Caka: Do t’i drejtohem prokurorisë, kam emrat e policëve që më dhunuan

0 422

Ish-deputetja e LSI-së, Silva Caka ishte një nga dhjetëra të shoqëruarit e policisë gjatë protestave të së dielës kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Ajo tregoi për ”Ilva Now”, se u dhunua padrejtësisht ndërsa gjatë shoqërimit në komisariat u ofendua rëndë nga punonjësit e policisë. ”Efektivja që më shoqëroi e para ishte gati duke më thyer krahun dhe ia kam thënë disa herë të lutem nuk kam ku shkoi më, jam brenda rrethimit të policisë, të lutem ma liro krahun. Nuk u përgjigj, përkundrazi nga ana tjetër erdhën edhe dy efektive të tjera”.

Caka tregoi se kishte parë të njëjtën qasje të dhunshme edhe ndaj ish-deputetëve të tjerë të LSI-së si Florida Kërpaçi, Kejdi Mehmetaj dhe Endri Brahimllari. Ajo foli edhe për dhunimin e gazetarit Alfred Lela, ku ky i fundit ndërhyri për të kërkuar që ajo të mos dhunohej nga policia.

“Ai nuk më njihte dhe hyri thjesht për një qytetare që po e dhunonin dhe shoqëronin në mënyrë të padrejtë, më pas kam dëgjuar edhe tim shoq, i cili sigurisht do të vinte në ndihmën time dhe policët e kanë ndaluar, qëlluar dhe rrëzuar përtokë”,-shpjegoi Caka duke nënvizuar faktin se bashkëshorti u mbajt disa orë në komisariat dhe nga dhuna e policisë pësoi lëndime në këmbë.

Caka tha se do t’i drejtohej ekspertëve mjeko-ligjorë e më pas prokurorisë për një denoncim ndaj policëve që ushtruan dhunë. Ish-deputetja tha se ka deklaratën e shoqërimit dhe ka së paku dy emra punonjësish, të cilët e dhunuan.

Leave A Reply

Your email address will not be published.