Covid-19 pëson tjetër shpërthim, shifër rekord infektimesh ditore

0 395

Covid-19 vijon që të jetë agresiv dhe të ketë shpërthime. Rekord i ri rastesh ditore në nivel global në 24 orët e fundit. Sipas OBSH janë regjistruar të paktën 338779 raste, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë që nga fillimi i pandemisë.

Europa regjistron tani më shumë se 6.5 milionë raste të Covid-19 sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kancelarja Angela Merkel do të zhvillojë bisedime përmes lidhjes video me drejtuesit e 11 qyteteve më të mëdha të Gjermanisë pasi 4516 raste të reja me Covid-19 u raportuan dhe 487 persona të tjerë u shtruan në repartet e kujdesit intensiv.

Zyrtarët cekë kanë raportuar 5394 infektime të reja, hera e tretë këtë javë që vendi sheh një shifër rekord që kur pandemia nisi. Më shumë se 100 viktima janë regjistruar këtë javë dhe ka një rritje të madhe në shtrimet në spital. Infektimet janë rritur shumë edhe në Holandë ku dhjetëra persona u arrestuan gjatë një proteste kundër masave anti-covid në Hagë.

Qeveria franceze ka vendosur masa më të rrepta kontrolli në katër qytete të tjera Lion, Lilë, Grenoble dhe Saint Etienne që tani janë zona të rrezikut maksimal nga e shtuna. Franca regjistroi një rekord të ri së fundmi me 18129 raste të reja koronavirusi të raportuara një ditë më parë.

Qeveria spanjolle vendosi nën izolim të pjesshëm 4.78 milionë njerëz në Madrid të premten e kaluar por një gjykatë e rrëzoi atë duke intensifikuar përplasjen me liderët politikë të kryeqytetit. Italianët në anën duhet të mbajnë maska kudo dhe kurdoherë dhe ekspertët parashikojnë se pas dy muajsh, kur do të mbërrijë edhe gripi, mund të arrihet në 16 mijë raste të reja në një ditë. Edhe Ukraina, Polonia dhe Sllovakia kanë raportuar shifra rekord infektimesh ditore.

Leave A Reply

Your email address will not be published.