Artan Fuga për zhvillimet në PD: Basha kënaqi amerikanët, ish-kryeministri formon një grup të ri në Parlament

0 221

Akademiku i njohur, Artan Fuga, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, ku kryesia vendosi për përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe disa deputetëve të tjerë, pjesë e Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit.

Fuga shkruan në rrjete sociale, se me vendimin e marrë, Basha arriti të kënaqte dëshirën e amerikanëve për përjashtimin e Berishës.

Nga ana tjetër sipas tij, ish-kryeministri, me deputetët e përjashtuar nga PD, arriti që të formojë në Kuvend një grup parlamentar. Ky sipas Fugës, ishte qëllimi i të dy politikanëve.

Postimi i Artan Fugës:

Nderi lahet me nder!

Pas dhunës dhe skenave të dhunës që u “dhuroi” shqiptarëve në televizion, dhe gjithë planetit, skenat e turpit ku nga të dy palët u kthye logjika barbare dhe primitive e ushtrimit të dhunës paramilitare ndaj kundërshtatit, çështjet u “zgjidhën” me vetëgjyqësi, trupi i deputetëve dhe i politikanëve u përdor si “dash” prej mishi për goditje, ose si mburojë prej mishi për të ruajtur kështjellën, reciprokisht, Partia demokratike kaloi në një fazë të re.

Zoti Lulzim Basha i “dhuroi” mbrëmë vonë zoti Sali Berisha grupin e vet parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë.

Duke përjashtuar “për jetë” një numër deputetësh tani këta nuk e kapërcejnë dot më “ylberin” dhe grupi i deputetëve në Kuvend rreth z. Sali Berisha u konsolidua plotësisht.
Të dy liderët u “rehatuan” pasi problem i para 9 shtatorit u zgjidh “me sukses”. Basha “plotësoi” kërkesën amerikane për t’a hequr nga grupi deputet demokrat Berishën, dhe Berisha që sikundër theksonte kishte ikur tashmë, dhe mbetej i izoluar në Kuvend, tani ka të dhuruar grupin e ri parlamentar nga partia e tij dhe nga njeriu që e futi dhe kapapultoi në politikë.

Nga i përjashtuar nga grupi i deputetëve demokratë, z. Berisha rivjen po me “ndihmën” e partisë së tij dhe të drejtuesit të saj, me një grup të konsoliduar deputetësh në Kuvend.
Nderi lahet me nder!

Ky ishte rezultati politik objektiv i ngjarjeve! E them pa pikë pasioni!

Të dy palët e arritën qëllimin maksimal.

Leave A Reply

Your email address will not be published.