Basha: Çlirimi i ekonomisë nga monopolet dhe oligarkët do t’i hapë rrugë tregjeve zhvillimit ekonomik

0 283

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar për situatën e rëndë ekonomike në vend të krijuar si pasojë e pandemisë së koronavirusit. Kreu i PD-së shprehet se bizneset po falimentojnë dhe familjet shqiptare janë në krizë të rëndë ekonomike.

Sipas tij, në vend që të mendonte për të shpëtuar ekonominë, kryeministri Edi Rama i kaloi paratë në arkën e oligarkëve dhe klientëve të tij. “PD që në ditët e para të karantinës, duke vlerësuar situatën dhe pas konsultimeve me ekspertët më të mirë në vend i ofroi qeverisë propozime konkrete për të parandaluar thellimin e krizës ekonomike si dhe strategjinë e daljes nga karantina. Por qeveria Rama refuzoi t’i marrë në konsideratë propozimet tona duke i lënë shqiptarët dhe ekonominë e tyre në mëshirën e fatit. Sepse si në ditët e para të pandemise dhe sot kur situata si shëndetësore dhe ekonomike është tejet e rënduar qeveria Rama mendon vetëm për veten dhe klientët e saj oligarkë”,- deklaron Basha.

Kreu i PD-së shton se prioriteti i PD-së në pushtet do të jetë çlirimi i ekonomisë nga oligarkët dhe ulja e taksave për qytetarët dhe biznesin e vogël. “Punësimi mbetet prioriteti im kryesor dhe për ta garantuar këtë ne do të marrim vendimet dhe veprimet e nevojshme. Lehtësimi i barrës fiskale, përgjysmimi i lejeve dhe liçencave dhe ulja e taksës së punës janë disa nga masat e para që do marrë qeveria jonë. Ne do të krijojmë kushtet ekonomike dhe sigurinë e nevojshme që investitorë të huaj me potenciale të mëdha punësimi të vijnë në Shqipëri. Çlirimi i ekonomisë nga monopolet dhe oligarkët do t’i hapë rrugë tregjeve të lira, zhvillimit dhe punësimit të njerëzve”,- shprehet Basha.

Ai shton se “pavarësisht vështirësive që po kalojmë, këto kohë jam i bindur se së bashku do t’ia dalim të sjellim ditë më të mira për Shqipërinë dhe shqiptarët përmes një qeverie normale që punon për qytetarët dhe jo për një grusht oligarkësh”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.