BE vë në dispozicion 15 milionë euro ndihmë urgjente Shqipërisë

0 397

Komisioni i BE-së i vjen në ndihmë Shqipërisë me 15 milionë Euro nga Fondi i Fqinjësisë. Von der Leyen tha sot në Bruksel se do të organizojë një konferencë donatorësh.    

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha në Bruksel se së shpejti do të ketë një konferencë donatorësh për Shqipërinë, dhe se  Komisioni ka vënë në dispozicion 15 milionë Euro nga  Fondi i Fqinjësisë së BE-së. Sipas komisionit ky fond u krijua pas krizës financiare të BE-së dhe synon të nxisë zhvillimin ekonomik në vendet fqinje në lindje të BE-së.

Deri tani BE-ja u ka ardhur në ndihmë autoriteteve të Shqipërisë duke aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile, që reagon si fillim në raste emergjencash  humanitare.

Një zëdhënëse e komisionit i tha Deutsche Welles se ky mekanizëm u aktivizua qysh më 26 nëntor, pas kërkesës së autoriteteve shqiptare.  Komisioni i BE-së ka kontribuar kështu në mobilizimin e 3 ekipeve të kërkimit dhe shpëtimit nga Italia, Greqia dhe Rumania me më shumë se 200 ndihmës, të cilët tashmë janë vendosur në Shqipëri. Edhe Gjermania kishte ofruar dërgimin e një skuadre shpëtimi, por koordinatorët e mbrojtjes civile zgjodhën ekipet nga vendet fqinjë, për shkak të afërsisë gjeografike, i thanë DW qarqet qeveritare në Berlin.

Siç i tha një zëdhënëse e komisionit DW, Bashkimi Evropian tani po e ndihmon Shqipërinë edhe për të vlerësuar dëmin. Inxhinierë italianë dhe grekë janë mobilizuar përmes mekanizmit të BE për Mbrojtjen Civile.

Vende të tjera si Belgjika, Rumania, Austria dhe Sllovakia ofruan ndihmë në natyrë përmes mekanizmit, të tilla si tenda, shtretër, batanije, çanta për gjumë, gjeneratorë dhe artikuj higjiene, i tha më tej zëdhënësja DW.

BE-ja e ka ndihmuar Shqipërinë edhe nëpërmjet programit të vëzhgimit të tërmeteve, Copernikus, dhe deri tani ka bërë 6 imazhe satelitore nga zonat e prekura.

Veç të tjerash, BE  ka ngritur edhe një ekip të Mbrojtjes Civile, i cili tani është përgjegjës për vlerësimin e dëmit.

Mekanizmi i BE-së për Mbrojtjen Civile mbulon 75% të kostove të transportit të ekipeve të shteteve anëtare, dhe njëqind përqind të shpenzimeve të transportit të  ekipit shumëpalësh, i cili është stacionuar në  Shqipëri që prej datës 27 nëntor. Në të marrin pjesë edhe dy specialistë gjermanë.

Ndërkohë, siç bëri të ditur edhe von der Leyen, në javën e ardhshme pritet të bëhet një konferencë donatorësh. Sipas zyrës së deputetes së majtë gjermane, Gesine Loetzsch, edhe Gjermania do të marrë pjesë në këtë konferencë.

Deri tani kontributi i Gjermanisë për të mënjanuar dëmet e tërmetit në  Shqipëri ka kaluar nga BE-ja, ku Gjermania mban një të katërtën e buxhetit (25,27), pasuar nga Franca (20,57%) dhe Italia, 15,22% (statistikat e vitit 2018).

Kryeministri i Shqipërisë u pat kërkuar të dielën e kaluar vendeve miq me Shqipërinë që ta ndihmonin për të mënjanuar dëmet e shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor, si pasojë e të cilit humbën jetën 51 vetë dhe u lënduan afro 700 të tjerë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.