Basha: Fuqizimi i biznesit të vogël, prioritet i imi dhe i PD-së

0 319

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare. Në një postim në facebook, Basha shkruan se me shoqatën e Mikrofinancës Shqiptare diskutuam për mungesën e likuiditetit dhe krizën ekonomike në vendin tonë. Gjatë fjalës se tij, lideri i opozitës theksoi se fuqizimi i biznesit të vogël, hapja e bizneseve të reja dhe mbështetja e bujqësisë, janë prioritet i PD-së. Basha pohoi mes të tjerash se për shkak të situatës ekonomike që po kalon vendi dhe rritjes së vazhdueshme të taksave, është bërë tejet i vështirë suksesi i bizneseve të konsoliduara, që sipas ka bërë që të mbyllen vendet e punës.

Postimi i plotë 

Fuqizimi i biznesit të vogël, hapja e bizneseve të reja kryesisht nga të rinjtë dhe punësimi i tyre, mbështetja e bujqësisë, janë prioritet i imi dhe i Partisë Demokratike.

Gjatë takimit me drejtuesit e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare, znj. Arlinda Muja Presidente dhe znj. Brunilda Isaj Sekretare e Përgjithshme, diskutuam ndër të tjera dhe për vështirësitë që po kalon ekonomia dhe financat shqiptare, të rënduara dhe më shumë nga pandemia. Gjatë takimit i falenderova për zbatimin e moratoriumit e cila ndihmon kredimarrësit në këtë situatë të vështirë.

Ndamë shqetësimin për mungesën e likuiditetit, krizën ekonomike për tejkalimin e së cilës nëse nuk veprohet shpejt do të vërë në pozitë të vështirë sistemin bankar dhe veçanërisht institucionet e mikrokreditit, pasi do të rritet pamundësia e qytetarëve dhe bizneseve për t’i shlyer kreditë.

Vonesa në ripagimin e kësteve dhe shtyrjet e detyruara kanë ulur me 60% arkëtimet vetëm në institucionet e mikrokreditit. Deri më sot janë 175.000 vende pune të krijuara nga bizneset e financuara prej institucioneve të mikrokreditit, ku vetëm gjatë 2019 këto institucione kanë mbuluar 68% të të gjithë kërkesave për kredi në vend.

Për shkak të situatës ekonomike që po kalon vendi dhe rritjes së vazhdueshme të taksave, është bërë tejet i vështirë suksesi i bizneseve të konsoliduara, ndërsa për hapjen e bizneseve të reja është thuajse e pamundur. Lufta për mbijetesë ka bërë që shumë biznese të mbyllin vende pune, ku më të prekurit janë të rinjtë.

Në këtë kuadër, krijimi i mundësive për të hapur një biznes, fuqizimi i bizneseve të vogla, rritja e mundësive për punësim është një nga synimet kryesore të Partisë Demokratike. Në planin tonë, ne planifikojmë garanci shtetërore ndaj institucioneve të mikrokreditit për të ndihmuar ato në kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të drejtuara kryesisht nga të rinjtë, ndërsa me prioritet do të konsiderohet dhe mbështetja për bujqësinë.

Programi ekonomik i Partisë Demokratike ka në fokus të tij uljen e barrës fiskale sidomos për bizneset e vogla, mbështetjen me subvencione ndaj fermerit me të paktën 100 milionë euro në vit, eleminimin e procedurave të tepërta burokratike dhe krijimin e kushteve për konkurrencën e lirë e të ndershme nëpërmjet një procesi dialogu me të gjithë aktorët kryesorë të tregut financiar.

Leave A Reply

Your email address will not be published.