Daja: 5 viktima dhe 140 raste të reja. Bilanc shpresëdhënës të të shëruarve

0 368

Fatkeqësisht pesë pacientë të prekur nga Covid-19 nuk e fituan betejën, duke humbur jetën në 24 orët e fundit, si dhe mësohet se po në 24 orët e fundit janë kryer 603 testime nga të cilat janë konfirmuar 140 raste të reja. Në deklaratën e përditshme për shtyp të Ministrisë së Shëndetësisë, Dr.Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik, tha se “Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet Covid, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, një 46-vjeçar nga Gjirokastra pa sëmundje të tjera, një 48-vjeçar nga Tirana pa sëmundje të tjera, një 70-vjeçar nga Durrësi me sëmundje bashkëshoqëruese, një 81-vjeçar dhe një 84-vjeçar, të dy nga Tirana me sëmundje bashkëshoqëruese. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve dhe të afërmve”.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 72 raste në Tiranë, 14 në Kavajë, 12 në Fier, 10 në Kamëz, 6 në Kukës, nga 4 raste në Krujë, Kurbin, Mirditë, nga 2 raste në Shkodër, Korçë, Elbasan, Tepelenë, Bulqizë, nga 1 rast në Durrës, Lezhë, Lushnje, Vlorë. Një lajm i mirë është numri i të shëruarve. 101 kanë fituar betejën me këtë virus, një bilanc pozitiv krahasuar me një ditë më parë, por edhe me shifrat e javëve të fundit. “Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 101 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3480, që nga fillimi i epidemisë”.

Nga ana tjetër, Daja tha se aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 124 pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid-19, 18 pacientë janë në terapi intensive, 4 prej të cilëve të intubuar. Në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi”, përveç pacientëve të konfirmuar pozitivë me Covid-19, po vijojnë të marrin trajtim edhe pacientë të dyshuar, të cilët po trajtohen sipas protokolleve përkatëse. Mjekët e familjes në të gjithë vendin po monitorojnë çdo ditë personat aktivë me Covid-19, që janë të izoluar në banesë. Nisur nga fakti se pavarësisht numri të lartë të të prekurve, qytetarët duket se nuk “i frikësohen” virusit, ministria e Shëndetësisë u drejtohet me një lutje qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet me një lutje qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën për asnjë moment, por të japin kontributin e tyre në këtë luftë kundër virusit duke respektuar masat e vendosura. Të ruajnë distancimin fizik, të vendosin maskën detyrimisht në ambientet e mbyllura dhe kudo ku nuk ruhet distanca, të kujdesen për higjienën personale. Bizneset duhet të zbatojnë protokollet e miratuara të sigurisë, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve. Nëse dyshoni se jeni i prekur ose keni shenja të sëmundjes duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.