Beteja për listat e hapura apo beteja me “mullinjtë e erës”

0 320

Nga Zef Bushati

Opozita parlamentare ka kohë që ka nisur betejën për listat e hapura në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Është krijuar opinioni se hapja e listave të kandidatëve për deputet do sjellë ndryshimin në parlament, në pushtetin qëndror e Lokal. Po çfarë do të thotë fjala listë? Do të thotë renditje. Pra lista e kandidatëve do të ketë një renditje. Po renditjen kush e bën tek PS-ja, PD-ja dhe tek partitë e tjera që marrin pjesë në zgjedhje? Natyrisht Edi Rama për PS-në, Lulzim Basha për PD-në dhe kryetarët e partive të tjera.

Ndryshimi këtu qëndron midis PS-së, PD-së dhe partive të tjera. Duke e ditur militantët e PS-së dhe PD-së që renditjen e ka bërë kryetari i partisë, militantët votojnë për kandidatët e parë të listës. Ata që përfitojnë nga listat e hapura janë vetëm partitë e vogla, ku anëtarët dhe simpatizantet nuk marrin ne konsideratë renditjen e kryetarit por votojnë për kandidatin më të preferuar të tyre. Përveç këtij “përfitimi” partitë e vogla asgjë tjetër nuk përfitojnë. Partitë e vogla përsëri edhe me draftin e ri të hartuar nga PS-ja dhe PD-ja, nuk do kenë përfaqësues në komisionet e votimit e të numërimit për të ruajtur votat e tyre nga hajdutët e votave, nga mashtruesit e të inkriminuarit.

Partitë e vogla nga ky draft nuk do “përfitojnë ” nga sistemi propocional rajonal me korrektim kombëtar. Partive të vogla iu rritën pragun nga 2.5% ne 5%. Partitë e vogla përsëri nuk do jenë të barabartë në garë me PS dhe PD. Gara nuk fillon në startin zero për të gjitha partitë. PS-ja dhe PD-ja do financohen nga buxheti i shtetit, ndërsa partitë e tjera jo. PS-ja dhe PD-ja dalin dhe do dalin çdo ditë në ekranet e TV, duke shkelur edhe ligjin, por askush nuk guxon ti padisë si shkelës të ligjit. PS-ja dhe PD-ja do të drejtojnë, organizojnë dhe menaxhojnë të gjithë procesin zgjedhor me “bekimin” edhe të disa diplomatëve të lartë të OSBE-së në Shqipëri.

Votimin dhe numërimin elektronik do ta drejtojë PS-ja dhe PD-ja, Votat e emigrantëve janë në duart e PS-së dhe PD-së. Marrëveshtjet i bën PS-ja dhe PD-ja. Madje këto dy parti, që kanë qeverisur këto 30 vite njëherë njëra e njëherë tjetra, mundet edhe ta bashkëqeverisin Shqipërinë. Shpesh herë në këtë betejë katër vjeçare për ndryshimin e ligjit zgjedhor, na është dukur vetja si Don Kishoti me mullinjte e erës. Por ne, të Aleancës Demokristiane, nuk do pushojmë së denoncuari se Kushtetuta shkelet në 3 nene të saj.

Shkelja e parë e Kushtetutës është që në Nenin 1, ku flitet për zgjedhje të barabarta parlamentare dhe lokale. Shtroj pyetjen: Ky “projekt i ndryshimi i ligjit zgjedhor”, i cili u firmos nga përfaqësuesit e lartë të PS dhe PD në ambientet e Ambasadës Amerikane në Tiranë, a e garanton barazinë zgjedhore? Si mendoni zonja Ambasadore e SHBA, zoti Ambasador i BE-së dhe zoti Ambasador i Gjermanisë, që ishit prezent gjatë debatit dhe në momentin e firmosjes së projektligjit zgjedhor nga PS dhe PD. A e respekton Kushtetuten e Shqipërisë ky projekt? A e siguron ky projekt barazinë zgjedhore? Nëse ju mendoni se barazia zgjedhore duhet të arrihet vetëm midis PS-së dhe PD-së dhe se partitë e tjera nuk ju interesojnë, po gaboni, pa varrosni pluripartitizmin në Shqipëri.

Leave A Reply

Your email address will not be published.