Bora mban të bllokuar fshatrat e thella në Shqipëri

0 271

Reshjet e borës u ndërprenë, por fshatra të tërë në zona të thella të juglindjes dhe veriut janë ende të bllokuara. Në Dibër një e moshuar që kishte nevojë për t’u transportuar në spitalin e Peshkopisë, humbi jetën rrugës. Përpjekja e banorëve duke hapur me lopatë rrugën e bllokuar nga bora dhe duke shtyrë fuoristradën, nuk pati sukses pasi 71-vjeçarja nuk ka munduar t’ia dalë.

Në Korçë të gjitha akset nacionale janë të kalueshme vetëm me zinxhirë për shkak të prezencës së akullit. Edhe akset turistike të Dardhës dhe Voskopojës qarkullohen vetëm me zinxhirë. Vijojnë të mbeten të izoluar fshatrat e Mokrës në Pogradec, Panariti, Shtylla dhe Vithkuqi në Korçë dhe fshatra të thellë malore të Bashkisë së Maliqit.

Segmenti rrugor që të çon në doganën e Qafë Thanës është i hapur në një korsi, ndërsa mjetet udhëtojnë të shoqëruara nga një borëpastruese. Dhjetëra udhëtarë po qëndrojnë prej së dielës në tokën neutrale në pritje të hapjes së rrugës. Edhe situata e përmbytjeve vijon të jetë problematike në zonën e Shkodrës me 4700 Ha nën ujë. Në zonën e Dajçit janë të përmbytura 9 shtëpi, ndërsa rrugët e fshatrave janë të pakalueshëm me mjete të vogla.

Leave A Reply

Your email address will not be published.