Ardian Vehbiu: Metaforat luftarake në kontekstin e masave kundër pandemisë përligjin autoritarizmin

0 320

Strukturat që përftohen e konsolidohen duke luftuar emergjencat nuk janë, për nga natyra e tyre, pluraliste dhe demokratike. Suksesi i tyre mund të kthehet në kërcënim për qytetarin thotë për DW publicisti Ardian Vehbiu.    

DW: Në emër të shëndetit kolektiv politikanët shqiptarë dhe politikanë në disa vende te tjera po përdorin e ripërdorin jo vetëm retorikë lufte, por po vihet re edhe një militarizim i hapësirave publike. Këto justifikohen me pretendimin se janë masa për t’u bërë të qartë njerëzve se kjo nuk është lojë. A ju duken të justifikuara mjete të tilla?

Ardian Vehbiu: Ai militarizim i hapësirave publike, për të cilin flisni, dhe që e kam vënë re edhe unë, është njëfarësoj vazhdim i retorikës së luftës – meqë autoblindat nuk kanë asnjë efekt ndaj virusit vetë dhe as mund të përdoren realisht për të imponuar karantinën; prandaj do t’i shihja sërish si metafora luftarake, ose shenja që pritet të tregojnë mobilizimin publik të shtetit. I përkasin një skenografie, një fasade, një teatri të disiplinës, i cili synon të lajmërojë se diçka po lëviz, se diçka po bëhet, se shteti “e ka situatën në dorë.” Për t’u shënuar, këtu, është se shteti – në Shqipëri dhe gjetiu – e ka më të lehtë të manifestohet përmes ligjërimit militarist, që nga “armiku”, tek “armët” që kemi dhe nuk kemi dhe më tutje, te virusi që “na vret” dhe që “e vrasim”, sepse e gjen këtë ligjërim të gatshëm në historinë e vet; por edhe sepse ky ligjërim i referohet edhe lirisht monopolit që ka shteti për dhunë.

Pra, dhuna fizike që ushtron mirëfilli virusi ndaj të sëmurit kundërshtohet me dhunën simbolike të militarizimit: të ligjërimit, të hapësirës publike, të strukturave institucionale. Këtë lloj reagimi unë do ta shihja si magjik. Të thonë “jemi në luftë.” Mirëpo, në fakt, lufta zhvillohet brenda trupit, midis sistemit imunitar dhe një mysafiri të paftuar, që është virusi; dhe paralelizmi mes autoblindave, policëve dhe kamerave nga njëra anë, dhe rruazave të bardha nga ana tjetër, nuk thotë asgjë. Aq më tepër, pastaj, që prej shtetit pritet të reagojë ndaj një urgjence sanitare nëpërmjet strukturave të shëndetit publik: që nga spitalet, personeli i specializuar, e më tej – të cilat struktura, sërish, nuk mund të zëvendësohen, madje as metaforikisht, nga ato ushtarake; përveçse po të jetë puna se të dytat mund të mobilizohen lehtë, ndërsa të parat nuk i ngre dot brenda natës. Le të shtoj, më në fund, se reagimi i tipit “jemi në luftë” përligj edhe autoritarizmin, qoftë edhe thjesht në kontekstin e masave që merren kundër pandemisë, të cilat duhej të ishin, në thelb, gjithnjë civile.

Ardian Vehbiu (Privat)Publicist Ardian Vehbiu

DW: Në Shqipëri së fundi u vendos edhe një ashpërsim i Kodit Penal si dhe përdorimi i dronëve për të kontrolluar hapësirat publike dhe gjurmuar shkelësit e karantinës. Sa të rrezikshme janë masa të tilla në një vend me demokraci me defekte?

