ANALIZË/Të vrarët, lulëzimi i kanabisit dhe gratë që “zbarkojnë” në pyll

0 413

“Ne synojmë që brenda muajit qershor, përpjekja e Policisë së Shtetit me kanabisin të mbyllet”. Kështu u shpreh më 9 qershor të këtij viti, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, teksa i la porosi të prerë drejtuesve qendrorë e vendorë të Policisë. Nëse qershori iku me vapën e gushtit, tokat me kanabis janë të tejmbushura dhe puna e kërkuar nga ministri nuk është mbyllur. Shiritat e verdhë të Policisë tek kodrat apo fushat me kanabis nuk shihen gjëkundi. Para dy ditësh një skaf me 1.1 ton drogë u kap në Greqi dhe autoritetet shprehen se ngarkesa erdhi nga Shqipëria. Por le ta marrim nga A-ja. Viti nisi me një raport të televizionit italian “Rai 3”, ku u tha se kultivimi i kanabisit është rritur me 1200%.

Kurse për vitin 2019, sipas Prokurorisë së Përgjithshme, u dyfishua mbjellja e kanabisit. Polica trumpeton se po arreston trafikantët por historia është ndryshe pasi të fortët po hanë kokat dhe në krah kanë uniformat blu. Bashkëpunimi mes grupeve kriminale dhe i trafikantëve që kultivojnë lëndë narkotike, mbetet një nga sfidat kryesore në Polici. Nga janari deri në shtator, janë arrestuar e proceduar 270 punonjës policie, ku shumica akuzohen se me mosveprimet e tyre kanë favorizuar kultivimin e kanabisit. Kultivimi dhe trafiku i kanabisit vijon të shkaktojë viktima.

Në 4 vitet e fundit janë 9 vrasje, duke nisur nga Tirana, Dukagjini, Tepelena, Vlora, Fushë-Kruja dhe Këlcyra. Besnik Podja, Gjok Arra, Elidjan Pashaj, Altin Llani, Fatjon Sinani dhe Kejsi Hysa, janë viktima të kanabisit. Për ish-zv/drejtorin për Hetimin e Krimeve në Policinë e Shtetit, Gëzim Ngjeçi, vrasja e dy të rinjve për parcelat e kanabisit në Malësinë e Madhe ishte një fundi tragjik i paralajmëruar. Sipas tij, policia kishte informacione por nuk ka vepruar nga frika. Vrasja e Vilson Çutajt dhe Klement Pepajt nuk është ngjarja e vetme që ka ndodhur për shkak të pazareve dhe mosmarrëveshjeve për kanabisin. Pikë e kuqe mbetet Dukagjini. Në Shqipëri ka një lulëzim të kanabisit dhe shifrat zyrtare e vërtetojnë. Nga janari e deri më tani, policia ka referuar në prokurori mbi 100 vepra penale që kanë të bëjnë me kanabisin.

Në fushat me kanabis nuk janë të angazhuar vetëm burra. Gratë e Vlorës kanë “zbarkuar” në pyll për të mbjellë drogë. Ky është lajmi i fundit që tregon gjendjen e rëndë dhe ekonominë e rrënuar të familjeve shqiptare, aq sa gratë po marrin kazmat dhe po dalin në mal për të siguruar të ardhura në mënyrë që të mbijetojnë. Ku është qeveria që premtonte mbështetje për gratë dhe që kishte një strategji për punësimin e tyre? Të mos flasim më për arenën ndërkombëtare, pasi Shqipëria renditet e gjashta në Europë si vendi që kultivon më shumë kanabis. Në raportin vjetor të OKB-së për drogën dhe krimin, Shqipëria renditet i dyti në Europë pas Holandës, sa i takon trafikut të kanabisit, që nga nisja si vend origjine edhe tranzit. Alarm për situatën në vend ka dhënë edhe Shërbimi Informativ Shtetëror, ku thekson se individët që i kanë shpëtuar drejtësisë janë vendosur në vende të huaja dhe prej andej shërbejnë si ura lidhëse të trafikut me elementë kriminalë brenda vendit. Kurse Qendra Europiane për Monitorimin e Drogës, parashikoi në fillim të vitit se kultivimi i kanabisit në Shqipëri do të rritet.

Opozita akuzon thuajse çdo ditë se Shqipëria është e mbjellë me drogë nga veriu në jug, si pjesë e projektit të kryeministrit Edi Rama për të bashkëqeverisur me krimin. Nuk ka asnjë bos droge të arrestuar, nuk ka asnjë Drejtor Policie të larguar, lexohet në akuzat e përditshme të PD-së. Pyetja që shtrohet sot është se si është e mundur që policia i ka të gjitha këto informacione, e di se ku janë fushat me kanabis, e di se kush e mbjell, kush e trafikon dhe prapë nuk merr asnjë masë? Apo tashmë do të rend pas qytetarëve nuk vendosin maskat. Kur askush nuk lëvizte në rrugët e Shqipërisë dhe kryeministri reklamonte rrugët e zbrazura, trafikantët lëviznin të lirë nga toka dhe nga deti. Edhe sa viktima do të shtohet për pazaret e kanabisit? A ka dalë situata jashtë kontrolli? Paratë e drogës sipas opozitës kanë blerë  zgjedhjet e fundit. Edhe pse u hapën dosje të bujshme me emra politikanësh, asnjë prej tyre nuk u përball kurrë me këtë akuzë. Zgjedhjet e vitin 2021 po afrojnë.

Marrë nga /Koha Jonë/

Leave A Reply

Your email address will not be published.