Bixhoz, playstation dhe drogë: Kush ishin të dënuarit në “qelitë e luksit”

0 139

Një hetim i Prokurorisë së Elbasanit që çoi në arrestimin e 28 personave të implikuar në trafik droge e sendesh të tjera të palejuara në burgje nxorri sot në media edhe disa të burgosur, për të cilët dënimi kishte marrë formën e pushimeve.

Bëhet fjalë për të burgosur “VIP”, që organizonin edhe lojërat e fatit në ambientet e qelisë. Këta të burgosur janë vënë në përgjim nga prokuroria e Elbasanit që më pas ka zbardhur edhe skemën. Operacioni që mbante emrin “Trinom” zbuloi se në disa burgje të vendit se bixhozi, droga, alkoli, por edhe playstationi nuk mungonin.

Grupi hetimor ra në gjurmën e tyre pasi arrestuan dy persona me 30 kilogramë kanabis në Prrenjas. Ata u vunë në përgjim. Rezulton se ishin pjesë të këtij rrjeti ku ishin të përfshirë të burgosur dhe zyrtarë të burgjeve.

Kush ishin të burgosurit?

Së pari bëhet fjalë për Aleksandër Llanajn, që momentalisht ndodhen në regjimin bis, por kur ishte në burgun 313, u merrte paratë të burgosurve dhe ua jepte shefit të kontrollorëve, Hysni Ndreu që vendoste bastet sportive.

Aleksandër Llanaj është shpallur fajtor për vrasjen e tre të rinjve në prill të viti 2015 në Vlorë e dhe është dënuar me burgim të përjetshëm e më pas me 35 vite burgim nga të tre shkallët e gjyqësorit në Shqipëri. Një zënkë mes të disa të rinjve pas një feste ditëlindje përfundoi me atë që konsiderohet “masakra e Çoles”, me tre të vdekur e tre të dënuar me burgime të gjata, njëri me të përjetshëm dhe dy të tjerë me nga 35 vjet.

Në 7 Prill 2015, pas një konflikti të armatosur, mbeten të vdekur Haki Rakipi, Alfred Velaj dhe Albi Limaj. Policia arrestoi si autorë të masakrës Aleksandër Llanaj, Ani Begaj dhe Bertil Aliaj. Në Tetor 2017, tre anëtarë të familjes Llanaj plagosen në zonën e Transballkanikes, pranë qendrës së Vlorës. Shënjestra ishte Ferdinand Llanaj, vëllai i të dënuarit përjetë asokohe, Aleksandër Llanaj. Bashkë me Ferdinandin, në këtë atentat plagoset edhe djali i tij 8-vjeçar, si edhe miku i familjes, Dritan Begaj.

Familja e Aleksandër Llanajt prej vitit 1998 ka një histori konfliktesh dhe hakmarrjeje që nisin nga një zinxhir vrasjes në Selenicë.

Por, të njëjtën skemë si Llanaj tek burgu 313 në Tiranë, e përdornin edhe në burgun e Drenovës. Bëhet fjalë për Leo Osmanin dhe Delin Hajdarajn, të dënuar si autorë të masakrës së Vlorës së korrikut 2013.

Delin Hajdaraj dhe Leon Osmeni njihen si personat që në vitin 2013 kryen masakrën e vrasjes së tre personave në plazhin e Vlorës. Delin Hajdaraj u arrestua në 2017, pas katër vitesh. Ai ka qenë shpallur në kërkim për ngjarjen e ndodhur në 28 Korrik të vitit 2013, ku në bashkëpunim me shtetasin Leo Osmeni, 23 vjeç (i arrestuar në flagrancë dhe i dënuar me 35 vite burg), në lagjen “Ujë i Ftohtë” në Plazhin e Kalasë, kanë qëlluar me armë zjarri automatike model 56, në prezencë të pushuesve të tjerë, ku mbetën të vrarë 3 persona.

Ata hapën zjarr mbi pushuesit e një resorti në zonën e Kalasë në Vlorë duke lënë të vdekur në vend, tre persona. Më pas, ai u largua me automjetin e tij, por u prangos shumë shpejt. Tre viktimat e Osmënit ishin: Diana Ademi nga Vlora 52 vjeçe; Sokol Isufaj nga Fieri 34 vjeç dhe Serdi Bajlozi nga Prrenjasi 17 vjeç.

Para oficerëve të policisë, Hajdaraj do të pohonte pohoi se nuk kishte dashur të vriste 3 të pafajshmit, por vetëm të trembte djemtë që i kishin ngacmuar motrat e Leo Osmenit (shokut ose kushëririt të tij të largët).

“Armën nuk e mora posaçërisht me qëllim për të vrarë ata 3 persona të cilët humbën jetën aksidentalisht, por vetëm me qëllim për të trembur ata djemtë që kishin ngacmuar motrat e Leo Osmenit”, mësohet të jetë shprehur Hajdaraj.

I burgosuri i katërt “VIP” që bashkëpunonte me gardianët për futjen e sendeve të paligjshme në burgun e Peqinitështë Arben Grori.

50–vjeçari Arben Grori, një prej personave për të cilin drejtësia prej vitit 2002 e vazhdim ka dhënë dhjetëra vendime, pro dhe kundër, përfundimisht gjendet në qeli për dy vepra penale. Është deklaruar fajtor nga drejtësia Italiane për vrasjen e Naim Zyberit në 6 gusht 1997 në spitalin San Paolo, Milano. Grori ekzekutoi vrasësin e vëllait të tij, Artur Grori. Ishte vrasje e paramenduar. Ndërsa në Shqipëri është akuzuar dhe dënuar me 15 vite burg për trafik droge. Tashmë kanë kaluar më shumë se 17 vite nga arrestimi. Është përpjekur disa herë t’i shpëtojë dënimit, por pa sukses.

Në sajë të operacionit “Trinom” sekuestruan edhe 4 milionë lekë të reja, një armë zjarri tip glok. Më herët SHKB u ka kapur të burgosurve edhe lëndë narkotike, telefona dhe sende të tjera të jashtëligjshme dhe duke i kallëzuar në prokurori punonjës të policisë së burgjeve, persona të dënuar por dhe familjarë të tyre.

Leave A Reply

Your email address will not be published.