Mirë do të ishte që situata të tilla, të jashtëzakonshme, të përballohen me legjislacionin ekzistues; sepse në momente kritike, nuk është koha për të miratuar ligje të reja. Historia në vende të ndryshme, edhe në demokraci me tradita të ngulitura, tregon se legjislacioni që kalohet në momente kritike kthehet pastaj në një pengim të lirive dhe të të drejtave të qytetarëve, duke i shërbyer shtetit dhe pushtetit, me pretekstin se po mbrohet qetësia dhe shëndeti publik. Megjithatë, dhe pavarësisht nga tundimet autoritare në vende me demokraci me defekte si Shqipëria, unë besoj se shteti nuk do të arrijë të sigurojë atë lloj kontrolli që kërkon; thjesht sepse ky kontroll vjen me kosto të mëdha, që ai shtet nuk i përballon dot. Organet e ruajtjes së rendit, atje, do ta kenë parë vetë sa u kanë kushtuar përpjekjet masive për imponimin e karantinës – edhe pse shumica e qytetarëve kanë bashkëpunuar.

DW: Sa i madh mund të jetë rreziku që militarizimi për t’iu përgjigjur një krize në sferën e shëndetit publik të shndërrohet në Shqipëri në një model për mënyrën e reagimit të shtetit në raste ngjarjesh të tjera kritike (protesta, greva të përgjithshme)?

Unë e shoh këtë si rrezik të tërthortë dhe gjithnjë në kontekstin e situatës politike të krijuar në Shqipëri, me opozitën të vetë-përjashtuar nga jeta parlamentare dhe krizën e rëndë të gjyqësorit; dhe pikërisht, që Rama, politikan më i zoti se kundërshtarët e vet dhe që gëzon simpatinë e aleatëve tradicionalë të Shqipërisë, si Italia dhe Turqia, por edhe Gjermania, të ndihet i përligjur në tundimet e veta autoritare, ose për të vendosur pa pyetur njeri. Nuk di nëse kjo duhet konsideruar si një taktikë afatgjatë e opozitës, për ta degraduar sistemin politik në Shqipëri duke e lënë Ramën dhe ekzekutivin pa interlokutorë. Sa për rrezikun e tanishëm të pandemisë, le të kemi parasysh se në Shqipëri, për fat të mirë, ka qenë tejet i kufizuar; falë përpjekjeve të ekzekutivit për ta kontrolluar përhapjen e virusit, por edhe për arsye të tjera, jo shumë të qarta. Sistemi shëndetësor publik ende nuk është vënë në provë. Qeveria, gjithnjë besnike e metaforës luftarake, e nxori ushtrinë në fushëbetejë, por “armiku” deri më tash ka dërguar tek-tuk ndonjë patrullë, pa u shfaqur drejtpërdrejt – siç ka bërë gjetiu në Europë, ose edhe në SHBA.

Duke e ditur sa të pakta i ka pasur shëndetësia në Shqipëri mundësitë infrastrukturore për të përballuar një krizë të mirëfilltë, le të themi se e keqja na ka kursyer, deri më tash; por qeveria edhe këtë do ta shfrytëzojë për të deklaruar, nesër, fitoren; sepse politika nuk mund të veprojë ndryshe, përveçse të përfitojë nga gjithçka që ndodh, deri edhe nga një tërmet ose një stuhi e madhe. Çështja këtu është se, siç e thoni edhe ju, strukturat dhe institucionet që përftohen dhe konsolidohen duke luftuar emergjencat nuk janë, për nga natyra e tyre, pluraliste dhe demokratike; dhe suksesi i tyre mund të shndërrohet, lehtë, në kërcënim për qytetarin, në afat të gjatë. Tani për tani, fokusi është te kontrolli i përhapjes së infeksionit; por asgjë nuk garanton që nesër nuk do të lindë nevoja për të kontrolluar diçka tjetër.

Ardian Vehbiu, është publicist, shkrimtar dhe studiues që jeton në New York. Autor i eseistikës dhe i narrativës letrare, ai drejton prej vitesh revistën kulturore online “Peizazhe të fjalës” (peizazhe.com).

Leave A Reply

Your email address will not be published.