Berisha: Pseudo-reforma e drejtësisë, vettingu si hanxhar politik. Ja si u mbajt Dvorani e Sadushi në sistem

0 181

Ish-Kryeministri Sali Berisha u shpreh se Kuvendi po diskuton një nga pseudo-reformat, të ashtëquajturën reforma në drejtësi, e cila i këputi shtyllën kurrizore shtetit shqiptar.

Berisha tha se kjo reformë pati pasojat më katastrofale për shtetin shqiptar dhe shqiptarët, ndërsa shtoi se procesi i vettingut po përdoret për gjah shtrigash për pastrimin e drejtësisë mbi baza politike, krahinore dhe fetare.

“Edi Rama ka fajësuar të huajt, unë jam përballur edhe me faktorin ndërkombëtar, por përgjegjësia është e Edi Ramës dhe atyre që e mbështetën atë.

Përdorimi i vettingut nga lart poshtë është i njohur si politikë destruktive, duke e lënë vendin pa Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese.

Nuk mund të ketë shtet ligjor pa Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese. Edi Rama sot ka 10 % më shumë pushtet se sa kishte diktatori i fundit komunist në Europë”, tha Berisha.

Ish-Kryeministri tha se me dhjetra e dhjetra gjykatës të rinj u përzunë nga drejtësia, ndërsa Komisioni i Venecias konstatoi se afatet 3 javore të paraqitjes së dokumenteve u përdor si hanxhar, ndërsa të tjerëve iu la kohë muaj e muaj të tërë.

“Fatmir Hoxha u largua nga drejtësia sepse kishte harruar të deklaronte në vitin 2003 një llogari të bashkëshortes, që e kishte deklaruar në 2004. Ndërkohë u mbajt Ardian Dvorani, që nuk justifikonte 100 mln lekë, që kishte një apartament 127 metra, ndërsa e kishte deklaruar 90 metra. U mbajt Sokol Sadushi i cili kishte blerë në 2006 një apartament, por s´dihet ku i kishte gjetur paratë. Sadushi deklaronte dhuratën 20 mijë euro të gjyshes për fëmijët, ndërsa të tjerëve nuk u besohej kur deklaronin se këto apo ata para i kishin kursime nga rroga”, tha Berisha.

Sipas tij, këto janë disa nga aspektet e aktit të shëmtuar të vettingut që u përdor si hanxhar.

“Qytetarët shqiptarë kanë humbur të drejtën për të pasur një proces të drejtë dhe ligjor”, tha Berisha, duke shtuar se “Shqipëria u bllokua me integrimin për shkak të mungesës së Gjykatave”.

Sipas ish-Kryeministrit, nga burgjet po dalin vrasës sepse s´ka njerëz për të hapur dosjet e tyre.

“Vetëm 7 % e qytetarëve që marrin pjesë në votime mbështesin reformën, të gjithë të tjerët janë kundra. E dini rastin e Delina Ficos, e cila merr disa miliona dollarë nga taksapaguesit amerikanë, për të shqyrtuar dosjet në Gjykatën e Lartë.

Pra dosjet i shqyrton gruaja e Bledi Çuçit, ish-gruaja e Edi Ramës”, tha Berisha.

Leave A Reply

Your email address will not be published.