Atentati ndaj prokurorit, arrestohet nipi i deputetit të Partisë Socialiste

31

Redjan Rraja, 34 vjeç nipi i deputetit socialist, Rrahman Rraja është arrestuar sot si i dyshuar për atentatin ndaj prokurorit të Durrësit.
Rraja është ndaluar nga policia pasi është identifikuar nga gjurmët e ADN-së të mbetura në makinën e dyshuar të autorëve për atentatin në mbikalimin e Shkozetit, ku u qëllua mbi makinën ku udhëtonte prokurori Arjan Ndoja dhe dy të tjerë.
Rraja është marrë në pyetje nga policia dhe si i dyshuar. Mësohet se gjatë deklaratës së tij në Polici, Rraja nuk ka pranuar asnjë përfshirje në atentatin e ndodhur të premten në orën 16:30, ku u plagosën prokurori Arjan Ndoja, shoferi i prokurorit, Andi Maloku dhe personi tjetër i identifikuar me një nga emrat e tij, Landi Muharremi, që sipas policisë është me precedentë penalë. Sipas policisë, Rraja u ndalua në momentin që po largohej nga Shqipëria.

Redjan Rraja nuk është një emër i panjohur për autoritetet dhe publikun. Ai ka qenë i dënuar me 8 muaj burg nga Gjykata e Tiranës për veprën penale “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, në lidhje me vrasjen e mikut të tij, Elton Çiço. Ngjarja ka ndodhur më 1 maj të 2016-s, në një lokal në zonën e stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet.

Rraja u akuzua se kishte fshehur armën që mbante viktima Çiço, si dhe telefonin, për të fshehur informacione të tjera. Dy vite më pas, emri i Redjan Rrajës shfaqet në çështjen “Xhisiela”, ku i përfshirë ishte kushëriri i tij, Rexhep Rraja. Ky i fundit është djali i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja. Oficeri Emiljano Nuhu përmendi emrin e Redjan Rrajës si një prej nipërve të deputetit Rraja që e kishte kërcënuar për shkak të hetimeve që po kryente pas denoncimit të shtetases Xhisiela Maloku. Xhisiela akuzonte djalin e deputetit se dhunonte vazhdimisht, ndërkohë që ajo kërkonte t’i jepte fund lidhjes. Kjo ngjarje më pas u mbyll me tërheqjen e Xhisielës nga denoncimet dhe largimin nga Shqipëria të oficerit Nuhu.

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.