Berisha: Me 6 mars të rikthejmë shpresën. Thirrjet e Kim më kujtojnë partinë komuniste

0 157

Ish-Kryeministri Sali Berisha, ishte i pranishëm në një takim me të përndjekurit në Shkodër. Pasi kreu homazhe te memoriali i të përndjekurve, Berisha tha se qëndresa e njeriut bëhet për dinjitetin e tij, për vlerat.

“Kjo është një trashëgimi e jashtëzakonshme, një trashëgimi e shkëlqyer që ata qindra e mijëra burra e gra, që ranë për të mos u harruar dhe vuajtën në burgjet e kampet e diktaturës, lanë këtë mesazh të madh.

Historinë e kombeve e ka përcaktuar raporti me të vërtetën. Nëse shqiptarët do kishin pasur një raport me të vërtetën si shkodranët, historia e tyre do kish qenë krejt tjetër, do kishte qenë histori lirie dhe jo histori e diktaturës më staliniste të Europës,” tha Berisha.

Duke cituar shprehjen e Ronald Regan se liria do një gjeneratë për t’u zhdukur, Berisha tha se zgjedhjet e 6 marsit janë shumë të rëndësishme.

“Ne kemi ardhur në një situatë ku kemi një regjim të bazuar te krimi, droga dhe vjedhja, por edhe te trashëgimia e etërve të tij. Rama bëri përpjekje të maskuar për rehabilitimin e diktatorit. I ati i tij, që ka firmën për varjen në litar të Havzi Nelës, është nderuar me emrin e një rruge në Durrës.

Sot vota është bërë fiktive nga ky regjim. Ndaj dhe ne e nisëm betejën tonë me rikthimin e votës. E nisëm së pari në forcën tonë politike dhe sollëm kandidatë para jush, ata që u votuan me votën e lirë të demokratëve, jo të emëruar. Po bëjmë gjithçka që t’i hapim shtegun lirisë, të rivendosim liritë, të rikthejmë votën. Këto zgjedhje janë të një rëndësie shumë të madhe, ku revolucioni paqësor të gjejë mbështetjen për të mbjellë shpresë dhe besim, sidomos te rinia shqiptare. Kam shëtitur në këto gjashtë rrethe këto ditë dhe kudo konstaton shkretim dhe largim të të rinjve. Duhet të bëjmë gjithçka që të kthejmë shpresën,” tha Berisha.

Ai tha se beteja për votën dhe për rrëzimin e kësaj qeverie do jetë e vështirë. Ai shtoi se kjo qeveri nuk është pa mbështetje.

Por, Berisha tha se edhe Ramiz Alia kishte mbështetje. Në fund ai bëri thirrje që demokratët dhe shqiptarët të besojnë të vlerat e vërteta të SHBA dhe të mos merren me qëndrimet absurde.

“Në vitin 1991, në fushatën zgjedhore, dy ditë para mbylljes, po kthehesha nga Peshkopia dhe Bulqiza për në Tiranë. Po dëgjoja radion sepse vetëm ajo ishte, ju them ju me sinqeritetin më të madh se ishin me dhjetëra deklarata të huajsh në mbështetje të Ramiz Alisë. U ktheva, sigurisht i mërzitur se nuk arrija ta konceptoja. Ramiz Alia shtroi një darkë. Aty ishin delegacionit që kishin ardhur nga e gjithë bota. Një njeri i shquar, më thotë se nesër ky politikan mund të mos jetë nesër në këtë post. I them që ky është një njeri që ka kryer krime kundër njerëzimit. I them për firmën e tij për pushkatimin e 27 intelektualëve 24 orë para gjyqit se gjoja kanë hedhur një bombë në ambasadën sovjetike. I them se para dy ditësh, Buna është skuqur me gjakun e të rinjve, që me urdhrin e tij janë ekzekutuar se kanë shkelur rregulloren e kufirit. Jo vetëm kaq, por gjatë verës kanë zvarritur trupa të rinjsh kudo në vend. Ky mik i madh më kërkoi ndjesë aty. Më tha se nuk i dinte këto.

Ua thashë këto se në këtë betejë duhet të kemi besim të madh të forcat tona. Nuk po ndalem te thirrjet e guvernatores që më kujton partinë komuniste të Frimanit, amerikanit që vinte dhe thoshte se demokracia që kishim ne në komunizëm, është ideale. Kjo jo vetëm shkel rregullat, por shkel parimet kryesore të demokracisë. Ne do të dimë të dallojmë qëndrimet absurde të papranueshme me vlerat e vërteta të SHBA. Asgjë nuk do e lëkundë besimin tonë në ato vlera. Madje do përpiqemi gjithmonë e më shumë t’i konsolidojmë. Ndaj ju ftoj ju dhe të gjithë të përndjekurit, që jeni ADN-ja e PD-së, që në këtë revolucion dhe betejë, që ka për qëllim rivendosjen e lirisë dhe vlerave të saj, rivendosjen e vlerave konservatore të shqiptarëve dhe konsolidimin e tyre, ta vazhdojmë dhe të jepni kontributin tuaj dhe jam i bindur se përsëri do të ngremë opozitën më të fuqishme që ka njohur vendi dhe do fitojmë,” tha Berisha.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.