Çako: Ndihma për 213 mijë familje

0 343

Që prej mesit të marsit kur vendi iu nënshtrua izolimit, Emergjencat Civile janë vënë në lëvizje. Haki Çako, drejtori i Emergjencave Civile, zbulon shifrën e përditësuar të familjeve të ndihmuara deri në këtë javë të 7-të të izolimit. ”Janë 213,865 familje të cilat janë trajtuar me ndihmë ushqimore deri në datën 29 prill. Janë mbi 48 mijë familje të cilëve iu është shërbyer në ndihmë”.

Prioritet për Emergjencat Civile kanë qenë familjet e prekura nga tërmeti, që jetojnë aktualisht në çadra, në kontejnerë apo me bonusin e qirasë. Numri një i Emergjencave Civile thotë se refuzon të bëjë politikë por nuk kursen një përgjigje për Partinë Demokratike, që ka akuzuar për tjetërsim të shifrave me ndihmat humanitare. “Ajo çfarë ka lançuar opozita është një segment i informacionit, me dashje apo jo është dhënë vetëm një fragment i informacionit, i cili vazhdon i specifikuar me të gjitha qarqet”.

Në vend që PD-ja të merret me të pavërteta, thotë Çako, ka një tjetër ftesë. ”Do ta kisha shumë me kënaqësi, qoftë edhe një përfaqësues i PD-së të na ishte bashkuar për të çuar qoftë edhe një pako te një familje”. Përveç shifrave të familjeve, autoriteteve i mungon një shifër provizore për shpenzimet e deritanishme në rang vendi.

Leave A Reply

Your email address will not be published.