Cili është plani i Amerikës për të penguar prodhuesit kineze të çipave?

0 37

The Economist

Të prodhosh çipa ësht një punë shumë e vështirë. Vetë prodhuesit e gjysmëpërçuesve si Intel, Samsung dhe TSMC mbështeten në pajisjet e ndërtuara nga një sërë firmash që nuk janë shumë të njohura.

Pajisjet e shitura nga Applied Materials, Tokyo Electron, ASML, KLA dhe Lam Research janë të pazëvendësueshme në prodhimin e makinave llogaritëse. Pas vite përplasjesh midis Amerikës dhe Kinës mbi kontrollin e teknologjisë, diçka e tillë i ka bërë qeveritë në mbarë botën më të vetëdijshme për rëndësinë strategjike të prodhimit të çipave.

KLA (Kompania e prodhimit të gjysmëpërçuesve) prodhon mjete matëse të cilat në thelb janë mikroskop elektronik, të cilat skanojnë çdo pjesë të një çipi për defekte dhe gabime. Përpjekjet e qeverisë kineze për të zhvilluar një industri të madhe dhe të avancuar të gjysmëpërçuesve duke përdorur këtë teknologji inovative kanë ndryshuar burimin e të ardhurave për firmat gjatë pesë viteve të fundit.

Në vitin 2014, pesë prodhuesit kryesorë të mjeteve i shitën Kinës pajisje me vlerë 3.3 miliardë dollarë, 10% e tregut global. Sot vendi është tregu i tyre më i madh me një diferencë të konsiderueshme, duke përbërë një të katërtën e të ardhurave globale.

Nga 23 miliardë dollarë nga Applied Materials, prodhuesi më i madh i pajisjeve, 7.5 miliardë dollarë erdhën nga Kina. Vendi përbën mbi një të tretën e të ardhurave të Lam Research prej 14.6 miliardë dollarësh, pjesa më e madhe e çdo prodhuesi të madh pajisjesh.

Kjo mbështetje e re ka krijuar probleme politike dhe tregtare, veçanërisht për treshen e prodhuesve amerikanë të pajisjeve: Applied Materials, KLA dhe Lam Research. Qeveria kineze ka investuar qindra miliarda dollarë në prodhuesit e çipave të vendit. Meqenëse secila nga treshja amerikane është dominuese në hapa të ndryshëm të procesit të prodhimit të çipave, përfundimi i pashmangshëm është se teknologjia më e avancuar e Amerikës po çon përpara qëllimet ekonomike të Kinës.

Qeveria e Amerikës ka kërkuar prej kohësh zgjidhje për këtë realitet të pakëndshëm. Në dhjetor 2020, ajo vendosi SMIC, prodhuesin kryesor të çipave në Kinë, në listën e zezë të eksportit. Çdo kompani amerikane që dëshironte t’i shiste produkte SMIC duhej të aplikonte për një licencë.

Në vend të kësaj, Kina ka filluar të bashkëpunoje me firma të tjera jo-amerikanë. Çështja po bëhet gjithnjë e më e thellë. SEMI, organi global i tregtisë së mjeteve gjysmëpërçuese, njoftoi më 12 prill se të ardhurat botërore të industrisë nga Kina u rritën me 58% në 2021, në 29.6 miliardë dollarë.

Në mars, dy ligjvënës republikanë i shkruajtën Departamentit Amerikan të Tregtisë duke kërkuar rritjen e kontrolleve të eksportit për teknologjinë e çipave që dërgohen në Kinë, duke përmendur në mënyrë specifike pajisjet e prodhimit të gjysmëpërçuesve.

Dëshira e madhe e Kinës për pajisjet e prodhimit të çipave po shkakton gjithashtu vështirësi komerciale për prodhuesit jo-kinezë të çipave, duke i privuar ata nga pajisjet dhe si rrjedhim të kapacitetit të tyre për të prodhuar çipa.

Më 14 prill C.C. Wei, shefi i TSMC, tha se firma tajvaneze kishte hasur në një “problem të shpërndarjes së pajisjeve” të papritur që kërcënonte aftësinë e saj për të prodhuar mjaftueshëm çipa. Megjithëse ai nuk fajësoi Kinën, TSMC ka paralajmëruar Apple dhe Qualcomm, dy nga klientët e saj më të mëdhenj, se mund të mos jetë në gjendje të përmbushë kërkesat e tyre në 2023 dhe 2024.

Gjatë katër muajve të fundit, prodhuesit amerikanë kanë filluar të punojnë me qeverinë, nëpërmjet Akin Gump, një firmë avokatësh dhe lobistësh me qendër në Uashington, DC, për të gjetur një rrugëzgjidhje.

Prodhuesit formuan Koalicionin e Prodhuesve të Pajisjeve Gjysmëpërçuese në fund të vitit të kaluar për të përmbushur këto synime, duke punësuar Akin Gump për t’i përfaqësuar ata. Juristët kanë shqyrtuar produktet e Applied Materials, Lam Research dhe KLA-së në një përpjekje për të identifikuar kontrollet e eksportit, sipas të cilave mjetet më pak të avancuara që nuk përdoren për prodhimet e fundit mund të shiten në Kinë.

Kjo do t’i lejonte prodhuesit të mbanin një pjesë të të ardhurave të tyre nga shitjet kineze. Akin Gump është në diskutime të vazhdueshme si me administratën Biden ashtu edhe me anëtarët e Kongresit.

“Plani po drejtohet nga administrata Biden,” tha Koalicioni në një deklaratë më 25 prill.

Propozimi varet nga aleatët e Amerikës – në veçanti Japonia dhe Holanda për të zbatuar të njëjtat kontrolle të eksportit për prodhuesit e tyre të çipave. Shanset për këtë janë rritur që nga sulmi i Rusisë në Ukrainë. Zyrtarët në mbarë botën kanë diskutuar së bashku për të kuptuar efektin që ka ndalimi i tregtisë së Amerikës me Rusinë.

Kjo ka krijuar hapësira përmes të cilave mund të izolohet Kina nga prodhimi i avancuar i çipave, një detyrë shumë më e ndërlikuar sesa frenimi i shitjeve të widget. Plani mund të dështojë dhe Kina nuk ka gjasa ta pranojë diçka të tillë.

Të përcaktosh se cilat pajisje mund të eksportohen ende në Kinë mund të jetë shumë e vështirë. Por nëse funksionon, prodhuesve kinezë të çipave do t’u duhen dekada për të arritur në nivelet e Perëndimit.

Dhe Amerika do t’i kishte përmbushur qëllimet e prodhimit masiv të gjysmëpërçuesve duke shkaktuar dëm minimal në industrisë së saj./ABC

Leave A Reply

Your email address will not be published.