Aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, Vuçiç mbledh Këshillin e Sigurisë

0 28

Kosova tashmë ka dorëzuar zyrtarisht nismën për hyrjen në Këshillin e Evropës.

Lidhur me këtë hap të Kosovës drejt anëtarësimit në këtë organizatë ndërkombëtare ka reaguar menjëherë Serbia.

Raportohet se Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha sot se ka thirrur një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare më 13 maj.

“ Ju njoftoj se para pesë minutash Donika Gërvalla ka paraqitur kërkesë zyrtare për hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, dhe kështu Prishtina ka treguar se ka thyer një marrëveshje tjetër, atë të Uashingtonit, e kanë shkelur brutalisht. Neve na takon të mos hyjmë në urrejtje, konflikt, por të japim një përgjigje në mënyrë racionale. Nesër është seanca e Këshillit të Sigurisë Kombëtare”.

“Kjo ka një efekt shtesë në marrëdhëniet në rajon, kush ka nevojë dhe kush e ka bindur Prishtinën që ta paraqesë këtë iniciativë, përgjigja jonë duhet të jetë e zgjuar dhe paqësore, për të ruajtur stabilitetin”, tha Vuçiç.

“Unë pyes pse na thirrën në Uashington kur në rastin e parë e shkelën marrëveshjen, ata duan që ne ta njohim pavarësinë e Kosovës, ne nuk do ta bëjmë këtë”, shtoi ai.

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në shtator të vitit 2020 një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit.

Me këtë marrëveshje, Kosova është pajtuar për një moratorium njëvjeçar mbi përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia ka rënë dakord për një moratorium – po ashtu njëvjeçar – mbi fushatën e saj kundër njohjeve të Kosovës si shtet.

Në bazë të Marrëveshjes së Uashingtonit, moratoriumet tashmë kanë skaduar, por Departamenti amerikan i Shtetit ka inkurajuar më herët Kosovën dhe Serbinë që t’i vazhdojnë ato për të mundësuar përparim në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Leave A Reply

Your email address will not be published.