Aplikimi i Kosovës në KE bën jehonë në mediat ndërkombëtare, Reuters: Prishtina thotë se e ka mbështetjen e nevojshme

0 38

Qeveria e Kosovës vendosi të enjten të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Europës, organizatën më të lartë të të drejtave të njeriut në kontinent, shkruan agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters.

Këshilli, i cili ka 46 vende anëtare, tashmë ka një zyrë në Kosovë për të ndihmuar me reformat demokratike.

Qeveria tha në një deklaratë se vendi i vogël ballkanik ka ratifikuar tashmë konventat përkatëse për anëtarësimin në organizatë.

“Të drejtat e njeriut dhe liria elementare janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Agjencia e lajmeve shkruan se Kosova dëshiron ta shfrytëzojë mundësinë pasi Rusia u përjashtua nga ky organ në mes të marsit.

Për t’u pranuar në organizatë kërkon dy të tretat e votave nga anëtarët, dhe me Rusinë që nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, ekzistonte rreziku që çdo aplikim i mëparshëm të dështonte, përcjell Express.

Reuters shkruan se Kosova ka thënë se tani ka mbështetje të mjaftueshme nga 46 anëtarët për t’u pranuar.

Më tej përshkruhet se si lufta e viteve 1998-1999 la më shumë se 13,000 të vdekur dhe 1,617 njerëz ende të zhdukur. Ndërhyrja e NATO-s në formën e një fushate bombardimi ndaj Serbisë i dha fund luftës.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, një lëvizje e njohur nga 117 vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e vendeve të BE-së. Serbia ka refuzuar ta njohë Kosovën si shtet të veçantë pas 11 vitesh negociatash të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian.

Raportimet e mediave thonë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka treguar se qeveria e tij do të kundërshtonte njohjen e Kosovës nga Këshilli i Europës duke e pranuar atë si anëtare. Serbia është një vend anëtar i Këshillit të Europës.

Në nëntor 2015, Kosova dështoi të bëhet anëtare e organizatës kulturore të OKB-së, UNESCO, pasi Beogradi loboi kundër aplikacionit. Por Kosova iu bashkua organit ndërkombëtar të futbollit, FIFA në maj 2016./Express/

Leave A Reply

Your email address will not be published.