Balliu: Zgjedhja e kandidatëve sot, tregon qeverisjen nesër

0 320

Pushime në selinë blu nuk ka. Të martën e ardhshme, Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve pritet të përmbyllë fazën e parë të përzgjedhjes së emrave për deputetë dhe kryetar bashkie. Nga 3600 emra që kanë ardhur nga baza e Partisë Demokratike, ky komision do të hartojë një listë paraprake me 1000 emra.

Klevis Balliu, i cili është një prej kandidatëve potencialë për t’u rizgjedhur deputet nga Komisioni i Posaçëm që po bën filtrimin e propozimeve, e sheh të gjithë këtë proces të iniciuar nga kryedemokrati si shumë domethënës dhe për filozofinë me të cilën Lulzim Basha do të qeverisë kur të vijë në pushtet.

“Kjo është mendësia e liderit demokrat dhe për mënyrën sesi do të drejtojë qeverinë kur të marrë pushtetin”,- tha për ”Tv Klan”. Duke folur për qëndrimin që PD-ja mban për mos heqjen e koalicioneve parazgjedhore, Balliu nuk e sheh këtë si frikë të demokratëve për të dalë të vetëm në zgjedhje, por si frikë të Ramës i cili është i vetëm kundër të gjithëve.

“PD-ja nuk ka frikë, Rama ka frikë nga zgjedhjet dhe ironike është që ai shkon të flasë për zgjedhje të lira me Lukashenkon”. Balliu akuzon qeverinë se me korrupsionin me të cilin po qeveris ka varfëruar shqiptarët dhe e ka çuar vendin në regres në mënyrë të veçantë në sektorët e ekonomisë dhe financave. Zgjedhja sipas tij është që shqiptarët të votojnë për programin ekonomik të PD-së që ul taksat dhe i jep frymëmarrje ekonomisë familjare dhe asaj kombëtare.

Leave A Reply

Your email address will not be published.