Covid-19/Teoritë e konspiracionit, digjen kullat e rrjeteve 5G

0 447

Teoritë e komplotit se sistemet e komunikimit me valë përbëjnë një kërcënim, kanë ekzistuar prej kohësh. Zyrtarët në Europë dhe Shtetet e Bashkuara po reagojnë të shqetësuar se sulmet do të dëmtojnë lidhjet vitale të telekomunikacionit, në një kohë kur ato janë më të nevojshmet për t’u përballur me pandeminë. “Jam absolutisht i indinjuar, absolutisht i neveritur, që njerëzit po ndërmarrin veprime kundër vetë infrastrukturës që na nevojitet për t’iu përgjigjur kësaj urgjence shëndetësore”,-tha në fillim të prillit Stephen Powis, drejtori mjekësor i Shërbimit Kombëtar të Shëndetit në Angli.

Rreth 50 zjarre me objektiv kullat celulare dhe pajisjet e tjera janë raportuar në Britani këtë muaj, duke sjellë edhe tre arrestime. Rreth 16 kulla janë djegur në Holandë. Sulme të tilla janë raportuar gjithashtu në Irlandë, Qipro dhe Belgjikë. Susan Brinchman, drejtore e Qendrës për Parandalimin e Elektrosmogut, një fushatë jofitimprurëse kundër “ndotjes elektromagnetike mjedisore”, thotë se njerëzit kanë të drejtë të shqetësohen për 5G-në dhe lidhjet me COVID-19. “E gjithë infrastruktura 5G duhet të çmontohet dhe të fiket”, tha ajo me email.

Nuk ka prova që komunikimet pa tela, qoftë 5G apo versionet e mëhershme, dëmtojnë sistemin imunitar, tha Myrtill Simko, drejtori shkencor i SciProof International në Suedi, i cili ka kaluar dekada duke studiuar këtë çështje. Vala e tanishme e teorive 5G i pati fillimet në janar, kur një mjek belg sugjeroi një lidhje me Covid-19. Variacione më të vjetra që qarkullonin para kësaj, kryesisht rrotulloheshin rreth rrezatimit të celularëve që shkakton kancer dhe përhapeshin në forume si Reddit, faqe në Facebook dhe kanale në YouTube.

Instituti Kombëtar i Kancerit nuk ka parë një rritje të tumoreve të trurit. Teoritë morën vrull në vitin 2019 nga mediat shtetërore ruse, të cilat ndihmuan për t’i bërë ato pjesë të diskutimeve që zhvilloheshin brenda Shteteve të Bashkuara, thonë ekspertët e dezinformimit. Ryan Fox, i cili gjurmon dezinformimin si zyrtari kryesor i inovacionit në kompaninë AI Yonder, tha se ai vuri re një rritje anormale vitin e kaluar në përmendjet e çështjeve të 5G-së në median shtetërore ruse, me shumicën e historive që shfrytëzonin frikën e njerëzve rreth teknologjisë 5G dhe nëse ajo mund të shkaktojë kancer.

Leave A Reply

Your email address will not be published.