Ballkani Perëndimor, “rruga” më e preferuar e emigrantëve për në BE

0 34

Itinerari nëpër rrugët e Ballkanit Perëndimor vazhdon të kryesojë si zgjedhje e emigrantëve, të cilët synojnë hyrjen në vendet e Bashkimit Evropian.

Në raportin e saj të fundit, Agjencia Evropiane për Mbrojtjen Kufitare dhe Bregdetare, Frontex, ka bërë me dije se midis janarit dhe majit, në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian, janë zbuluar gjithsej 86 mijë e 420 hyrje të parregullta.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kjo shifër është 82% më shumë. Në maj, Frontex regjistroi rreth 23 mijë e 500 kalime të parregullta, 75% më shumë nga i njëjti muaj i një viti më parë.

Në pesë muajt e parë të vitit 2022, rrugët më aktive të migracionit në BE ishin ato të Ballkanit Perëndimor, Mesdheut Qendror dhe Mesdheut Lindor.

Rruga e Ballkanit Perëndimor pati 40 mijë e 675 kalime të paligjshme, ose gjysma e numrit total të regjistruar në kufijtë e BE-së.

Kjo është afërsisht tri herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Kombësitë kryesore në këtë rrugë përfshinin sirianë dhe afganë.

Shumica e njerëzve të zbuluar kishin qenë në Ballkanin Perëndimor për disa kohë përpara se të kërkonin të hynin në BE.

Në maj, numri i emigrantëve të parregullt të zbuluar në rajon u dyfishua në 12 mijë e 88.

Rrugët e Mesdheut Qendror dhe Lindor

Zbulimet në itinerarin e Mesdheut Qendror mbetën relativisht të qëndrueshme, me rreth 16 mijë e 828 kalime të paligjshme kufitare, një rritje prej 15% nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Kombësitë kryesore të përfaqësuara në këtë rrugë ishin egjiptianët dhe tunizianët.

Në maj, numri i emigrantëve të parregullt ishte 6 mijë e 66, afërsisht në përputhje me shifrën e të njëjtit muaj të vitit të kaluar.

Numri i zbulimeve në itinerarin e Mesdheut Lindor vijoi të rritet dhe arriti në 13 mijë e 668 në periudhën e analizuar, me 116% rritje nga viti i kaluar.

Zbulimet në Qipro u rritën ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar (+213%), ku shumica e emigrantëve erdhën nga Nigeria, Siria dhe Kongo.

Në kufirin lindor, numri i kalimeve të paligjshme të kufirit deri më tani këtë vit është rritur më shumë se katërfish në 2 mijë e 155.

Kombësitë kryesore në këtë rrugë ishin shtetasit e Ukrainës, Irakut dhe Bjellorusisë.

Bazuar tek të dhënat historike, periudha e pikut në këtë itinerar normalisht zgjat nga qershori deri në nëntor.

Në vitin 2022, mbi 46 kombësi të ndryshme janë regjistruar në Kanal, me një rritje të theksuar të shtetasve shqiptarë që nga mesi i prillit.

Leave A Reply

Your email address will not be published.