Basha: Shpresoja që Berisha do na linte rehat, por nuk ndodhi kështu

0 154

Lulzim Basha, i shkarkuar si Kryetar i PD nga Kuvendi i 11 dhjetorit 2021, tha gjatë një takimi në Kurbin, se këtë situatë që po kalon Partia Demokratike askush nuk e dëshironte.

Basha tha se ne demokratëve nuk na rrëzojnë dot, por do të ngrihemi edhe më të fortë.

“Ne jemi bashkë jo për shkak të gjynaheve politike as për shkak të përfitimeve politike, sikundër kanë bërë paraardhësit tanë, por jemi në krah të shqiptarëve dhe do e çojmë Shqipërinë drejt Europës.

Europë do të thotë drejtësi për të gjithë, jemi një vend i bekuar, me pasuri të mëdha, por jemi një vend i vjedhur”, tha Basha.

Ai u shpreh se “kush i gëzon sot këto pasuri, ku është rinia? Ne jemi në këtë situatë sot sepse nuk qeverisemi, por kemi pushtetarë të korruptuar që po sundojnë”.

“Edi Rama na çon formularë me na pyet a duam ne të legalizohet kanabisi, ndërkohë që nuk ka njeri në Botë që nuk e di, që zgjedhjet në Shqipëri vidhen në bashkëpunim me krimin.

Ne duhej ta kishim energjinë dhe vëmendjen tonë për ti dhënë një grusht të fortë regjimit, që të kishim kthyer vendin në shinat e demokracisë, për të kthyer legjitimitetin, jo për të njohur 25 prillin, pasi atë rezultat kurrë nuk do e njohim, por për të rikthyer votën. Duhet një reformë e thellë zgjedhore, duhet një vetting për politikanët, që duhet të nisë nga unë i pari, por 3 të tjerët thonë jo, sepse kanë arsyet e tyre, sepse kanë për të fshehur, kanë shumë për të fshehur”, tha Basha.

Ai tha se jemi e vetmja forcë në Europën ish-komuniste që nuk arritëm dot ta shembim komunizmin me një goditje të vetme.

“Sa herë ndodhemi kundër tiranive, tiranisë komuniste që e përmbysëm në 1992, dhe tani kemi përballë tiraninë e korrupsionit, që me marrëveshjet e hapura ose të fshehura, duan të zgjasin tranzicionin. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar, mendjehapur dhe në krah të SHBA. Ne qëndruam në krah të SHBA ndaj personave non grata, ndaj dhe unë në 9 shtator mora vendimin për Sali Berishën. Shpresoja që Sali Berisha do na linte rehat dhe ne do e nderonim, por për fat të keq ai vendosi interesat personale mbi ato të demokratëve”, tha Basha.

Leave A Reply

Your email address will not be published.