Dasmat nuk ndalen, po ashtu as gjobat për lokalet. Shteti mbush arkën

0 351

Dëshira e çifteve për një dasmë me miq dhe farefis edhe pse në kohë pandemie dhe tundimi i pronarëve të lokaleve për të shtuar fitimet në dhjetëra raste ka rezultuar më i madh se frika e të dy palëve nga situata. Pandemia e Covid-19 vijon që të jetë agresiv në vendin tonë dhe këtë e tregojnë shifrat e raportuara nga Ministria e Shëndetësisë. Shifrat zyrtare flasin për mbi 3845 aktivë në të gjithë vendin. Për Silva Binon përhapja e infeksionit dhe rritja e të prekurve në këtë periudhë po shkaktohet nga festat dhe grumbullimet e të rinjve në plazhe, nga dasmat dhe ceremonitë mortore, të cilat po zhvillohen si më parë.

Autoritetet policore kanë ndëshkuar me 1.000.000 lekë gjobë, administatorë dhe pronarë të 5 subjekteve në Durrës dhe Krujë dhe me mbyllje aktiviteti për një periudhë 6-mujore dy prej tyre, pasi u konstatuan duke ushtruar aktivitet në mënyrë të përsëritur në kundërshtim me Aktin Normativ.

Shërbimet e Komisariateve të Policisë Durrës dhe Krujë, në vijim të kontrolleve të shtuara gjatë fundjavës në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së Covid-19, kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 4 subjekte në Krujë dhe 1 në Durrës, të cilët kishin organizuar ceremoni martesore në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar protokollet e sigurisë.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë pronarët/administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së Covid-19. Që nga gjoba e parë deri më tani, përflitet se mbi 50 lokale kanë marrë gjoba e që shteti ka mbushur arkën.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë si dhe mbyllje aktiviteti për një periudhë 6-mujore, një subjekti me administrator shtetasin B.M, pasi u konstatua duke organizuar ceremoni martesore në mënyrë të përsëritur në kundërshtim me Aktin Normativ. Për subjektin me pronar shtetasin F.Gj, në fshatin Derven, Krujë, shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë si dhe mbyllje të aktivitetit për një periudhë 6-mujore, pasi u konstatua duke organizuar ceremoni martesore në mënyrë të përsëritur, në kundërshtim me Aktin Normativ. Për subjektin me pronare shtetasen Xh.B, në Thumanë, Krujë dhe subjektit me administrator D.T, në Derven, Krujë, shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë për secilin, pasi u konstatuan duke organizuar ceremoni martesore në kundërshtim me Aktin Normativ. Për subjektin në Arapaj, Durrës, me pronar shtetasin A.B, shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë, pasi kishte organizuar ceremoni martesore në kundërshtim me Aktin Normativ”,- thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Leave A Reply

Your email address will not be published.