Çfarë fitoi Lugina e Bashkuar?

0 372

Nga Marjana DODA

Asnjë surprizë! Sikundër ishte parashikuar, Partia Progresiste Serbe (SNS) e presidentit Aleksandar Vuçiç i cili po udhëheq Serbinë prej 10 viteve fiton zgjedhjet parlamentare. Komisioni i Zgjedhjeve tha se sipas rezultateve paraprake kjo parti ka fituar 63,35 për qind të votave. Në vendin e dytë është Partia Socialiste e Serbisë, me 10.67 për qind të votave. Ndërsa në vendin e tretë Aleanca Patriotike serbe e një ish lojtari të vaterpolos, Aleksandër Shapiç, i cili mori rreth 4 për qind të votave. Sipas rezultateve paraprake Alternativa demokratike shqiptare – Lugina e Bashkuar, fitoi rreth 1 për qind të votave dhe shpreson të ketë të paktën 3 vende në parlamentin serb, ishin këto të dhënat zyrtare për zgjedhjet parlamentare serbe. Por nuk mund të kaloje kaq thjeshtë kjo ngjarje.

3 karekteristika shoqëruan zgjedhjet parlamentare në Serbi. Së pari Votimet e së dielës ishin zgjedhjet e para në rang kombëtar në Europë që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, dhe përkundrejt numrit të madh të viktimave nga Covid-19, Serbia mbajti zgjedhjet parlamentare.

Së dyti, brenda këtyre zgjedhjeve ishte një marrëveshje historike shqiptare. “Unifikimi i listës së përbashkët zgjedhore për zgjedhjet parlamentare në Republikën e Serbisë”.

Së treti këto zgjedhje parlamentare u bojkotuan nga opozita serbe, dhe mbajtja e tyre cënoi drejtpërdrejt pluralizmin.

Lidhur me këtë fakt edhe vëzhguesit ndërkombëtarë shprehën shqetësim për dominimin e zgjedhjeve nga partia në pushtet si dhe nga mungesa e diversitetit që kufizuan mundësitë e votuesve për të zgjedhur. Vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it bënë të ditura të hënën gjetjet e raportit të tyre paraprak ku thuhet gjithashtu se zgjedhjet ishin të organizuara në mënyrë efikase megjithë kushtet e vështira të pandemisë. Megjithatë, “…votuesit ishin të keqinformuar dhe të irrituar nga mungesa e qasjes në media të opozitës. Dominimi i partisë në pushtet rrezikon neutralitetin e institucioneve të vendit dhe kërkohet dialog për të tejkaluar ndasitë e thella politike dhe për të mbrojtur pluralizmin”, tha Urszula Gacek, kryetare e misionit të posaçëm të ODIHR-it për vlerësimin e zgjedhjeve.

Por vetëm kaq!

E megjithatë si fillim le të mbetemi te marrëveshja historike e Luginës së Preshevës dhe fitorja e 2 deputeteve të partive shqiptare në parlamentin serb. Duhet theksuar se çdo bashkim ,sidomos mes shqiptarëve duhet përgëzuar dhe mbështetur.

Kthehemi në fillim të këtij viti kur Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, priti në një takim, në Tiranë, përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës. Ky takim kishte në fokus krijimin e një liste të përbashkët të partive shqiptare në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi. Kjo listë, e cila bazohet në parime të qarta programore, do të quhet “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”. Palët nënshkruan “Marrëveshjen për krijimin e listës së përbashkët zgjedhore të subjekteve politike shqiptare për zgjedhjet parlamentare në Republikën e Serbisë”.

Nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar, për herë të parë, Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Partia Demokratike, Lëvizja Reforma në PDSH dhe Lëvizja e Progresit Demokratik, do të veprojnë me një program, sa herë do të jenë në pyetje parimet kombëtare dhe çështja e Luginës së Preshevës. “Nënshkrimi i kësaj marrëveshje shënon bashkimin e palëve për të siguruar një përfaqësim sa më të lartë dhe për të krijuar një pozicion sa më të fuqishëm prej zgjedhjeve parlamentare në Serbi”, u trumbetua në media.

