Barcelona në krizë financiare, planifikohen 160 milionë euro shkurtime

0 34

Robert Levandovski, Kulibali, Di Maria, Rafinja, Kunde janë vetëm disa nga emrat më të lakuar në Barcelonë si përforcime të mundshme të klubit në merkaton e verës.

Por nëse katalanasit nuk do të arrijnë të përmirësojnë bilancin e tyre të rrënuar financiar, këta emra thjesht do të mbeten një mirazh për trajnerin Ksavi dhe tifozët katalanas.

Brenda qershorit klubi duhet të bëjë disa rakordime dhe natyrisht që ato do të jenë të dhimbshme dhe që do të prekin xhepat e lojtarëve aktualë në klub.
Një pjesë e mirë e tyre vendosi të ndihmonte klubin verën e vitit 2021 duke pranuar një ulje të rrogave. Por një vit ka kaluar shpejt dhe në klub i kanë kërkuar skuadrës një tjetër sforco financiare.
Ka qenë zëvendëspresidenti i klubit, Eduard Romeu, i cili duke komentuar për situatën financiare në klub, ka bërë të qartë se Barcelona pret të tjera shkurtime drastike në pagat e lojtarëve.

“Në këtë moment që flasim, Barcelona paguan plot 560 milionë euro rroga, ndaj objektivi i klubit është ta ulë këtë shifër në 400 milionë euro.

Me këto shifra mund të konkurrojmë në kushte normale edhe pse e shoh të vështirë arritjen e të tilla objektivave këtë verë”, ka thënë ai për televizionin “Esport3”. Për momentin, vetëm disa nga lojtarët e Barcelonës kanë dalë hapur duke deklaruar se janë gati të pranojnë një tjetër ulje në kontratë.

Ndërkohë që Barcelona po mundohet të shkurtojë shpenzime edhe duke larguar lojtarë. “Viktima” e parë e klubit është bërë Dani Alvesh. Edhe pse braziliani është lojtari më pak i paguar në klub, ai është lënë i lirë, me Barçën që i ka komunikuar vendimin për të mos rinovuar me të.

Leave A Reply

Your email address will not be published.