Shoqëria Periferike”, pjesë e botimit tim “Origjinat e Pushtetit, Pronës, pasurisë në shoqërinë pastotalitare”, është ezauruar etikisht, financiarisht, teknologjikisht.

Të kërkosh prej tij të japë dinamika të reja sociale është e kotë, është kohë e humbur. Është një stërlodhje. Duhet menduar tjetër gjë. Katastrofat si tërmeti, epidemitë, kolapset politike, rrënimi i administratës, varfëria ekstreme, korrupsioni masiv, braktisja e vendit nga rinia, boshatisja e territorit etj., japin sidoqoftë një mundësi. Të shkatërrohet e vjetra, sepse prej saj nuk mbetet gjë, dhe të ndërtohet e reja.

Na duhet një ekonomi jo mitomane. Jo tangërllikse. Jo jashtë mundësive tona. Jo sikur jemi San Françisko. Jo grandomane. Jo me delire. Por, praktike, e përshtatur ndaj kulturës shqiptare, e shtrirë në popull, e shtrirë dhe e lidhur me territorin, e zonja të rivërë në qarkullim vlerat tona materiale dhe burimet tona natyrore. Kjo kërkon një frymëzim të ri. Demokraci që vendimet t’i marrë vetë populli, jo një grusht individësh që duan tjetër model ekonomie, që duan vjeljen e pasurive dhe pas kësaj le të bëhet kiameti. Ikin me gjithë paratë në banka të huaja duke lënë mjerimin pas.

Ekonomia e mesme në bujqësi, blegtori, në artizanat, në riparime, në shërbime, në ndërtim, në përdorimin e ujërave dhe karrierave të gurit etj., e përhapur në të gjithë territorin do të ishte një shpëtim.

Shqiptari do t’i ikte pritjes së lëmoshës nga Evropa, nga shteti, nga ndihmat sociale, nga institucionet e kultit, nga mëshira e shitësit të lagjes, dhe do të punonte për veten. Shoqëria do të ishte me më pak diznivele pasurie dhe do të shkonte drejt një solidariteti social. Ekonomia kombëtare do të gjallërohej dhe nuk do të priste buzë detit që kripa t’i vinte nga jashtë. Nuk do të priste mes vreshtash verën e ardhur nga eksporti. Nuk do të priste miellin, orizin, frutat e ardhura nga jashtë.

Do të zhvillonte turizmin rural, kulturor, që nuk të lë kurrë në baltë, i pakonkurrueshëm sepse në Itali, Greqi, Kroaci etj., ka çdo gjë, por nuk ka traditë kulturore dhe kulinare shqiptare. Do të gjallërohej arsimi, sepse na duhen mjeshtëri të reja, jo këto që prodhojnë krizën dhe sjellin papunësi. Hapësirat tregtare, aq sa duhet do të gjallëroheshin, sepse konsumatori shqiptar do të kishte fuqi blerëse. Mobiliet me dru Shqipërie, punuar nga mjeshtër mobilierë duarartë. Të tjerat sigurisht do të vinin nga eksporti, makineri dhe pajisje, medikamente dhe produkte informatike etj., por duke i shkëmbyer me prodhimet tona. Nëse nuk rimendohet kështu, ne po shkojmë me vërtik drejt humnerës!

Me COVID-19, ose pa të!

Është koha për t’i thirrur mendjes dhe vetë ata që me propagandë dhe ndikime politike mbajnë këtë model ekonomie në kolaps të shpejtë, do të vijë koha që do të zhyten bashkë me ne në baltë! (Për më tepër mund të shihni librin “Shoqëria Periferike” dhe librin “Shoqëria Piramidale’, pjesë e botimit “Origjinat e Pushtetit, Pronës, Pasurisë në Shqipërinë pastotalitare në Shqipëri, Papirus 2020).

Gazeta fjala.al

Leave A Reply

Your email address will not be published.