E vertetë, partitë politike shqiptare në Luginë arriten një konsenus si rrallë herë për tu bashkuar në një liste te vetme, duke rritur numrin e ulesve shqiptare në parlamentin serb, por sa mund të arrijnë këto parti të ngrejnë zërin e tyre në atë parlament? Nga ana tjetër, kujtojmë se jo të gjitha partitë politike shqiptare në Luginë u bënë pjesë këtij unifikimi e aq më tepër të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare. Partia Demokratike Shqiptare, zgjodhi ti bojkotonte zgjedhjet ashtu si partitë e tjera opozitare .

Ragmi Mustafa, kreu i kësaj partie tregoi në Euronews Albania arsyen që detyruan PDSH-në të mos merrte pjesë në zgjedhje. Ai tha se shqiptarët e Luginës janë të diskriminuar dhe të shtypur nga politika në Serbi, ndërkaq shtoi se jo një apo dy deputetë, por as 20 të tillë nuk mund të çojnë përpara të drejtat e shqiptarëve në Beograd.

“Asnjë çështje e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk është avancuar. Në këtë fushë, përkundër thirrjeve të autoriteteve kombëtare në Tiranë dhe në Prishtinë që të dilej në zgjedhje, Serbia vazhdonte me diskriminim flagrant të shqiptarëve duke i hequr nga gjendja civile, në mënyrë që shqiptarëve t’u humbasë identiteti. Ka edhe shumë shkelje edhe në arsim dhe në përdorimin e flamurit kombëtar”, tha ai. Ndonëse është herët për të analizuar se çfarë mund të ndodhe me tutje me këtë parlament të sapo zgjedhur, ngjarjet e kaluara na japin disa indicie të forta për të plotësuar një pjesë të këtij “pazelli”

Rikujtojmë se bashkimi i partive shqiptare të Maqedonisë së Veriut në 2017 e ashtuquajtur si “Platforma e Tiranës” u përfol shumë dhe u kontestua në mase, madje Presidenti maqedonas George Ivanon e quante “një kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin në Maqedoni” . Ndërsa çuditërisht asnje fjalë kundër “platformës së dytë” të Tiranës zyrtare, kësaj here për Luginën e Preshevës. Pra nën bekimin e Ministrit (kosovar) të Jashtëm të Shqipëris, arrihet një ngjarje historike si bashkimi i partive politike shqiptare dhe ky “akt” historik kalohet në heshtje nga pala serbe(!)

Por Vuçiç përballë bojkotit opozitar nuk mund ta anatemonte asesi këte platformë qoftë kjo e dhe e Tiranës zyrtare, pasi më shume se sa vete partitë politike shqiptare përfituesi më i madh i këtij bashkimi është vetë Aleksandër Vuçiç. Padashur unifikimi dhe pjesmarrja e Luginës së Preshevës në zgjedhje legjitimoi fitoren pa opozitë të Vuçiç. Kjo është nje déjà vu për të gjithe ne, pasi një akt të tillë ku mund të mbahet zgjedhje edhe pa opozitën e dha si shembull ose më sakte u eksperimentua një vit më parë në Shqipëri, ku përkundrejt bojkotit opozitar maxhoranca mbajti zgjedhjet lokale. Nuk e di nese kjo është një mënyrë “alla ballkanase”, por duke parë heshtjen ndërkombëtare përballë dhunimit të pluralizmit, më bën të besoj se ka edhe një “bekim “ ndërkombëtar. Madje kanë gjetur dhe “çelsin”…duke krijuar dy opozita, parlamentare dhe jashtë parlamentare.

Por çfarë fitoi Lugina e Bashkuar? Ose më sakte çfarë po devijon ky bashkim i Lagunës nën bekimin e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare? Ndërkohë që më datë 27 Qershor delegacionet zyrtare nga Kosova dhe Serbia do të priten në Uashington, duke rifilluar dialogun mes dy vendeve respektive, dhe kujtojmë se Lugina e Preshevës, Bujanovci, Medvegja kane qenë pjesë e diskutimit të kësaj marrëveshjeje historike. Lugina duket se e perjashtoi veten nga kjo marrëveshje duke mbetur jashtë kufijve të Kosovës por me dy ulëse më shumë në parlamentin serb. /Argumentum.al/

Leave A Reply

Your email address will not be published.