”Cunam” Covid-19 në vjeshtë? Panariti: Që të mos futemi në kolaps, qeveria duhet të ketë gati 2 mijë shtretër

0 57

Pandemia e Covid-19, është aktive në vendin tonë dhe kurba e rasteve të reja rritet dita-ditës. Lidhur me këtë situatë të vështirë, ish-deputeti i LSI-së, Edmond Panariti, përmes një postimi në facebook, thotë se qeveria duhet të ketë gati deri në vjeshtë, të paktën 2 mijë shtretër. ”Duhet ta çojmë numrin e shtretërve reanimatorë në spitale në shkallë vendi në 2000 deri para vjeshtës. Që të mos futemi në kolaps në rast të një cunami infektiv të papritur. Të sigurojmë stoqe barnash antivirale dhe stoqe rezervash bazë ushqimore në rast të një paralize të tregtisë ndërkombëtare. Njerëzimi gjithnjë ka vuajtur nga mungesa e parashikimit”.

Postimi i plotë

Çfarë pritet të ndodhë me pandeminë Covid-19? Ku jemi ne? Besohet ende se rritja e ndjeshme aktuale e numrit të rasteve të reja me coronavirus në botë, përfshirë edhe vendin tonë lidhet me lehtësimin e masave karantinore dhe jo me valën e dytë të infeksionit. Por ka që mendojnë se edhe mund të mos jetë kështu! Por a ndodhemi në “dallgë” apo gjëndemi ende jashtë saj dhe a priten “cuname” në vjeshtë? Mbetet për tu parë!

Si rregull epidemiologjik sa më gjatë të qarkullojë infeksioni në popullata aq më i lartë është probabiliteti i “valëve” apo “dallgëve” të reja të infeksionit. Sipas CDC amerikane dhe Anthony Faucit të task forcës Amerikane, është e mundur që këtë vjeshtë apo prag dimri të përfshihemi nga “dallga” e dytë. Cilat do të jenë pasojat? Askush nuk mund ta thotë. Por shtetet po përgatiten shumë fort dhe seriozisht me kapacitete spitalore, shtretër reanimacioni, stoqe medikamentesh antiviralë. etj.

Sepse vaksina edhe nëse do të prodhohet duket ende larg. Historia e gripit spanjoll të para 100 viteve, na kujton se vala e dytë ishte më agresive dhe vrastare se e para. Njerëzimi mori frymë dhe u relaksua në korrik gusht të para 100 viteve për tu infektuar rëndë në tetor, nëntor.

Prandaj duhet ta çojmë numrin e shtretërve reanimatorë në spitale në shkallë vendi në 2000 deri para vjeshtës. Që të mos futemi në kolaps në rast të një cunami infektiv të papritur. Të sigurojmë stoqe barnash antivirale dhe stoqe rezervash bazë ushqimore në rast të një paralize të tregtisë ndërkombëtare. Njerëzimi gjithnjë ka vuajtur nga mungesa e parashikimit.

Leave A Reply

Your email address will not be published.