Biznesmeni rus Roman Abramoviç, frikë nga sanksionet britanike: Do të shesë klubin e futbollit “Chelsea”

0 144

Biznesmeni rus Roman Abramoviç tha të mërkurën se do të shesë klubin e futbollit “Chelsea”, 19 vjet pasi bleu skuadrën londineze. Ai premtoi se do të dhurojë para nga shitja e klubit për të ndihmuar viktimat e luftës në Ukrainë.

Mes thirrjeve që zoti Abramoviç të goditet nga sanksionet pas sulmit rus në Ukrainë, 55-vjeçari tha se shitja ishte në interesin më të mirë të kampionëve në fuqi të futbollit evropian dhe botëror.

“Nisur nga situata aktuale, besoj se shitja e klubit është në interesin më të mirë të klubit, tifozëve, punonjësve, si dhe sponsorëve dhe partnerëve të klubit”, tha ai.

Ai tha gjithashtu se u kishte kërkuar ndihmësve të tij që të krijonin një fondacion bamirësie, i cili do të merrte të gjitha të ardhurat neto nga shitja.

“Këtu përfshihen sigurimi i fondeve kritike për nevojat urgjente dhe të menjëhershme të viktimave, si dhe mbështetjen e punës afatgjatë të rimëkëmbjes”, theksohet ndër të tjera.

Zoti Abramoviç bleu klubin klubin e futbollit “Chelsea” në vitin 2003 dhe investimi i tij ka ndihmuar në krijimin e epokës më të suksesshme në historinë e ekipit; duke fituar pesë tituj të Premier League, pesë FA Cup dhe dy herë Champions League.

55-vjeçari, i cili ka nënshtetësi izraelite dhe portugeze, u bë një nga biznesmenët më të fuqishëm të Rusisë duke fituar pasuri përrallore pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Revista “Forbes” e ka vlerësuar pasurinë e tij neto në 13.3 miliardë dollarë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.